Komisioni i Medias nis procedurën për shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa kërkoi nisjen e procedurës për shkarkimin e 9 anëtarëve të mbetur të Këshillit Drejtues të RTSH.
Zhupa tha se, kryesia e komisionit vlerëson se veprimtaria e Këshillit Drejtues të RTSH është në shkelje të plotë të kuadrit ligjor për funksionimin e transmetuesit të vetëm publik në vend dhe ndodhen në kushtet e shpërdorimit te detyrës dhe mandatit të dhënë nga Kuvendi.
Bazuar në nenin 115 të Rregullores së Kuvendit, Zhupa ftoi të vihet në lëvizje ky nen për shkarkimin e anëtarëve të organit të krijuar me ligj.
Zhupa kërkoi diskutimin dhe miratimin e raportit që paraqiti për të vazhduar hapjen e procedurës dhe për t’iu drejtuar kryetares së Kuvendit për shkarkimin e 9 anëtarëve të mbetur të Këshillit Drejtues, kryetarin dhe 8 anëtarët e tjerë pasi 2 anëtarë kanë dhënë dorëheqjen tashmë.
Kryetarja e komisionit, tha se Këshilli është institucioni më i lartë për menaxhimin e RTSH-së dhe ata e zgjedhin drejtorin e Përgjithshëm. “Nuk mund të fshihen pas faktit se një drejtor bëri këto zgjedhje pasi kishin të drejtën ta shkarkonin atë drejtor nëse e kapnin në shkelje të ligjit”, theksoi Ina Zhupa.
Në raportin e paraqitur prej saj në komision u tha se, Komisioni i është drejtuar herë pas here, çdo vit me rezoluta, duke iu paraqitur shkeljet e vazhdueshme që kanë bërë si Këshill dhe vit pas viti nuk është marrë asnjë masë për të zbatuar rekomandimet e për të rregulluar shkeljet e gjetura nga komisioni, por kanë vazhduar në të njëjtën rrugë duke menduar se janë imunë nga ligji.
Zhupa foli për mungesën e paraqitjeve të raporteve vjetore për veprimtarinë.
“Ndër vite është konstatuar moszbatimi i të gjitha rezolutave të Kuvendit, gjithashtu në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar rekomandimin për të informuar Kuvendin në lidhje me prodhimet e porositura me fondin e prodhimit të pavarur”, tha Zhupa.
Gjithashtu, raporti rendit dhe mungesën e të dhënave në lidhje me veprimtarinë dhe përbërjen e Bordit të Administrimit, 1 ndër 3 organet drejtuese të institucionit dhe se RTSH-ja është gjetur me shkelje të rënda nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për aq raporte sa janë bërë publike.
Në fjalën e saj, zëvendëskryetarja e komisionit, deputetja e mazhorancës socialiste Evis Kushi tha se, nuk ka ndodhur me asnjë institucion që raporton në Kuvendin e Shqipërisë, që të mos prezantohet raporti vjetor.
“Këshilli Drejtues i RTSH-së është i vetmi që, me mungesë profesionalizmi apo me arrogancë, ka shmangur një detyrim ligjor. Ose nuk kanë prezantuar raportin, ose e kanë prezantuar me vonesë, gjithmonë, ose nuk ka ardhur drejtuesi”, tha Kushi, duke theksuar se nuk do të mund të gjendet një institucion tjetër që të mos ketë realizuar as edhe një rekomandim të Kuvendit.
Zëvendëskryetarja e Komisionit, Evis Kushi konfirmoi shkeljet e gjetura nga KLSH në 3 auditime, jo vetëm të institucionit por edhe për vetë Këshillin Drejtues.
“Është e qartë se Këshilli Drejtues i RTSH-së, duke qenë në shkelje të plotë të kuadrit ligjor, ka cenuar integritetin e imazhin e të vetmit transmetues publik në vend që funksionon me paratë e taksapaguesve”, tha Kushi.
Zv.kryetarja e komisionit nuk u ndal vetëm tek shkarkimi i të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, por hodhi idenë e rishikimit të kuadrit ligjor, për të bërë përmirësime në mënyrë që të parandalohen situata të tilla.
Mbështetje nisjes së procedurës për shkarkimin e Bordit Drejtues të RTSH-së i dhanë edhe te gjithë deputetët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë. /j.p/