E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i ligjeve miraton unanimisht projektligjin për Të Dhënat Gjeohapësinore në Republikën e Shqipërisë

Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore miratoi sot unanimisht në parim dhe nen për nen projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore në Republikën e Shqipërisë”.

Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, z. Genc Pollo i pranishëm në mbledhjen e komisionit tha ndër të tjera se projektligji i propozuar i është nështruar një procesi të gjerë konsultimi me ministritë, institucioneve të linjës, këshillave të qarqeve dhe bashkive të vendit, të cilat kanë dhënë mendimet e tyre dhe kanë evidentuar domosdoshmërinë e miratimit të këtij projektligji sa më shpejt.

Ministri Pollo informoi shkurtimisht anëtarët e komisionit të ligjeve për impaktin që do të sjellë ky projektligj në punën e institucioneve që prodhojnë dhe përdorin të dhëna gjeohapësinore, në krijimin e një baze të sigurt dhe të gjerë informacioni gjeohapësinor që ngre në një nivel më të lartë qeverisjen elektronike, si dhe për impaktin që ka implementimi i këtij ligji në arritjen e standardeve evropiane në këtë fushë.

Projektligji vjen në vijim të miratimit nga Këshilli i Ministrave të Dokumentit të Politikave ”Për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore”. 

Përmes këtij projektligji, adresohen hapat kryesore në ndërtimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore, duke përcaktuar rregullat bazë që lidhen me krijimin, përditësimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave gjeohapësinore dhe të metadatave përkatëse, me ndërveprueshmërinë e grupeve dhe shërbimeve të të dhënave gjeohapësinore, shkëmbimin e të dhënave ndërmjet autoriteteve publike, aksesin e publikut tek informacioni gjeohapësinor dhe kufizimet e aksesit, në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian për ndërtimin e infrastrukturës së të dhënave hapësinore (INSPIRE), si dhe ngrihet struktura kombëtare e të dhënave gjeohapësionre me autoritetet përkatëse.

Në fund të mbledhjes, të gjithë deputetët e pranishëm edhe nga opozita e miratuan unanimisht projektligjin.


19/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›