E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti i APKIE-së mblidhet për të diskutuar prioritetet e Shqipërisë për KiE-në

TIRANË- Prioritetet e Shqipërisë gjatë kryesimit të saj të ardhshëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës do të diskutohen sot në një takim të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) në Tiranë. Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, do të mbajë një shkëmbim pikëpamjesh me Komitetin, i cili sjell së bashku rreth 60 parlamentarë nga 47 vende anëtare të Këshillit të Evropës.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, do të mbajë më parë fjalën e mirëseardhjes.

Pritet që parlamentarët të kenë dhe një debat në lidhje me një raport mbi varrezat çifute dhe një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e qasjes ndaj filmimeve historikisht apo kulturalisht të rëndësishme, transmetimeve televizive dhe radiofonike, regjistrimeve audio dhe fotografive.

Gjithashtu ata do të diskutojnë vëzhgimin e Asamblesë ndaj zgjedhjeve të fundit në Serbi dhe në Armeni, ku pritet të miratojnë një opinion mbi një draft-protokoll për të përmirësuar dhe modernizuar Konventën Evropiane për Ekstradimin të 1957-ës. Komiteti i Përhershëm vepron në emër të plotë të Asamblesë, ndërmjet seancave plenare, dhe tradicionalisht mblidhet në vendin që është duke marrë Kryesinë e Komitetit të Ministrave.

Ndërkohë, dy ditë më parë Shqipëria mori zyrtarisht Kryesinë nga Mbretëria e Bashkuar.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›