E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për të Drejtat e Njeriut zhvillon dëgjesë me tetë kandidatët për Komisioner të Mbrojtjes nga Diskriminimi

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi këtë të hënë një dëgjesë të hapur me kandidatët e vetofruar për pozicionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, bëri të ditur se për këtë pozicion janë paraqitur 14 kandidatura, ndërsa dëgjesat do të zhvillohen përgjatë dy ditëve. Sot u prezantuan 8 kandidatët e parë, ndërsa pjesa tjetër do të dëgjohet nesër. Tabaku bëri me dije se një prej kandidateve, Sonila Bejtja, është tërhequr nga gara.

I pari në listë, juristi Arben Shkëmbi, u shpreh se ka një përvojë disa­vjeçare në institucione kushtetuese dhe të pavarura, si dhe ka shërbyer dy vite me mandat të Kuvendit në institucionin e Avokatit të Popullit. Ai theksoi angazhimin e tij në Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë dhe u deklarua i familjarizuar me legjislacionin e të drejtave të njeriut dhe standardet europiane kundër diskriminimit. Prioritetet e tij përfshijnë rritjen e kapaciteteve njerëzore e financiare dhe bashkëpunimin me institucionet homologe.

Kandidatja Brunilda Menalla deklaroi se prioritetet e saj lidhen me forcimin e rolit të Komisionerit në nivel vendor dhe garantimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut përmes transparencës dhe përfshirjes gjithëpërfshirëse.

Edison Hoxha nënvizoi përvojën e tij të gjatë në sindikata profesionale, ku ka mbrojtur interesin kolektiv të punëtorëve, veçanërisht në rastet e reformave që kanë sjellë shkurtime në punë.

Profesori i të drejtave të njeriut dhe administratës publike, Endri Papajorgji, theksoi se synon rezultate të shpejta në mbrojtjen e grupeve vulnerabël, si të burgosurit, fëmijët dhe viktimat e dhunës. Ai premtoi përdorim të praktikave më të mira europiane dhe vuri theksin te nevoja për motivimin e stafit dhe monitorim më të mirë të diskriminimit në vendin e punës.

Kandidati Ermal Hoxha prezantoi përvojën e tij profesionale në fushën e komunikimit dhe marketingut, paralelisht me angazhimin në çështje sociale dhe të drejtave të njeriut.

Ermonela Xhafa, me një karrierë 29-vjeçare në administratën publike, deklaroi se ka kontribuar në hartimin e ligjeve kundër diskriminimit. Ajo premtoi kthimin e institucionit të Komisionerit në një strukturë të fortë antidiskriminim, përmes bashkëpunimit me pushtetin lokal dhe ngritjes së një platforme digjitale informuese.

Kandidatja e fundit, avokatja Fatjona Male, prezantoi prioritetet e saj për forcimin e rolit të Komisionerit dhe përmirësimin e mekanizmave të luftës kundër diskriminimit.

Dëgjesat vazhdojnë nesër me 6 kandidatët e mbetur, ndërsa të paktën 28 deputetë kanë të drejtën të mbështesin një prej tyre për t’u zgjedhur në këtë post.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, seancë dëgjimore me kandidat... 1 nga 5   /e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›