E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Stabiliteti ekonomik i vendit dhe ruajtja e rritjes ekonomike, rezultat tërësor i reformave të thella të ndërmarra nga qeveria

-          - Gjatë 4 muajve të parë të këtij viti, investimet  e huaja janë rritur me mbi 20 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

-         -  4 mujori i parë i këtij viti pati një shtim prej 420 biznesesh të reja të licencuara vendi dhe të huaja, duke shënuar kështu një shtim të ndjeshëm të sipërmarrjes së lirë.

-       - Do të bëjmë gjithçka që partneriteti publik, privat të shndërrohet në një Levë të vërtetë Arkimedi për zhvillimin e vendit dhe shumëfishimin e fuqisë zhvilluese ndërtuese të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha u fokusua sot tek ekonomia dhe zhvillimet e saj, gjatë mbledhjes së rradhës së Këshillit të Ministrave. Kryeministri theksoi se një ndër treguesit e rëndësishëm i cili dëshmon vitalitetin, dinamizmin dhe progresin e ekonomisë shqiptare është rritja e ndjeshme  e investimeve të huaja në vend, të cilat 4 muajt e parë të këtij viti u rritën me mbi 20 % krahasuar me 4 muajt  e parë të një viti më parë.

Duke vlerësuar se kjo rritje përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme, në vend, kryeministri theksoi se ajo është dëshmi e rritjes së besimit tek Shqipëria dhe ekonomia e saj, si dhe dëshmi e ekzistencës së një klime miqësore ndaj biznesit dhe krijimit të garancive ligjore që kërkohen në mënyrë që projektet e huaja të zhvillohen në Shqipëri.

Kryeministri tha se me rritjen e investimeve të huaja në vend, është rritur në mënyrë proporcionale dhe të ndjeshme edhe punësimi i qytetarëve shqiptarë, i cili përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Kryeministri theksoi se ekonomia dhe reformat e saj, liria ekonomike dhe zgjerimi i saj do të mbeten objektivat më madhore të qeverisë edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst,  kryeministri ftoi që të shqyrtohen të gjitha mundësitë dhe mënyrat, si dhe të përcaktohen masat që do të merren për të konsoliduar më tej liritë ekonomike, në mënyrë që pasuritë e vendit të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë.

Duke vlerësuar se koncesionet në fushën e energjetikes janë nga sukseset më të mëdha në historinë e vendit, kryeministri u shpreh se qeveria do të bëjë gjithçka që ky sukses të jetë prezent edhe në fusha të tjera, duke bërë që partneriteti publik, privat të shndërrohet në një Levë të vërtetë Arkimedi për zhvillimin e vendit dhe shumëfishimin e fuqisë zhvilluese ndërtuese të Shqipërisë.

Duke u ndalur në suksesin e arritur në reformat në fushën e telekomunikacionit, kryeministri premtoi se shumë shpejt të rinjtë shqiptarë do të lundrojnë falas në internet, duke  e bërë Shqipërinë, ndoshta të vetmin në botë, ose ndër të paktët në botë që do të japë internet falas.

Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje, kryeministri Berisha u shpreh:

“Sërish kryefjala  e mbledhjes së sotme do të jete ekonomia dhe zhvillimet  e saj. Ka dy të tregues që dëshmojnë për vitalitetin, dinamizmin, progresin e ekonomisë shqiptare. Njëri nga këta tregues dëshmon se 4 muajt e parë të vitit investimet  e huaja ne Shqipëri u rritën me mbi 20 %, krahasuar me 4 muajt e parë të vitit të kaluar. Kjo e dhënë është inkurajuese. Rritja  e investimeve te huaja në vend përbën një nga lajmet më pozitive, një nga zhvillimet me te rëndësishme, është dëshmi e rritjes së besimit tek Shqipëria dhe ekonomia e saj, është dëshmi e krijimit të një klime miqësore ndaj biznesit, është dëshmi e krijimit të garancive ligjore dhe te tjera që kërkohen në mënyrë që projektet  e huaja të zhvillohen në Shqipëri. Por mbi të gjithë është tregues i një punësimi në rritje të shqiptarëve. Me fluksin në rritje të investimeve te huaja është tërësisht e sigurtë se rritet në mënyrë proporcionale dhe të ndjeshme punësimi i qytetarëve shqiptarë.

Sipas Qendrës Kombëtare te licencave dhe lejeve, 4 mujori i parë i këtij viti pati një shtim prej 420 biznesesh të reja të licencuara vendi dhe të huaja, pra pati një shtim të ndjeshëm të sipërmarrjes së lirë. Analistët preferojnë ta lidhin këtë me kthimin e emigrantëve. Nuk përjashtohet mundësia që biznese nga vendet fqinje të transferohen në Shqipëri. E rëndësishme është se këto biznese transferohen dhe hapen në Shqipëri se në vend ka një klimë miqësore ndaj biznesit ndaj dhe janë të  mirëpritur dhe të sigurtë se do të bëjmë gjithçka për sigurimin e biznesit të tyre. Një vlerësim i ditëve të fundit që ju bë ekonomisë shqiptare u shpreh për stabilitet të saj, ndërkohë që ky stabilitet është i pakët në shumicën e ekonomive të tjera.

Zotërinj ministra,

Në axhendën tonë ka qenë dhe do të mbetet ekonomia dhe reformat  e saj, liria ekonomike dhe zgjerimi i saj, kushtet, objektivat më kryesorë të veprimtarisë sonë, ndaj dhe ju ftoj të shqyrtojmë me seriozitetin më të madh në fushën ku ne operojmë se çfarë masash të reja do të marrim për të zgjeruar më tej lirinë ekonomike, se çfarë masash të reja do të marrim për të konsoliduar më tej liritë ekonomike, çfarë do të bëjmë ne që pasuritë  e mëdha të këtij vendi të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë.

Koncesionet në fushën e energjetikes janë nga sukseset më të mëdha në historinë e një vendi, por si do ja dalim ne me koncesione në fushat  e tjera të shënojmë të njëjtin sukses. Të mos harrojmë se sot në HEC janë  të punësuar me mijëra qytetarë shqiptarë dhe çdo javë pothuajse një HEC i ri hyn në funksion, por çfarë duhet të bëjmë ne në çdo fushë që partneriteti publik, privat të shndërrohet në një Levë të vërtetë Arkimedi për zhvillimin e vendit dhe shumëfishimin e fuqisë zhvilluese ndërtuese të Shqipërisë. Nuk duhet të hezitojmë në asnjë rast.

Duhet të bëjmë gjithçka për të lehtësuar më tej veprimtaritë e biznesit. Është biznesi, veprimtaria e tij, faktori më përcaktues në përballjen me sukses nga Shqipëria me njërën nga krizat më të rënda që njerëzimi ka njohur ne 80 vitet  e fundit. Kjo krizë shumëplaneshe do të vazhdojë ndaj dhe është në detyrimin tonë të shqyrtojmë çdo aspekt të saj për t’iu përgjigjur me masa të përshtatshme që mbrojnë Shqipërinë nga recensioni, që garantojnë në Shqipëri rritjen ekonomike. Rritja ekonomike duhet të jetë qëllimi më kryesor i të gjithë veprimtarisë sonë dhe ka qenë i tillë. Faktikisht me gjithë ndikimet  e pamohueshme të krizës së euros, të krizës së rajonit, të krizës globale, rritja në Shqipëri ka mbetur 4 herë më e madhe se sa rritja mesatare e rajonit. Por potencialet janë më të mëdha dhe le të bëjmë gjithçka që atë sukses që kemi arritur në fushën e energjetikes, ta shënojmë dhe në fusha të tjera me partneritetin publik, privat.

Natyrisht në këtë proces ndikimi i krizës globale dhe evropiane është i pashmangshëm . Çmimet kanë një rënie për shkak të rënies së tyre të ndjeshme ne Evropë dhe më gjerë, por në Shqipëri ka dhe një faktor tjetër të rëndësishëm, rritjen e prodhimit, sidomos në fruta zarzavate dhe sektorë të tjerë.

Ky stabilitet ekonomik, dua të theksoj dhe ruajtja  e rritjes ekonomike janë rezultat tërësor i reformave të thella që ka ndërmarrë qeveria, janë rezultat i investimeve kolosalë qe ka bërë qeveria në infrastrukturën e vendit. Çdo rrugë që hapet është kanal mushkëror i tregut, i lëvizjes së energjisë së tregut, i vlerësimit dhe rivlerësimit të aseteve të asaj zone dhe atij vendi. Çdo sistem ujor që ndërtohet përmirëson kushtet e jetës së qytetarëve të asaj zone dhe bën atë më të jetueshme më të përshtatshme.

Suksesi i reformave në telekomunikacion ka bërë që shqiptarët të kenë një shërbim bashkëkohor në fushën  e telekomunikimit dhe ata janë dëshmitarë në qoftë se tre katër  vite më parë paguanin sa “frëngu pulën” impulsin, ndërsa sot i kanë harruar ato çmime të larta. Sot paguajnë tre, katër dhe në ndonjë rast pesë herë më pak. Në qoftë se pak vite më parë penetrimi i telefonisë celulare ishte 30 % sot është 180 %, ka një nga nivelet më të larta në Evropë. Interneti nga 4.8 %, sot është mbi 60 % dhe së shpejti qeveria do të bëjë të mundur që çdo i ri shqiptar dhe jo vetëm te rinjtë, por ata kanë imagjinatën më të madhe, pra çdo i ri të mund të lundrojë falas në internet. Do të hapen edhe 1200 qendra të tjera interneti falas, çka do të thotë ne do të bëhemi ndoshta i vetmi në botë, ose ndër të paktët në botë që do të japim internet falas dhe këtë e bëjmë për rininë shqiptare, e bëjmë që ata të mund të lundrojnë në universin pafund të internetit edhe kur nuk kanë mundësi financiare për të paguar tarifat e tij, por natyrisht siç bëmë të harrohen çmimet e shtrenjta të telefonisë celulare i garantoj shqiptarët se shumë shpejt do të harrojnë çmimet  e larta dhe të paarsyeshme të internetit të cilat paguajnë sot ata në shtëpitë e tyre.

Qeveria po bën të gjitha përgatitjet për ti dhënë përgjigjet përfundimtare të gjitha këtyre problemeve në interes të qytetarëve shqiptare. Mund tu them se janë fatlum që këto reforma , rezultate e tyre nuk mund të bllokohen, nuk mund të bllokohen se nuk janë me tre të pestat, sepse siç është bërë  e qartë tani për të gjithë shqiptarët zoti Rama përdor tani 1/5 për të bllokuar të gjithë vendin, pasi në konceptin e tij konsensus do të thotë bllokim ,por këto janë jashtë kësaj sfere të ngushtë që kërkojnë tre të pestat, ndaj dhe ecin, sulmohen por prapë ecin. Janë të shkruara në memorien e mediave sulmet që janë bërë në koncesionet e energjisë, ndërkohë që ato shkëlqejnë më shumë me suksesin  e tyre, punësojnë çdo ditë e më shumë me qindra e mijëra shqiptarë, dhe me e rëndësishmja është se për ata që vinë pas nesh dhe për veten tonë po hedhim bazat  që shqiptarët të marrin energji me çmimet me te arsyeshme, me çmimet më të ulëta se të tjerët, pasi dihet se energjia e ujit ka koston më të ulët nga të gjithë të tjerat.


20/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›