E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton dy projektligje, PD rezerva për ligjin e ri të SHISH

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në mbledhjen e tij të radhës ditën e sotme, mori në shqyrtim në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi dy projektligje dhe më pas, në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi tri projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së tre institucioneve të pavarura përgjatë vitit 2025, si dhe zhvilloi seancë dëgjimore mbi raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për vitin 2025.

Fillimisht u shqyrtua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e projektligjit dhe përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin: Erjona Ismaili, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Monika Plasa, drejtoreshë e Departamentit të Administrimit dhe Shërbimeve Mbështetëse në SHISH, Amarda Dhima, drejtoreshë juridike në SHISH, etj.

Gjatë prezantimit, Ismaili u ndal tek nevoja për sjelljen e ndryshimit të ligjit aktual, qëllimin dhe risitë e projektligjit, për të cilin parashtroi se synon përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit, duke e përshtatur me zhvillimet bashkëkohore të sigurisë, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ndër të tjera Ismaili nënvizoi se ndryshimet nuk cenojnë misionin themelor të SHISH-it, por qartësojnë dhe modernizojnë dispozitat ekzistuese. Ministrja sqaroi më tej se projektligji synon të përditësojë dhe qartësojë kategoritë e kërcënimeve që janë objekt i veprimtarisë së tij, të rregullojë trajtimin financiar të drejtuesve, të forcojë mbrojtjen e informacionit, personelit dhe veprimtarisë operative, etj.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi shprehu rezerva ndaj ndryshimeve të propozuara, duke paralajmëruar se referimi ndaj “stabilitetit të brendshëm të vendit dhe atij rajonal” mund të krijojë hapësira për keqpërdorim politik.

Gjatë mbledhjes, Bylykbashi ngriti shqetësimin se këto ndryshime mund të shfrytëzohen në funksion të interesave politike të kryeministrit, ndërsa pyeti nëse ato rrezikojnë ta orientojnë SHISH-in drejt abuzimit politik.

Deputeti Olsi Komici, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e projektligjit dhe duke u ndalur tek kushtetueshmëria dhe përputhshmëria me Rregulloren, ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi dhe vijoi shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiran디.

Projektligji u prezantua nga Edona Bilali, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila bëri një përmbledhje të termave të marrëveshjes financiare, si dhe të përfitimeve të pritshme nga zbatimi i projektit që synon përmirësimin e sektorit energjetik të kryeqytetit. Bilali detajoi se projekti parashikon ndërtimin e nënstacionit të shpërndarjes së energjisë elektrike 110/20 KV në qendër të kryeqytetit, çka do të sjellë përmirësim të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët. Relatori i çështjes, deputeti Ani Dyrmishi, vlerësoi kushtetueshmërinë dhe përputhshmërinë me legjislacionin për marrëveshjet ndërkombëtare.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe miratimin e tri projektrezolutave: “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2025”; “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025” dhe “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.

Pika e fundit e rendit të ditës ishte seanca dëgjimore mbi Raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për vitin 2025. Raporti u paraqit nga Evgjeni Bashari, Inspektore e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, e cila bëri një përmbledhje të veprimtarisë së institucionit përgjatë vitit 2025 në lidhje me përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi në Rezolutën e vitit të kaluar, rekomandimeve të lëna në kuadër të procesit të integrimit European, në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me strukturat e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit, prioritetet e punës për vitin 2026, etj.

Duke u ndalur në punën e ILDKPKI-së për mbështetjen e procesit të rivlerësimit kalimtar Bashari informoi se janë verifikuar në një kohë sa më të shkurtër 117 kandidatë të cilët kanë shprehur interes për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Më tej Bashari informoi se për periudhën raportuese i janë nënshtruar kontrollit të plotë 655 subjekte dhe në përfundim të procedurave administrative janë referuar pranë organeve ligjzbatuese 16 raste si dhe janë aplikuar rreth 75 masa administrative me gjobë. Bashari nënvizoi se institucioni ka bërë progres sa i përket rasteve të vetëdeklarimeve. Sipas saj gjatë vitit 2025, shkalla e përmbushjes në afat të detyrimit për deklarim nga subjektet përkatëse ka qenë 99,3%, duke konfirmuar funksionimin efektiv të mekanizmave të ILDKPI. Duke u ndalur në masat e marra për monitorimin e zbatimit të ligjit për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, Bashari informoi se janë ngritur 185 Njësi Përgjegjëse në sektorin publik dhe 526 Njësi Përgjegjëse në sektorin privat.

Deputeti Damian Gjiknuri, në cilësinë e relatorit të raportit, vlerësoi punën e bërë nga ILDKPKI për vitin 2025 në administrimin e deklarimit të pasurive, kontrollin e konfliktit të interesave, forcimin e rolit monitorues në zbatim të ligjit për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, mbështetjen e procesit të vettingut, etj, si dhe paraqiti disa rekomandime për përmirësimin e punës në vijim. Më pas Bashari iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve lidhur me aksesin në database, procesin e vetëdeklarimit, zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit, etj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›