Mazhoranca kalon pa miratimin e opozitës ligjin e legalizimeve
Pavarësisht disa lëshimeve të bëra në këto pika nga mazhoranca, sërish opozita ka dalë kundër shpërndarjes së titujve të pronësisë nga pushteti vendor. Bëhet fjalë për nenin 7 të projektligjit, ku thuhet se brenda 60 ditëve pushteti vendor të bëjë kualifikimin e dokumentacionit të vetëdeklarimeve të subjekteve që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, pothuajse në të gjitha nenet e tjera të këtij drafti kompetencat që në ligjin bazë i ishin përcaktuar qeverisjes vendore i kalojnë Agjencisë së Urbanizimit dhe Legalizimit të Zonave Informale. Kjo është kundërshtuar fort gjatë seancës së djeshme nga deputetët e opozitës, të cilët e kanë konsideruar këtë si në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për Pushtetin Vendor. Diskutimi i djeshëm ka nisur përsëri me nenin 7 të projektligjit, ku e vetmja pikë për të cilën të dyja palët ranë dakord ishte ajo për ndryshimin e germës “c” të këtij neni, sipas propozimit të opozitës, ku përcaktohet se “ALUIZNI në bashkëpunim me njësinë e qeverisjes vendore i propozon KRRT apo KRRTRSH për miratim kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara për urbanizimin e tyre”. Ndërkohë që një tjetër nen, për të cilin palët ranë në konsesus ishte edhe ai me numër 12, ku u përcaktua se “Zyra rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompensojnë subjektet brenda 3 muajve në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve”. Ndërkohë që për nenet e tjera të paraqitur nga mazhoranca përfaqësuesit e majtë në komision kanë votuar kundër, me argumentin se ato nuk reflektojnë asnjë prej sugjerimeve të presidentit dhe të grupeve të interesit
Kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi dhe deputeti socialist, Pilo Keri, kanë paraqitur në emër të opozitës një material me propozime të detajuara, të cilat preknin një sërë nenesh, ku natyrisht ata pretendonin se ishin prekur kompetencat e pushtetit vendor. Bufi ka propozuar që të hiqet nga drafti propozimi për shfuqizimin e neneve 11 dhe 14 të ligjit bazë, pasi, sipas tij, kjo sjell shmangien nga vendimmarrja të KRRT në përcaktimin e kufirit të bllokut informal. Gjithashtu, ai ka kërkuar ndryshimin e nenit 13, duke hequr fjalën “Në drejtorinë rajonale të ALUIZNI” për të rivendosur “në zyrën e urbanistikës”, pasi në të kundërt nga vetë përmbajtja e tij është evident përthithja e kompetencave vendore nga ALUIZNI, propozim, i cili është hedhur poshtë nga shumica. Një ndërhyrje tjetër e Bufit ka qenë edhe ajo për nenin 14, ku thuhet se “ALUIZNI me vendim të Këshillit të Ministrave ngarkohet të kryejë procedurat për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje”. “Ne nuk jemi dakord me këtë, se ALUIZNI nuk ka kompetenca për shitjen e pronës shtetërore, aq më tepër kur ajo hynë në juridiksionin e qeverisjes vendore”, - tha Bufi. Gjithsesi, të gjitha këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga përfaqësuesit e shumicës, të cilët nuk kanë ngurruar ta cilësojnë qëndrimin e pakicës si politik. Menjëherë pas mbledhjes dy drejtuesit e komisionit, kryetari, Ylli Bufi dhe nënkryetari, Rexhep Uka, i kanë deklaruar të dështuara përpjekjet për konsesus.