Komisioni i Edukimit thërret në interpelancë ministrin Pollo
Deputetët kanë bërë publike sot se duan në interpelancë në Kuvend Ministrin e Arsimit dhe Shkencës z.Genc Pollo. Dy çështjet kryesore për të cilat do të raportojë kanë të bëjnë me situatën në shkolla dhe statusin e profesorit. Ministri Pollo ka refuzuar tre herë të paraqitej në komisionin parlamentartë Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Komisioni vendosi me konsensus që të thërrasë në interpelancë parlamentare ministrin e Arsimit.
Kryetarjae këtij komisioni Valentina Leskaj ka deklaruar sot për mediat se ‘me mosardhjen e tij ministri ka shkelur e dhunuar respektin ndaj institucioneve dhe parlamentit’. Leskaj tha gjithashtu se ‘motivet e mungesës së tij nuk janë të qënësishme për të anashkaluar komisionin’. Por edhe kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, njëkohësisht anëtar i Komisionit e ka quajtur ‘jonormale’ mosparaqitjen e tij për tre herë radhazi. “ Uroj që arsyet e ministrit të Arsimit të kenë qenë arsye objektive dhe të qënësishme, pasi komisioni nuk mund ta vazhdojë debatin si monolog, pa qenë prezent ministri”- u shpreh Patozi.
Dy çështjet për të cilat është thirrurr Pollo lidhen me shkelje ligjore. Veçanërisht ‘statusi i profesorit’, pasi ende nuk janë nxjerrë akte nënligjore në ligjin “Për arsimin e lartë”, i miratuar një vit më parë.