Kryeministri Berisha mirëpret anëtarët e rinj të kabinetit
“Besim të plotë te bashkëpunëtorët e mi”
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen anëtarëve të rinj të këtij kabineti, të cilët u betuan dje në Presidencë, duke nisur zyrtarisht detyrat e tyre në ekzekutiv. Berisha mirëpriti katër anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrave Tavo, Panariti, Haxhinasto dhe Noka. “Le të urojmë ne mirëseardhjen ne kabinet, ministrave te rinj, zotit Vangjel Tavo , në postin e ministrit të shëndetësisë, Edmond Panariti, në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i cili qëndron në postin e Zëvendëskryeministrit dhe merr detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, zotit Flamur Noka, Ministër i Punëve të Brendshme.
Me ketë rast dua të shpreh besimin tim se do të vendosim një bashkëpunim të shkëlqyer me këta zotërinj në detyrat që marrin, të promovojmë më thellë reformat e rëndësishme në këto fusha; të bëjmë gjithçka që diplomacia shqiptare në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të bëjë avokatinë më të shkëlqyer të interesit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptareve; të bëjmë gjithçka për një thellim të gjithanshëm të reformave ekonomike në një kohë të stuhishme për Evropën si dhe për sigurimin e jetës, veprimtarisë, pasurisë së qytetarëve shqiptare në mënyrë që Shqipëria të jetë një ndër vendet më të sigurta.
Unë kam besim të madh në aftësitë, përkushtimin, integritetin e bashkëpunëtorëve të mi të rinj, bashkëpunëtorëve tanë të rinj dhe duhet ti siguroj në vendosmërinë time për një bashkëpunim të ngushtë në interesin më të mirë të kësaj maxhorance, të shqiptarëve të vendit në tërësi. Këta zotërinj janë me fat sepse në mbledhjen e parë të qeverisë sot, merret një nga vendimet më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, rritja e rrogave dhe pensioneve. Ky vendim është një realizim i politikës së kësaj mazhorance për pagat dhe pensionet. Ky vendim bëhet edhe dy herë më i rëndësishëm për kohën në të cilën merret ky vendim. Shqipëria mund të listohet ndër më të paktat vende të kontinentit dhe më gjerë që rrit ndjeshëm pagat dhe pensionet e qytetarëve të saj. Ky vendim është një shpërblim i merituar në 100 vjetorin e pavarësisë për 820 mijë familje shqiptare”, vuri në dukje kryeministri Berisha.