Tabaku: Shteti, sekser i pronave në interes të pakicës

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj sot në Kuvend foli në lidhje me vendimin e fundit të qeverisë për të dhënë për ndërtim dy godina dhe prona qeveritare në zona me vlerë për t’u ndërtuar pallate.
Tabaku u shpreh se, angazhimi i shtetit si një sekser, në një kohë kur ai duhet të mendonte si të incentivonte ekonominë, prodhon një vizion ekonomik të cunguar që fokusohet vetëm tek ndërtimi.
Tabaku analizoi dhe rritjen ekonomike të vendit, që ka qenë me fokus tek ndërtimi, por që në fund të ditës nuk ka prodhuar veçse një rritje ekonomike për pakicën ndërkohë që shumica e shqiptarëve nuk përfitojnë. Ajo solli në vëmendje se shqiptarët kanë të ardhurat më të ulëta për frymë në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, sipas saj, fokusi tek një shtet sekser nuk prodhon një ekonomi më të mirë për shqiptarët, por për një pakicë.
“Ditët e fundit jemi njohur me një vendim i cili në fakt bëri shumë çudi. Me vendimin që qeveria shqiptare tashmë përveç gjithë bizneseve të tjera që kryen, ka filluar të bëhet dhe seksere trojesh, filloi të japë edhe lejet për pronat publike të cilat tashmë po i jep për zhvillim. Në një vend normal, në një shtet normal kjo do ishte një pikëpyetje e madhe për të gjithë, në një vend ku ashtu siç e kemi diskutuar me kohë dhe aty ku ndërtimi fatkeqësisht është kthyer në një biznes kryesor ku pastrohen paratë e krimit të organizuar, ku pastrohen paratë e korrupsionit kjo ngre një pikëpyetje shumë të madhe”, tha Tabaku.
Duke folur për investimet e huaja, Tabaku u shpreh se, “22% e të gjithë investimeve të huaja direkte sot shkojnë në sektorin e ndërtimit që është kthyer sektori që pastron më shumë para, ka një pikëpyetje të madhe, të jashtëzakonshme se çfarë po ndodh sot me ndërtimin në Shqipëri. Kush është modeli ekonomik që sot po promovojmë, kush është modeli ekonomik që sot po nxisim dhe nga do të vijë rritja ekonomike për Shqipërinë?”
“Pak vite më parë u ndërtua Korporata e Investimeve, një korporatë që shumë këtu nga ne e kundërshtuan dhe një korporatë që besoj që në asnjë vend tjetër normal nuk kishte sesi të funksiononte. Korporata e Investimeve mbas 4 vitesh mori vetëm paga dhe vegjetoi duke mos kryer asnjë shërbim, pak javë më parë mori 28 prona publike në pronësi të saj dhe 198.000 m2 ndërtim. Këto prona publike, por njëkohësisht dhe këto institucione publike sepse janë institucione publike, kanë filluar Korporata e Investimeve t’i japë pak e nga pak për të ndërtuar”, u shpreh më tej Tabaku.
Sipas saj, “Ligji i Korporatës së Investimeve nuk duhet të kishte ekzistuar, ligji për investimin strategjik nuk duhet të kishte ekzistuar, ligje të cilat lidhen me sektorë preferencialë që prekin individë nuk duhet të ekzistojnë, as të jenë pjesë e diskutimit. Sepse kjo ligjbërja me porosi dhe korrupsioni me porosi që vjen e formalizohet këtu në Parlament, fatkeqësisht e ka mbytur ekonominë dhe po prodhon sot këtë model shterpë, ku të ardhurat e shqiptarëve janë sa 34% e të ardhurave të një qytetari në BE, por njëkohësisht janë të fundit në rajon në Ballkanin Perëndimor”.
/r.e/