E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Foltorja, mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot protestë përpara Kryeministrisë, ku është vendosur një foltore.

Kryetari i PD, Sali Berisha në nisjen të protestës mbajti një fjalim përpara mbështetësve demokratë, duke thënë se kryeministri Edi Rama ka përzënë më shumë shqiptarë sesa çdo pushtues.

“Liria është si një lumë, të cilin në asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do çajë një kanal”, tha Berisha.

Pikërisht, shtoi ai, “kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin”.

“Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare”, tha Berisha.

Berisha foli për rolin e foltores në ringritjen e opozitës dhe misionin e saj të ri.

“Foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën, e ktheu atë në forcë sovrane të shqiptarëve, e ktheu atë në një parti e cila u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj, por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë, foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit”, tha Berisha.

“Ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë, i cili shtyp opozitën, i cili në të vërtetë është i kalbur nga koka te këmbët, dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për ta arkivuar në histori këtë regjim”, u shpreh kreu i PD.

“Idealet janë ideale, janë forcë nukleare e njeriut dhe shoqërisë, së cilës asgjë nuk i reziston. Ndaj ju ftojmë në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë.”, tha Berisha.

Berisha, kritikoi qëndrimin e qeverisë dhe funksionimin e Kuvendit, duke theksuar se mundësitë e debatit për opozitën kanë qenë të kufizuara.

Kreu i PD theksoi se, “në 10 seanca parlamentare, opozita u lejua të debatojë vetëm në një seancë”.

Po ashtu, ai theksoi se, “u hodhën poshtë kërkesat për ngritjen e komisioneve të zgjedhjeve dhe interpelanca me ministra”.

“Qeveria ka vendosur bllokim dhe errësirë për të shmangur diskutimin e deputetëve të opozitës”, tha ai më tej.

Berisha foli gjithashtu për situatën e pacientëve me sëmundje të rënda.

“Shqetësimi ynë kryesor mbetet furnizimi me ilaçe për të sëmurët, që duhet të jetë prioritet i qeverisë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se, opozita do të vazhdojë të monitorojë veprimtarinë parlamentare dhe të kërkojë transparencë në administrimin e financave dhe shërbimeve publike.

Protesta është e lejuar nga policia nga ora 18:00 deri në 20:00.

Sot gjatë një konferencë për shtyp Berisha e cilësoi këtë protestë si “foltorja parlamentaro-qytetare”.

Lideri opozitar mohoi lidhjen e protestës me thirrjen e tij në SPAK për çështjen e 21 Janarit dhe theksoi se gjithmonë do të paraqitet para drejtësisë kur ftohet.

Berisha njoftoi se kjo është vetëm protesta e parë e një sezoni të gjatë protestash kombëtare.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›