Komisioni i Ekonomise miraton heqjen e tatimit per pagat deri 30 mije leke
Mes debateve të mazhorancës dhe opozitës, Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi heqjen e tatimit nga pagat deri në 30 mijë lekë. Ndonëse ishin prezentë në sallë, deputetët socialistë nuk morën pjesë në votim duke akuzuar demokratët për mungesë koherence.
Në emër të PS, Erjon Braçe deklaroi se propozimi është shumë i ngjashëm me atë të paraqitur pak muaj më parë në Parlament nga partia e tij, por që u hodh poshtë nga mazhoranca.
Të djathtët replikuan duke e quajtur projktligjin një vazhdimësi të politikave të qeverisë. Sherefedin Shehu i Partisë Demokratike tha se heqja e tatimit për pagat deri në 30 mijë lekë nuk bie ndesh me filozofinë e taksës së sheshtë. Sipas Shehut, vetë taksa e sheshtë ka një progresivitet në vlerën e paguar.