E Enjte, 5 Nëntor 2026

Komisioni Hetimor për të dhënat TIMS, marrja në pyetje e Rrumbullakut me dyer të mbyllura

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, është mbledhur sot për të vijuar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve sipas kalendarit të miratuar në mbledhjen e kaluar.

Pas marrjes në pyetje me dyer të mbyllura për rreth 3 orë të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, në rend të ditës është dëshmia e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Dëshmia e Rrumbullakut ka shkaktuar përplasje mes kryetarit të komisionit hetimor të TIMS, Ervin Salinji dhe nënkryetarit Toni Gogu.

Salianji kërkoi që marrja në pyetje e Rrumbullakut të vijojë me dyer të hapura.

“Sipas rendit të ditës kemi në dëgjesë drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Për shkak të bojkotit të mazhorancës shkresa është hedhur për votim sipas parashikimeve, nëse mbledhjet nisin me kuorum, di që kërkesa merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm. Pika e parë e kërkesës është që të jetë e hapur për publikun për të komunikuar me qytetarët shkeljet në lidhje me ndërhyrjet në sistemin e TIMS”, u shpreh Salianji.

Por, nënkryetari Toni Gogu kërkoi që mbledhja të vijonte me dyer të mbyllura.

“Ky organ flet përmes vendimmarrjes dhe vendimmarrja ka qenë që të shtyhet derisa anëtarët të pajiseshin me certifikatë sigurie, shumica janë pajisur me certifikatë sigurie, administruam dëshminë e zotit Taulant Balla. Kërkesën formale të drejtorit ta hidhni në votim, mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura”, tha Gogu.

Ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh se, dëshmia e tij ka sekrete hetimore.

Ai tha se, nëse mbledhja bëhet e hapur do të flasë vetëm për ato që nuk janë sekret.

“Nuk dua të kem mbrojtës ligjor, do dëshmoj vetëm. Kërkesa jonë mbështetet në ligjin “Për komisionet hetimore’ dhe i qëndroj që dëshmia ime, përbën sekret, për arsye që do t’i shpjegoj pas vendimit të këtij komisioni”, tha ai.

“Ju kemi vënë në dispozicion materiale të paklasifikuara, por unë jam me shumë dokumente me vete, ligji ‘Për informacionin e klasifikuar’, përcakton 4 nivelet e informacionit hetimor”, theksoi ai.

“Në të tre nivelet e tjera kërkohet pajisja me certifikatë respektive. Jam i hapur të jap shpjegime mbi sistemin TIMS se çfarë përfshin. Flitet parimisht sistemi TIMS. Unë nuk mund ta shkel në asnjë rast tagrin se çfarë përfshin dhe për çfarë shërben”, tha Rrumbullaku.

Pas votimit me 8 vota pro dhe 6 kundër Komisioni vendosi që marrja në pyetje e Rrumbullakut të vijonte me dyer të mbyllura.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›