Komiteti i Kulteve, promovues i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit fetar
Shqipëria vazhdon të jetë model i bashkëjetesës fetare. Këtë fakt e vë në dukje raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e sheh Shqipërinë si një vend që garanton liritë fetare dhe ku nuk ka konflikte të kësaj natyre. Në raport ndër të tjera thuhet se Kushtetuta siguron lirinë e fesë dhe ligje e politika të tjera kontribuuan për një ushtrim përgjithësisht të lirë të fesë. Ligji në të gjitha nivelet e mbron këtë të drejtë nga abuzimet, si prej qeverisë ashtu edhe prej aktorëve privatë. Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licencim të grupeve fetare; megjithatë, Komiteti Shtetëror për Kultet mban të dhëna dhe statistika për organizatat fetare të huaja që e kontaktojnë atë për ndihmë. Lëvizjet fetare mund të marrin status zyrtar të një personi juridik duke u regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë sipas Ligjit për Organizatat Jofitimprurëse, i cili njeh statusin e një shoqate jofitimprurëse pavarësisht nëse organizata ka karakter kulturor, argëtues, fetar apo humanitar. Regjistrimi u jep grupeve fetare të drejtën të mbajnë llogari bankare dhe të zotërojnë prona. Gjatë periudhës së raportimit, katër bashkësive fetare tradicionale iu akordua statusi i përjashtimit nga taksat; megjithatë, për shkak të marrëveshjeve të reja të arritura me qeverinë më 24 tetor 2008, atyre u kërkohet të riregjistrohen si bashkësi fetare për t’u kualifikuar. Grupe të tjera fetare pa marrëveshje dypalëshe me qeverinë vazhduan të kërkonin statusin e përjashtimit nga taksat.
Komiteti Shtetëror për Kultet, është ngarkuar me rregullimin e marrëdhënieve midis qeverisë dhe bashkësive fetare si dhe me mbrojtjen e lirisë fetare dhe promovimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar. Komiteti pretendon se të dhënat e tij për organizatat fetare lehtëson dhënien e lejeve të banimit nga policia për punonjësit e huaj të organizatave të ndryshme fetare. Asnjë organizatë nuk raportoi ndonjë vështirësi në marrjen e lejeve të qëndrimit gjatë periudhës së raportimit. Megjithatë, si rregull i përgjithshëm, misionarëve të huaj u jepeshin leje qëndrimi njëvjeçare në vend të lejeve pesëvjeçare të lejuara për personat që banojnë në vend për më shumë se dy vjet. Komiteti vazhdoi të punonte me qeverinë për kriteret që do të lejonin leje qëndrimi deri në pesëvjeçare për organizata fetare të konsoliduara me lidhje afatgjata me vendin.
Neni 10 i Kushtetutës kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësive fetare. Më 24 tetor 2008, qeveria nënshkroi marrëveshje me bashkësitë myslimane, ortodokse dhe bektashiane. Kisha Katolike ka pasur një marrëveshje të tillë me qeverinë qysh në vitin 2002. VUSH, një organizatë protestante ombrellë, ka kërkuar të konkludojë një marrëveshje dypalëshe. Mes avantazheve të pasjes së një marrëveshjeje përfshihet njohja zyrtare e bashkësisë, rikthimi me përparësi i pronave dhe përjashtimi nga taksat. Mbështetja financiare nga qeveria dhe subvencionet shtetërore për pagat e klerikëve do të zbatohen bazuar mbi një ligj për financimin e bashkësive fetare miratuar më 5 qershor 2009. Ambasada e SHBA-së mbështeti përpjekjet e Komitetit Shtetëror për Kultet për të zhvilluar dhe plotësuar marrëveshjet dypalëshe midis shtetit dhe disa bashkësive fetare.
Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve