E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskuton projektligjin Për një ndryshim në ligjin Nr. 7926, datë 20.4.1995 Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, si dhe projektligjin Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore t

Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori sot në shqyrtim projektligjin Për një ndryshim në ligjin Nr. 7926, datë 20.4.1995 Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, si dhe projektligjin Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara.

Projektligji Për një ndryshim në ligjin nr. 7926, datë 20.4.1995 Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, për të cilin Komisioni i Ekonomisë është përgjegjës, synon të sigurojë mirëmenaxhimin e të ardhurave të shoqërive aksionere me kapital shtetëror, duke pasur parasysh se Ministria e Financave ka një rol të rëndësishëm në politikat e zhvillimit ekonomik.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, sqaroi se qëllimi i këtij projektligji është monitorimi nga kjo Ministri e mirëmenaxhimit të shoqërive tregtare, si informimin e shpejtë dhe të saktë nga ana e tyre.

Deputetët vlerësuan projektligjin e paraqitur, që pritet të shënojë një hap pozitiv në mirëadministrimin e këtyre shoqërive.

Në vijim, Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori në shqyrtim, projektligjin Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të pranishëm në mbledhje, shpjeguan se projektligji synon të fusë tokat e pakultivuara në qarkullimin ekonomik, nëpërmjet qeradhënies me ndërmjetësimin e organeve të qeverisjes vendore.
Nga totali i sipërfaqes së tokës bujqësore në Shqipëri, rreth 560 hektarë, ose 80% janë në pronësi private dhe rreth 138 mijë hektarë, ose 20%, janë në pronësi shtetërore.
Vitet e fundit është vërejtur rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore, kryesisht e shtrirë në zonën e ulët të vendit, nuk shfrytëzohet, për shkak të faktorëve të ndryshëm socialë ekonomike. Dhënia me qera e tokës me ndërmjetësimin e organeve të pushtetit lokal, që parashikohet në projektligj, krahas masave të tjera të marra nga shteti për nxitjen e kultivimit të tokës si taksa e diferencuar, programe mbështetëse, etj., pritet të shërbejë edhe si një mënyrë për të parandaluar tjetërsimin apo braktisjen deri në degradim të tokës bujqësore.

Deputetët e vlerësuan projektligjin si një mënyrë shumë pozitive për ti dhënë frymëmarrje të re një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, pa cenuar të drejtën e pronësisë.

Deputetët ranë dakord që të dyja këto projektligje të kalojnë për miratim në seancë plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›