Komisioni, Meta merr në mbrojtje Ramën
Nga Renato Dauti
Berisha mos të shohë ëndrra më sy hapur, nuk i bojkotojmë zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i është përgjigjur nga Vlora deklaratave të bëra nga kryeministri Berisha se opozita po kërkon shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas Metës opozita është e gatshme për të garuar në zgjedhje ndërsa shtoi se pas tetë vitesh të qeverisjes së demokratëve vendi ka nevojë për një alternativë të re.
Deklarata
Dua ti them kreut të PD-së nga Vlora të mos shohë ëndrra me sy hapur që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, pasi opozita, Vlora dhe Shqipëria duan që zgjedhjet të bëhen sot. Ne duam të nisim një politikë bashkëpunimi dhe me demokratët që sot janë në mazhorancë pasi ata janë komshinjtë tanë, pasi ata e dhanë maksimumin që mund të jepnin gjatë këtyre 8 viteve, tani është koha për ndryshim dhe përmes këtij ndryshimi do të ketë një bashkëpunim, deklaroi Ilir Meta. Duke u ndalur tek rezultati i zgjedhjeve në Vlorë, Meta premtoi një fitore të thellë të së majtës në këtë qark. Ne jemi të sigurtë në fitoren e këtyre të zgjedhjeve. Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi fitoren në Shkodër dhe kulmin do e ketë në Vlorë më 23 qershor. E kemi të pamundur të mundim Berishën në Vlorë tetë me dy, por ju jap fjalën se do e mundim nëntë me tre, u shpreh i sigurt kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Komisioni hetimor
Në vijim të fjalës së tij, Meta është ndalur edhe tek vendimi i marrë në Kuvend ditën e djeshme për ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur incidentin e ndodhur në Vjenë mes Edi Ramës deh diplomatit, Egin Ceka. Ne duam një Shqipëri pa politikan përçarës, të cilët e kthyen para një jave Parlamentin në Parlamentin e leshit dhe sot e kthyen ne Parlamentin e veshit. Ne na duhet një Parlament që merret me shqetësimet kryesore te vendit dhe reformat që e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje te lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar, u shpreh Meta.