Komisioni Europian mbështet AZHBR-në për përmirësimin e teknikave të auditimit

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Stafi i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka përmbyllur me sukses një cikël tjetër trajnimesh, në përvetësimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, në drejtim të teknikave të auditimit në sistemet IT.
Trajnimi për përgatitjen dhe avancimin e auditimit të brendshëm në sistemet IT të AZHBR, ka në fokus menaxhimin dhe kontrollin e fondeve dhe të dhënave.
AZHBR njofton se, “ky trajnim, u mbështet nga Technical Assistance and Information Exchange instrument of the European Commission (TAIEX) dhe është realizuar me ekspertë të agjencive homologe nga Rumania, Kroacia dhe Polonia, me synim përgatitjen e stafit të auditimit për të realizuar auditime të brendshme të sistemeve të IT, duke vlerësuar risqet dhe masat kontrolluese përkatëse”.
Në fokus të trajnimit ishte përmirësimi i praktikave të vetëvlerësimit dhe forcimit të kapaciteteve të audituesve për të vlerësuar masat e kontrollit të sistemeve, duke siguruar mbrojtjen nga risqe të mundshme.
“Bashkëpunimi me ekspertët ndërkombëtarë ka për qëllim të sigurojë auditim të besueshëm dhe efikas për sistemet që mbështesin menaxhimin e fondeve dhe proceseve të prokurimit publik, duke promovuar transparencën dhe qeverisjen e mirë”, bën të ditur AZHBR.
1 nga 4/r.e/a.f/