Komisioni Europian publikon progres-raportin për Shqipërinë, vlerësohet avancimi në reforma dhe negociata

Komisioni Europian publikon sot progres-raportet për vendet aspirante, përfshi edhe Shqipërinë.
Radio Europa e Lirë, e cila ndau një pjesë të këtij raporti, thotë se nga leximi paraprak i dokumentit për Shqipërinë vlerësohet përparimi i madh në reforma.
“Kjo reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë, e cila ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vetingut,” thuhet në progres-raport, pa harruar edhe rezultatet e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, në këtë dokument theksohet se Shqipëria ka arritur me shpejtësi që t’i hapë negociatat në pesë grupe kapitujsh.
Mes tjerash përmendet se vendi ynë tashmë ka shprehur ambicien për t’i mbyllur të gjitha negociatat për anëtarësim në vitin 2027 dhe që Komisioni Evropian është i përkushtuar në mbështetjen e shteteve në plotësimin e kushteve që janë të domosdoshme për anëtarësim në BE, dhe që procesi bazohet vetëm në parimin e meritave.