Komisioni i Jashtëm miraton dy marrëveshje të rëndësishme në kuadër të anëtarësimit në NATO
Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme shqyrtoi dhe miratoi sot dy marrëveshje të rëndësishme që lidhen me plotësimin e kuadrit ligjor shqiptar në kuadër të anëtarësimit në NATO.
Fillimisht, anëtarët e komisionit morën në shqyrtim projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e NATO-s Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes. Kjo marrëveshje ka për qëllim fuqizimin e aftësive mbrojtëse individuale ose kolektive të Palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut sipas programeve kombëtare, dy palëshe apo shumëpalëshe, apo në vënien në jetë të projekteve kërkimore, projekteve të zhvillimit, prodhimit apo projekteve logjistike të NATO.
Marrëveshja parashikon ngritjen e një komiteti këshillimor, të përbërë nga përfaqësues të qeverive dhe organizmave të NATO, për të hetuar dhe për të shqyrtuar provat si dhe për tu raportuar palëve të interesuara për origjinën, natyrën dhe qëllimin e dëmit.
Në vijim, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjelltë të teknologjive sekrete në fushën e mbrojtjes dhe për të cilat është bërë aplikimi i patentës. Kjo marrëveshje miratohet duke patur parasysh se kufizimet territoriale që rrjedhin nga ndalimi mund të shkaktojnë dëm ndaj aplikantëve për patenta e si rrjedhim mund të prekin në mënyrë të dëmshme bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve anëtare të NATO.
Pas shqyrtimit të dy projektligjeve, anëtarët e Komisionit të Jashtëm vlerësuan se Aderimi i Shqipërisë në këto dy marrëveshje do të mundësojë përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë përballë shteteve shteteve të tjera anëtare të NATO, si dhe përfitimin e përdorimit të informacioneve teknike të rezervuara në fushën e mbrojtjes.