E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Beci: Punime në 10 kantiere në Shkodër, ndërhyrje në infrastrukturën publike dhe zhvillimin urban

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha në aktivitetin “Projektet transformuese të Shkodrës”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, se Shkodra është përfshirë në një fazë ndryshimesh transformuese, jo vetëm për qytetin, por për të gjithë qarkun.

Takimi u mbajt për prezantimin e rilindjes së Muzeut të Kujtesës  si edhe rindërtimit të hapësirës përreth xhamisë së Shkodrës, dy projekte konkrete të arkitektit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, qilimit të gurtë të Zogajt si edhe hyrjes së re të Shkodrës, Jesus Hernandez.

Beci u shpreh se bashkë me kryeministrin kanë inspektuar në terren të gjitha kantieret që janë hapur, për të shqyrtuar nga afër një sërë punësh transformuese që po kryhen në këtë qytet.

“Me mbështetjen e plotë nga qeveria dhe kryeministri po hapim një faqe të re për qytetin tonë, për Shkodrën përmes ndërhyrjeve të mirëmenduara në infrastrukturën publike dhe zhvillimin urban. Aktualisht në Shkodër, po punohet në 10 kantiere dhe presim që shumë shpejt të hapim edhe kantiere të tjera”, pohoi ai.

Beci nënvizoi se gjatë takimit do të prezantohen disa propozime për projekte të rëndësishme për transformimin urban të Shkodrës, për të cilat bashkia ka punuar me përkushtim.

“Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës, i vendosur në qendër të qytetit, në godinën që ka shërbyer si ish-dega e brendshme. Ky vend do të shërbejë si një memorial dinjitoz për të gjithë ata që kanë vuajtur, duke i dhënë qytetit një hapësirë për të kujtuar historinë e tij të vështirë. Gjithashtu, do të kemi një muze për të gjithë vizitorët, ku do të studiohet dhe komunikohet e kaluara jonë në mënyrë intensive. Falënderoj kishën katolike, Misionin Franceskan dhe motrën Klarisë për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në këtë propozim”, pohoi Beci.

Sipas kryetarit të bashkisë së Shkodrës, “një tjetër projekt i rëndësishëm është sheshi i Xhamisë Ebu Bekër, që do të krijojë një hapësirë publike dinjitoze për besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës”.

“Ky projekt do të kombinojë objektin e kultit me hapësira publike dhe do të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e qytetit, përfshirë parkimin nën tokë dhe hapësira tregtare. Dëshiroj të falënderoj Myftininë e Shkodrës për bashkëpunimin në këtë projekt dhe për mundësinë që po na jep të zhvillojmë pronat e komunitetit në funksion të krijimit të hapësirave publike”, tha ai.

“Në bashkëpunim me arkitektin dhe tashmë mikun e Shkodrës Jesus Hernandez, jemi të sigurt se edhe në këto dy projekte, do të krijojmë hapësira të bukura dhe funksionale si në rastin e Marubit, Shirokës dhe në parkun e hyrjes, duke lënë një gjurmë të qëndrueshme në memorien e qytetit tonë”, vuri në dukje Beci në mbyllje të fjalës së tij. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›