E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti Ndërministror për Integrimin miraton plan veprimin për dialogun e liberalizimit të vizave

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u mblodh sot Komiteti Ndërministror për Integrimin për të miratuar plan veprimin për dialogun e liberalizimit të vizave, prej të cilit do të nxirret raporti përfundimtar mbi çështjet që mbeten për t’u plotësuar nga Udhërrëfyesi që përmban kushtet që duhet të plotësoje Shqipëria për liberalizimin e vizave.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e konsideroi procesin e liberalizimit të vizave një proces të rëndësishëm në të gjitha aspektet. “Ky proces është i rëndësishëm në planin moral, sepse njeriu i lirë lëviz lirshëm; është i rëndësishëm në planin financiar, sepse tregu më i rëndësishëm, pas tregut të bukës, është tregu i vizave dhe qytetarëve shqiptarë u ikën një e madhe nga ky treg; i rëndësishëm në planin e shkollimit; i rëndësishëm në planin familjar, sepse asnjë komb tjetër nuk ka ndarje më të madhe se sa ne, pasi ne kemi përqindjen më të lartë të emigracionit të ri”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri theksoi se lëvizja e lirë është arritja më e madhe për qytetarët shqiptarë në procesin e integrimit evropian dhe se ky premtim do të bëhet realitet brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Shpreh kënaqësinë që mediat janë sot të pranishme këtu, sepse kur pashë dje që rrinin në distancë me kamera të ngritura drejt “Xibrakut”,  mu duk sikur po zhvillohej një gjyq sekret. Ajo pamje ishte jashtëzakonisht e dhimbshme, ishte rasti i parë që hapësira informative ndrydhej dhe burgosej në atë mënyrë. Unë dua të them se nuk ishte në rendin e ditës kjo, por zoti Rama nuk mund të keqpërdorë lirinë në këtë mënyrë. Transparenca ka rregulla. Edhe atëherë kur nuk të pëlqen, duhet ti nënshtrohesh. Ishte e lemerishme pamja se si i ktheu kamerat në një pozicion që një vend i lirë nuk i ka kurrë.

Nuk po flas këtu si Kryeministër, por raporti me lirinë është një raport jetik për të gjithë qytetarët. Mund të vendosësh çfarë të duash, por jo terrin informativ. Ai është i papranueshëm për një shoqëri të lirë. E imagjinoni që nuk paraqisnin dot as lokalin, sepse u kishte dhënë pozicion të atillë që objektivat nuk shkon dot as deri tek lokali. Unë, absolutisht, nuk do ta kisha bërë këtë hyrje, por nuk mund të hesht në mënyrë absolute kur shoh që shkelen disa standarde ndër më elementaret. Mua mu kujtuan romanet që kam lexuar dikur për shpellat e kockave, por kjo nuk ishte e tillë. Aty ishin burra, gra, djem dhe vajza, të cilët i mbyllën kundër çdo jashtë lloj standardi, ndonëse edhe ata votuan për të mos pasur kamera të pranishme, edhe ata votuan kundër vetes së tyre. Çfarë ishte kjo? Absolutisht, duhet të kërkojë të falur publikisht. Partinë Socialiste nuk e ka plaçkë të vetën. Ajo është pasuri kombëtare politike. Unë kam deklaruar dhe e deklaroj se nuk kam për t’u përzierë në punët e tyre, por një standard të tillë nuk mund ta pranoj kurrë. Ata janë politikanë dhe deputetë. Enveri i merrte në këtë mënyrë. Por, pikërisht se bën ato imitime pësoj atë që pësoj. Dhe unë ju garantoj se do ta pësojë sa herë që do ta përvojë ta emitojë, sepse të organizosh pleniume të mbyllura është jashtë çdo lloj morali të një shoqërie të lirë. Kjo do të thotë të kesh frikë nga vetja jote, të jesh frikacak. Çfarë integriteti ke dhe u tregon shqiptarëve kur u mbyll dyert? Kjo është e patolerueshme. Ai nuk mund ta përdorë Partinë Socialiste si plaçkë të vetën. Dje ishte një ditë e zezë për Partinë Socialiste, por edhe për vendin, kur lideri i një partie kryesore kujton se mund të veprojë në këtë mënyrë. Lerë, që nxori edhe Don Gramozin, sikur nuk kishte tjetër. E vutë re, sikur dilte nga një shpellë dhe jo nga një sallë. I zhduku këto Armelat, e të tjerat.

Ky është Komiteti Ndërministror për Integrimin, por ai ishte një standard i papranueshëm për një vend që synon integrimin. Unë nuk kritikoj asgjë nga vendimet e tyre, nuk merrem me to, sepse është në sovranitetin e tyre për të marrë çdo vendim, por transparenca është e publikut, nuk është e jona. Ndjej një dhembje të madhe që Kushtetuta nuk lejon mbledhjet e hapura të qeverisë dhe është absolutisht e padrejtë. Tani do të vendosim e-kabinetin. E drejtë do të ishte që qytetarët të ndiqnin mbledhjet e qeverisë nga të katër anët dhe të dërgonin aty për aty mendime, propozime  dhe sugjerime për mbledhjen. Kjo është transparenca, por, megjithatë, do ta gjejmë një mënyrë që të respektojmë edhe Kushtetutën edhe të jemi të hapur me publikun.

Problemi i heqjes së vizave është një problem kryesor për qytetarët shqiptarë. Ky është një proces, të cilin ata, si banorët më të lashtë të kontinentit, duhet ta fitojnë sa më shpejtë të jetë e mundur. Predispozita është reale nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare. Kërkesat që shtrohen janë të drejta, të arsyeshme dhe ne na takon ti plotësojmë ato me seriozitetin më të madh. Problemi i heqjes së vizave, ka të bëjë me sigurinë dhe garancitë që ti i jep vendeve anëtare të Bashkimit Evropian; se ti nuk eksporton krim, por siguri; se me lëvizjen e lirë të qytetarëve të tu nuk cenon sigurinë e qytetarëve të këtyre vendeve; se ti je një vend që kontrollon me vendosmërinë më të madhe krimin dhe kriminalitetin, si dhe respekton standardet e parashikuara për lëvizjen e lirë.

Kanë ardhur komisione shumë serioze nga Komisioni Evropian, kanë punuar së bashku me agjencitë tona dhe kanë shqyrtuar të gjitha  kriteret një e nga një. Ato kanë bërë një vlerësim pozitiv në tërësi, por kanë lënë edhe detyra, të cilave ne, me shpejtësinë dhe me seriozitetin më të madh, duhet t’u japim përgjigjen e merituar. Ata sërish mund të vijnë, por objektivi ynë, sikurse dhe e kemi deklaruar, është liberalizimi i vizave në vitin e parë të mandatit tonë të dytë. Tashmë mandati ynë i dytë u bë realitet dhe ne duhet të bëjmë realitet premtimin tonë, që gjatë vitit të parë të këtij mandatit ne duhet të garantojmë këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Ky proces është i rëndësishëm në të gjitha aspektet; i rëndësishëm në planin moral, sepse njeriu i lirë lëviz lirshëm; është i rëndësishëm në planin financiar, sepse tregu më i rëndësishëm, pas tregut të bukës, është tregu i vizave dhe qytetarëve shqiptarë u ikën një e madhe nga ky treg; i rëndësishëm në planin e shkollimit; i rëndësishëm në planin familjar, sepse asnjë komb tjetër nuk ka ndarje më të madhe se sa ne, pasi ne kemi përqindjen më të lartë të emigracionit të ri. Nuk gjej ndonjë komb tjetër në Evropë të ketë rreth 25 për qind të popullsisë emigrant, siç i kemi ne. Janë prindër të ndarë nga fëmijët dhe janë familjarë të ndarë nga familjet e tyre. Pra, është një problematikë e thellë sociale dhe njerëzore, e cila merr përgjigjen më të mirë me heqjen e vizave. Por, kjo është edhe një tjetër mundësi shumë e madhe për shkollimin dhe punësimin mbi bazën e normave të caktuara. Në vlerësimin tim, përfitimi më i madh në procesin e integrimit është liberalizimi i vizave, ndërsa të tjerat janë për t’u ndërtuar dhe do të ndërtohen, sepse ai është një projekt i madh dhe ne do të punojmë me përkushtim të jashtëzakonshëm për ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Duhet të jemi realist se ky proces kërkon punë të madhe dhe reforma të thella, të cilat ne po i bëjmë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se integrimi i plotë nuk do të thotë pasurim i shpejtë. Bullgarët dhe rumunët janë me rroga mesatare nën rrogat e shqiptarëve. Ne duhet të jemi të përgatitur, sepse kjo është një garë e fortë dhe në këtë garë ne duhet të bëjmë përpjekjet për të arritur sa më shumë vendet e Bashkimit Evropian. Ne e kemi fiksuar që do të kalojmë gjashtë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe do ti parakalojmë në shumë aspekte. Lëvizja e lirë është arritja më e madhe, për qytetarët shqiptarë në procesin e integrimit evropian.

Ne sot miratojmë Raportin, i cili i shkon në Komisionin Evropian për t’u vlerësuar dhe mundet që nga tetori të vijë sërish një tjetër ekip i tyre për të parë të gjithë problematikën. Dokumentet e identifikimit po prodhohen me cilësinë më të lartë dhe është shtuar numri i qytetarëve që marrin pasaportat biometrike. Por, ne do t’u japim përgjigje edhe një seri çështjeve të tjera. E tillë është zgjedhja e problemit të Qendrës Ndërinstitucionale të Rojës Bregdetare. Zotërinj ministra, kjo çështje kërkon zgjidhje, sepse lëvizja e lirë është një prioritet absolut. Të merret modeli vendeve të Bashkimit Evropian, sepse ne nuk do të krijojmë dy Roja Bregdetare. Ne i kemi kapacitetet, por mirë është që ministrisë të arrijnë në një marrëveshje për përdorimin, në të kundërt, qeveria detyrohet të marrë të gjithë vendimet në mënyrë që standardi evropian të predominojë. Në kontrollin e Rojës Kufitare Bregdetare do të ketë përparësi standardi evropian. Fatmirësisht, ekzistojnë modele që na e bëjnë të mundur që Roja Kufitare Bregdetare ekzistuese të përmbushë të dy detyrimet, edhe kontrollin bregdetar civil, që është kompetencë e ministrisë së Brendshme, si dhe atë ushtarak. Pra, edhe një herë e theksoj që ka përparësi standardi evropian. Këtu nuk mund të ketë asnjë lloj shmangie nga kjo direktivë.

Gjithashtu, dua të bëhet i gjithë kuotimi i financimeve për funksionimin e luftës kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe kundër trafiqeve. Ky është një problem jo i komplikuar. Duhet të paraqitet më mirë puna e agjencive. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bën një punë shumë serioze dhe është një nga inspektoratet me ligjin më të mirë, por që mund t’ia përmirësojmë sërish për çfarë mund të ketë nevojë. Në qoftë se lexohen deklarimet e pasurive të vendeve të tjera, ligji shqiptar për deklarimin e pasurive është ndër më të mirët. Inspektoratit, në rast se ka probleme, veçanërisht për hetimet, duhet t’ia krijojmë të gjitha mundësitë. Ky institucion është i një rëndësie jetike për standardet më të mira të zyrtarëve dhe qeveritarëve. Agjencia e Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave ka një intensitet pune të admirueshëm. Në vitin 2007 ka pasur gjithsej tre raste dhe, në saj të intensifikimit të punës së saj, në 6 – mujorin e parë të vitit 2009 ka 93 raste. Pra, ka një gjallërim real të veprimtarisë së saj. Po kështu, një risi thellësisht pozitive është edhe task-forca Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Tiranë, e cila me eksperiencën e krijuar u përhap dhe në gjashtë rrethe të tjera. Kjo është një eksperiencë shumë pozitive në tërësinë e saj.

Kam dhe dy probleme të tjera që dua t’i sjell në vëmendjen tuaj. Së pari, kemi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2007, vendim i cili ndërhyn duke kufizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale për krimin e organizuar. Ky vendim do të kundërshtohet me ligj. Ligji të bëhet urgjentisht dhe ti përmbahemi modelit britanik.  Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë kundër Krimeve Serioze dhe të Organizuara të Britanisë së Madhe (SOCA), më foli për një ligj shumë të mirë dhe më pyeti nëse jemi të gatshëm për një ligj të tillë. Ky vendi i Gjykatës së Lartë të vitit 2007, kufizon mundësinë e rrënimit të bosëve të krimit. Atyre po nuk u’a rrënove ekonominë, pushteti u mbahet. Ndaj, ne duhet të marrim ligjin e fundit që ka votuar Parlamenti britanik.  Edhe ligji që ne adaptuam është ligj shumë i mirë. Ne e kemi gjetur të adaptuar atë, por ne nuk mund të kufizohemi në shembjen e perandorisë ekonomike të krimit, fuqisë ekonomike të krimit të organizuar. Sigurisht, që brenda standardeve, por standardet i ka përcaktuar, sepse ajo a që mund të bëhet në Itali dhe në Britaninë e madhe nuk ka pse mos të bëhet në Shqipëri. Ai ligj të sillet sa më shpejt në qeveri dhe Komisioni Evropian kërkon përgjigje ligjore ndaj këtij vendimi. Kërkohet përgjigje ligjore, sepse kjo është një pengesë.

Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane. Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi. Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar ti respektoj . Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin sepse është opinioni. Me mire të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin. “


29/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›