E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, nis përzgjedhjen e ekspertëve kontabël

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis procedurën për zgjedhjen e ekspertëve kontabël, të cilët do të kontrollojnë financat e partive politike.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së i kërkoi ekspertëve kontabël të dorëzojnë dokumentacionin përkatës deri në datën 15 maj ndërsa theksoi edhe disa nga kriteret që duhet të plotësohen.

Ekspertët që do të përzgjidhen për të kontrolluar financat e partive përveç procedurave të përgjithshme të ushtrimit të profesionit, duhet të plotësojnë dhe disa kritere shtesë që janë: të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licencuar për jo më pak se 5 vjet, të mos kenë marrë masa disiplinore, të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit, të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse dhe të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i kontrollimit.

Sipas zëdhënëses pas dorëzimit të dokumentacionit përkatës më pas do të hidhet edhe shorti ku do të përzgjidhen edhe ekspertët kontabël të liçensuar.

Kontrolli i ekspertëve kontabël do të përfshijë shpenzimet e partive gjatë fushatave zgjedhore, si dhe fondet që zotërojnë këto subjekte politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›