E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor, Topi refuzon sërish të paraqitet

Kreu i shtetit i është përgjigjur sërish negativisht kërkesës së dytë të komisionit hetimor për tu paraqitur në këtë komision për ngjarjet e 21 janarit. Në një konferencë për shtyp Këshilltari juridik i presidentit Spiro Peçi ka theksuar se argumentimi i komisionit për mbledhur të dhëna nga presidenti është një miopi juridike.
 

“Ky Komision mesa u deklarua, edhe nga përmbajtja e shkresës që sapo ka mbërritur pranë Presidentit të Republikës, pretendon që prej Presidentit të Republikës, po citoj shkresën, “të mbledhë të dhëna dhe informacione zyrtare dhe jozyrtare, si dhe dokumente”. Komisioni mundohet të argumentojë se e mbështet kërkesën në Nenin 14, germa “b” të Ligjit “Për komisionet hetimore”. Në qoftë se ky “argumentim” nuk përmban keqdashje politike, në rastin më të mirë, është një miopi juridike” theksoi Peçi.

Sipas tij neni i cituar, bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre por vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucioni.

“Dua të theksoj se askush, nuk mund të verë në dyshim apo të komentojë, faktin që Presidenti është institucion dhe jo titullar institucioni. Është pikërisht kjo arsyeja, midis të tjerave, që Kushtetuta e Republikës, e ka vendosur Presidentin si institucion, duke i caktuar direkt kompetencat, të drejtat dhe detyrimet theksoi Peçi duke shtuar se në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione.

Ai gjtihashtu theksoi se marrëdhëniet e Presidentit të Republikës me Kuvendin janë përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta, madje duke e vendosur Presidentin si Institucion në një pozitë të veçantë, po në Nenin e sipërcituar, në germën “a”, ku thuhet: “Ai i drejton mesazhe Kuvendit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›