E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë: AMF të përshpejtojë paketën ligjore në sektorin e sigurimeve

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat i Kuvendit diskutoi sot projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2025”, duke përcaktuar edhe prioritetet kryesore të institucionit për vitin 2026.

Relatorja e çështjes, deputetja Antoneta Dhima, vlerësoi punën e AMF-së gjatë vitit 2025 dhe paraqiti rekomandimet e Komisionit për forcimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes financiare dhe përshpejtimin e procesit të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.

Dhima theksoi se Komisioni kërkon që gjatë vitit 2026 AMF të përshpejtojë miratimin e paketës ligjore në sektorin e sigurimeve, veçanërisht për sigurimet në sektorin e transportit, në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

“Komisioni kërkon që AMF të avancojë me zbatimin e udhërrëfyesit për kapitalin, sipas standardeve të BE-së, menaxhimin e riskut dhe testet e rezistencës, si dhe të vijojë reformën për forcimin e aftësisë paguese dhe qëndrueshmërisë financiare të institucioneve të sigurimit”, u shpreh Dhima.

Sipas saj, një tjetër prioritet është zbatimi i regjimit të ri prudencial përmes investimeve në sistemet e raportimit dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të stafit, në përputhje me standardet europiane.

Në rekomandimet e miratuara përfshihet edhe përgatitja e tregut për përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe raportimit financiar, me synim rritjen e transparencës së pasqyrave financiare në tregun e sigurimeve.

Komisioni kërkon gjithashtu zhvillimin e produkteve të sigurimit për mbrojtjen e sektorëve të bujqësisë dhe ndërtimit nga katastrofat natyrore, duke analizuar modelet më të mira ndërkombëtare për zgjerimin e këtyre produkteve në treg.

Ndër prioritetet e tjera janë zhvillimi i tregut të kapitaleve dhe diversifikimi i instrumenteve financiare, përshpejtimi i punës për një ligj të ri për tregun e kapitaleve në përputhje me legjislacionin e BE-së, si dhe avancimi i projektligjeve për investimet kolektive dhe administrimin e fondeve alternative.

Po ashtu, Komisioni kërkon forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit të AMF-së, rritjen e masave të monitorimit dhe parandalimit të riskut, si dhe investime në sisteme më të avancuara mbikëqyrjeje për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të rritur transparencën në tregjet financiare.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›