E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Nismat Qytetare monitoron sigurinë në shkolla dhe emergjencat civile në Elbasan, Peqin dhe Cërrik

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Një grup deputetësh të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi dje vizita monitoruese në gjimnazet “Dhaskal Todri” dhe “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, si dhe në bashkitë Peqin dhe Cërrik, me fokus sigurinë në shkolla dhe menaxhimin e emergjencave civile.

Vizitat u zhvilluan në kuadër të kalendarit vjetor të mbikëqyrjes parlamentare për vitin 2026, me synim njohjen nga afër me zbatimin e masave në këto fusha, evidentimin e problematikave dhe nevojave, si dhe vlerësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Në gjimnazet “Dhaskal Todri” dhe “Kostandin Kristoforidhi”, vëmendja u përqendrua te siguria në mjediset shkollore dhe masat për garantimin e një ambienti të sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor.

Gjatë vizitave u trajtuan mekanizmat për parandalimin dhe adresimin e problematikave që mund të cenojnë sigurinë, si dhe roli i strukturave përgjegjëse në mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve.

Një tjetër çështje në fokus ishte bashkëpunimi ndërmjet shkollave, prindërve dhe institucioneve përgjegjëse, me qëllim identifikimin në kohë të situatave problematike dhe koordinimin e ndërhyrjeve të nevojshme.

Ndërsa në bashkitë Peqin dhe Cërrik, vizitat u përqendruan te organizimi dhe kapacitetet vendore për parandalimin, përgatitjen dhe përballimin e emergjencave civile.

Diskutimet trajtuan masat për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, nevojat për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, si dhe bashkërendimin e veprimeve me strukturat përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror.

Vëmendje iu kushtua gjithashtu planifikimit të masave parandaluese, gatishmërisë për reagim dhe informimit të qytetarëve mbi rreziqet dhe mënyrat e veprimit në rastet e emergjencave civile.

Vizitat monitoruese synojnë të kontribuojnë në evidentimin e nevojave dhe forcimin e mbikëqyrjes parlamentare mbi zbatimin e masave për sigurinë në shkolla dhe menaxhimin e emergjencave civile.

1 nga 4

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›