Komisioni i Reformës Zgjedhore i mbyll të gjitha, përveç pikave të nxehta
Komisioni i reformës zgjedhore i ka mbyllur shumë nga çështjet e lëna pezull, duke lënë të hapura vetëm tre çështje, që në fakt janë edhe kyçe për mbylljen e reformës. Kështu komisioni i reformës zgjedhore ka miratuar kapitullin për administrimin e zgjedhjeve, por pa përfshirë këtu nenin se si duhet të përzgjidhet kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu është miratuar edhe pjesa e ankimimit postzgjedhor, duke lënë pa miratuar edhe këtu një nen, që lidhet me të drejtën e dy anëtarëve të KQZ për të kërkuar hapjen e materialeve zgjedhore. Po ashtu e pamiratuar ka mbetur çështja e numërimit elektronik. Tani që pjesa tjetër është mbyllur, ekspertët do fokusohen tek këto tre çështje. Eksperti i PS, Bledar Çuçi tha se ka shpresë që do ketë konsensus deri më 12 korrik, kur edhe mbaron mandati i komisionit të reformës zgjedhore.
Ndërkohë propozimi i partive të vogla për korrektimin e sistemit pritet të shqyrtohet nga ekspertët për të dhënë një përgjigje.