Komisioni për Reformën Territoriale zhvillon dëgjesë në qarkun e Gjirokastrës

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot një dëgjesë në qarkun e Gjirokastrës.
Nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, kjo seancë dëgjimore u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve vendorë, institucioneve, ekspertëve dhe qytetarëve të qarkut Gjirokastër.
Pjesë e kësaj dëgjese, ishin kryetarët e bashkive të Qarkut: Flamur Golemi, Gramoz Sako, Dhimitraq Toli, Leonard Hide, Alma Hoxha, Klement Ndoni, etj.
Gjatë kësaj dëgjese, u diskutuan çështje kyçe që lidhen me Reformën Administrativo-Territoriale, duke u fokusuar në tri shtyllat kryesore të saj.
Në kuadër të shtyllës së parë “Territori dhe qeverisja”, u trajtuan aspektet që lidhen me organizimin territorial dhe eficiencën e njësive vendore.
Shtylla e dytë, e cila përfshin “Funksionet, shërbimet dhe kompetencat”, u përqendrua në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rishpërndarjen e përgjegjësive ndërmjet niveleve të qeverisjes.
Ndërsa në shtyllën e tretë, “Financat vendore”, u diskutua mbi fuqizimin financiar të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe rritjen e autonomisë së tyre.
Në vijim, pjesëmarrësit kontribuuan në raundin e plotësimeve të këtij takimi të përbashkët, duke paraqitur sugjerime dhe komente konkrete mbi çështjet e trajtuara, problematikat e hasura, përmirësimin e tyre, shqetësime të ndryshme të ngritura prej qytetarëve të pranishëm, profesionistëvë të fushave të ndryshme si mësuesi, mjekësi, siguri, etj.
Dëgjesa u mbyll me një proces prioritizimi të propozimeve së pjesëmarresve, duke synuar kështu adresimin sa më efektiv të nevojave dhe sfidave të identifikuara në nivel vendor.
Këto dëgjesa janë pjesë e një serie takimesh që synojnë të përfshijnë aktorët lokalë dhe komunitetin në hartimin e një reforme sa më funksionale dhe të qëndrueshme për qeverisjen vendore në vend.
/gj.m/r.e/a.f/