E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor i veshit: Ja si do e hetojmë Ramën

komisioni_hetimor_30.4.2013Nga Lindita Çela

Komisioni hetimor i veshit, ose ndryshe deputetët e Partisë Demokratike, që kanë marrë përsipër të hetojnë mbi të ashtuquajturin incident i veshit të Eginit, kanë miratuar planin e punës së tyre 20 ditore.

Komisioni hetimor, i drejtuar nga Fatbardh Kadilli, ka nisur punën duke deklaruar se më 20 maj do ti bëjnë me dije shqiptarëve nëse u kap ajo jo veshi i Egin Cekës.

Komisioni ka miratuar planin e punës si dhe hapat që do ta çojnë atë drejtë zbardhjes të së vërtetës në Akademinë Diplomatike të Vjenës.

Sipas planit të miratuar, duket se përveç diplomatit Egin, do të thirret për të dëshmuar se si e kapi për veshi edhe Edi Rama, që në fakt nuk dihet nëse do të dëshmojë apo jo.

Ndërsa Kadilli, në cilësinë e kryetarit të komisionit, u betua se do të bënte një hetim të plotë  për këtë ngjarje.

Detyra jonë është që të jemi të angazhuar me seriozitetin maksimal, që brenda afatit të parashikuara të bëjmë hetim të plotë, të thellë dhe të paanshëm të kësaj ngjarje. Është e qartë që kjo ngjarje kapërcen ndjeshëm kufijtë e incidentit, pasi nga kjo ngjarje është cenuar dinjiteti jo vetëm i një personi, por i të gjithë shqiptarëve si shoqëri, nga kjo ngjarje u cenua dinjiteti i shtetit shqiptar dhe i Shqipërisë në opinionin e huaj, nga kjo ngjarje u cenua i tërë shërbimi ynë diplomatik, tha Kadilli.

Plani i hetimit

Një nga detyrat kryesore të komisionit të hetimit është të mbledhë dëshmi, prova shkresore, dokumente zyrtare, pamje, ku të tregohet se si u kap për veshi Egin Ceka.

Në bazë të këtyre të dhënave, komisioni hetimor, duke iu referuar kodit të procedurës penale, për të plotësuar dhe dokumentuar hetimin do të thërrasë për të dëshmuar edhe ekspertë.

Në pikën 4 të planit të hetimit nuk thuhet lloji i ekspertit që të do thirret për të plotësuar hetimet, por duke nisur nga objekti i hetimit që është veshi, i bie të jenë ekspert i  shkuljes dhe zgjatimit të këtij organi të trupit të njeriut. Kështu, sipas planit të miratuar, deri më 12 maj, komisioni do të ketë përfunduar mbledhjen e të gjitha fakteve dhe dëshmive për veshin e Egin Cekës, e më pas për tre ditë do të mblidhet për të përpunuar të dhënat e grumbulluara për ti paraqitur më 15 maj.

Komisioni hetimor i veshit do të marrë 5 ditë kohë për të përpunuar të gjitha të dhënat e grumbulluara dhe për ta përpiluar raportin e hetimit.

Drejtimet e hetimit

Kreu i komisionit të veshit, Kadilli, tha se në vazhdim të analizës së fakteve, me qëllim saktësimin e të dhënave, verifikimin e autenticitetit të tyre, të identifikimit të masës reale të pasojave që ka sjelle kapja e veshit të Egin Cekës, temat e hetimit do të jenë.
Verifikimi dhe hetimi i fakteve dhe i të gjithë dokumentacionit përkatës, i cili do të ndihmojë komisionin në hetimin e plotë të këtij incidenti të rëndë, qëndrimi i mbajtur nga përfaqësuesit diplomatik të shtetit shqiptar pjesëmarrës në aktivitet, roli dhe sjellja e tyre në incidentin e datës 24 prill 2013. Sjellja dhe veprimtaria e z. Edi Rama, në incident si dhe qëndrimi i mbajtur nga përfaqësuesit diplomatik të shtetit shqiptar në raport me këtë ngjarje,
thuhet në planin e masave të hetimit të Kadillit.

Veprimet hetimore

Komisioni i hetimit të veshit ka përcaktuar edhe mjetet e kërkimit të provës dhe burimeve që do të mundësoje zbardhjen e plotë të ngjarjes në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Kështu  komisioni ka përcaktuar, seancë dëgjimore me personat e përfshirë në mënyre të drejtpërdrejtë ose që kanë dijeni për  ngjarjen. Anëtarët e komisionit të veshit do të bëjnë administrimin e dokumenteve zyrtare apo dhe shpresave që sjellin informacion mbi këtë ngjarje.

Ndërsa në cilësinë e provës materiale do të merren të gjithë deklarimet publike të bëra gjatë gjithë këtyre ditëve se si u shkul veshi i pinjollit Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›