Kryeministri i Estonisë: Është një mrekulli ajo që ka ndodhur në këto vite në Shqipëri.
Është një mrekulli ajo që ka ndodhur në këto vite në Shqipëri , tha sot Kryeministrit i Estonisë Andrus Ansip, në një takim me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Estonia sheh te Shqipëria një partner serioz në NATO. Duke punuar bashkë do të jemi edhe më të suksesshëm, tha Kryeministri Ansip, duke theksuar se: jam i bindur se Shqipëria do të vijojë zhvillimin në mënyrë të shpejtë ashtu si është zhvilluar shumë shpejt në këto kohë.
Për Kryetaren e Kuvendit vizita e Kryeministrit Ansip është një hap domethënës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme që Estonia i ka dhënë Shqipërisë në proçeset e saj integruese euroatlantike dhe europiane është shumë e çmuar.
Estonia, si një nga shtetet anëtare të BE-së, e cila ka vuajtur nga izolimi është më pranë shqiptarëve lidhur me ëndrrën për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen, si dhe në drejtim të anëtarësimit në BE.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria i ka përmbushur tashmë detyrimet dhe do të vlerësonte maksimalisht mbështetjen e Estonisë, lidhur me heqjen e vizave dhe më tej, në drejtim të marrjes së statusit kandidat.
Nga ana e tij Kryeministri i Estonisë tha se partneriteti mes dy vendeve ka qenë shumë i frytshëm. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe dy vendet tona, më shumë se partnerë janë miq të mirë.
Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri i Estonisë diskutuan mbi rolin e diplomacisë parlamentare si një dimension funksional në dialogun dypalësh, me një ndikim pozitiv në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe ndërkombëtar.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi bashkëpunim konkret nga Estonia edhe për projektet e
e-parlament, si një vend me një përvojë të madhe në teknologjinë e informacionit.
Në takim u bisedua edhe mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe Kryeministri i Estonisë tha se shpreson që sa më shumë sipërmarrje estoneze të jenë prezent me investimet e tyre në Shqipëri.