Kryeministri Berisha pret të ngarkuarën me punë të Mbretërisë Suedeze në Tiranë, znj. Elizabeth Stam
Kryeministri Berisha priti sot të ngarkuarën me punë të Mbretërisë Suedeze në Tiranë, zonjë Elizabeth Stam, e cila i prezantoi Kryeministrit Berisha prioritetet dhe programin e punës së presidencës suedeze të Bashkimit Evropian, për 6-mujorin e ardhshëm.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i bëri me dije zonjës Stam se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po punon për të përmbushur të gjitha standartet dhe kriteret, për të ecur me shpejtësi drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Zonja Stam e siguroi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e plotë të Suedisë dhe presidencës suedeze të Bashkimit Evropian, për të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare për hapat e mëtejshme në rrugën e integrimit europian. BE dhe Presidenca Suedeze do të vazhdojë të mbeshtesë fuqishëm perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor çka u rikonfirmua edhe një herë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së, të mbajtur dy ditë më parë në Bruksel, – u shpreh zonja Stam. Në këtë mbledhje, ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord që kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat të shqyrtohet menjëherë, pasi të përfundojnë procedurat e lidhura me zgjedhjet e përgjithshme.
Duke e falenderuar zonjën Stam për mbështetjen që Suedia i jep Shqipërisë për integrimin në BE dhe duke shprehur edhe një herë bindjen e thellë të qeverisë shqiptare se ky duhet të jetë një proces i bazuar krejtësisht në performancën individuale, Kryeministri Berisha i bëri me dije zonjës Stam gjithashtu masat dhe reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare edhe përsa i përket liberalizimit të vizave për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptare në hapësirat europiane.
29/07/2009