Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Braho: Postime me përmbajtje fyese

Ka nisur të hënën në mesditë mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në mbledhje janë transmetuar deklaratat e zotit Meta në televizione dhe deklarata për shtyp si dhe po lexohen të gjitha postimet e tij në rrjetet sociale apo edhe deklarata që mund të ketë bërë gjatë aktiviteteve të ndryshme. Anëtari i komisionit, Spartak Braho, i cilësoi përmbajtjet filmike të Presidentit nga studiot televizive dhe postimet në rrjete sociale, si denigruese e fyese, e në kundërshtim të plotë sipas tij me ligjin. “Vrojtova me shumë kujdes të gjitha deklarata e presidentit, në mediat elektronike dhe postimet personale që ka bërë në rrjete sociale. Janë rreth 40 postime me përmbajtje kriminale, totalisht në kundërshtim me ligjin, komplote, fyerje ndaj funksionarëve shtetërore dhe ndërkombëtar. Këto janë konstatime të presidentit. Pyetja shtrohet. A i është drejtuar Presidenti ndonjë organi shtetëror, ligjzbatues, për t’ia paraqitur këto denoncime. Në dijeninë time jo, por kjo duhet hetuar, “tha Braho.
Krahas provave filmike të marra nga deklaratat e Presidentit në studiot televizive, para dhe gjatë fushatës, deputeti Edmon Stojku, anëtarë i komisionit, sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive.