E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Shërbimit Civil paraqet raportin vjetor në Komisonin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Komisioni i Shërbimit Civil raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, veprimtarinë e këtij institucioni përgjatë vitit 2009. Kryetarja e këtij institucioni, Mimoza Hysenaj theksoi kontributin e KSHC-së në garantimin e stabilitetit, mbrojtjen e të drejtave dhe respektimin e detyrimeve të nëpunësve civil. Temë e rëndësishme e diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ishte edhe problemi mbi mosmarrëveshjet midis anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil dhe kryetares së këtij institucioni, çka ka sjellë edhe pengimin e procesit të vendimarrjes së KSHC. Pasi dëgjuan tre anëtarët e KSHC si dhe kryetaren e këtij institucioni, anëtarët e Komisionit të Ligjeve, ngritën shqetësimin mbi problematikën që shkakton mungesa e kolegjialitetit në dhënien e vendimeve përkatëse, e cila reflekton dhe në mosfunksionimin e KSHC. Në këtë kontekst, anëtarët e Komisionit të Ligjeve theksuan se performanca e KSHC përgjatë vitit 2009 ka qenë larg funksioneve të veta ligjore dhe objektivave për mbikqyrjen. Në vijim, anëtarët e Komisionit të Ligjeve drejtuan disa pyetje në të cilat kërkuan ecurinë e parimit të kolegjialitetit, arsyet e mosrënies dakord midis anëtarëve si dhe problematikat që kanë penguar veprimtarinë e këtij institucioni. Pas diskutimeve dhe pyetjeve ndaj anëtarëve të KSHC, Komisioni i Ligjeve shqyrtoi edhe projektrezolutën lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2009. Në këtë projektrezolutë, Komisioni i Ligjeve nënvizon rëndësinë që ka zhvillimi i reformave në administratën publike, rritjen e performancës profesionale dhe efiçente të këtij institucioni përsa i përket ankesave të nëpunësve civile si dhe mbikqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil në nivelin qendror dhe lokal. Përmes projektrezolutës Komisioni i Ligjeve i rekomandon Kuvendit shkarkimin në bllok të të gjithë anëtarëve të KSHC-së. Gjithashtu, në projektrezolutë Komisioni i Ligjeve kërkon ndërprerjen e menjëhershme të konflikteve të brendshme dhe risjelljen e normalitetit në funksionimin e këtij institucioni. Komisioni i Ligjeve miratoi projektrezoluten dhe e kaloi atë për miratim në seancën plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›