Nis puna për ndërtimin e Qendrës së Madhe të Eventeve në Korçë

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Në Korçë ka nisur puna për zbatimin e një projekti madhor strategjik, Qendrës së Madhe të Eventeve.
Ky projekt financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe pritet ta kthejë Korçën në një qendër të madhe kulturore, turistike dhe festive me ndikim të madh në ekonominë lokale.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, tha se, projekti parashikon hapësira moderne për aktivitetet kulturore, artistike dhe sociale, si edhe hapësirë dhe infrastrukturë të dedikuar për koncerte e festivale me përmasa të mëdha në mjedise të hapura e të mbyllura.
Qendra e Madhe e Eventeve do të përfshijë gjithashtu hapësira për kampera dhe parkim, si dhe ambiente të dedikuara për studio të industrive kreative. Ajo po ndërtohet tek ish vaskat e peshkut, zonë e cila do të kthehet në një qendër dinamike dhe funksionale gjatë gjithë vitit, unike në llojin e saj në Shqipëri e më gjerë.
Filo shprehet se, Qendra e Madhe e Eventeve është një nga premtimet e mbajtura për Korçën.
Ky dhe të tjera projekte kushtuar Korçës, u lançuan nga Kryeministri Rama, gjatë një vizite në qytet, me qëllimin për t’i kthyer Korçës shkëlqimin e dikurshëm. /j.p/r.e/