Shqiptarët në realitetin i ri gjeopolitik të Ballkanit
Shqipëria ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë logjike e partneritetit në rritje me të gjitha strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO në prill të këtij viti. Jemi në një proces të rëndësishëm dhe konstruktiv me Bashkimin Evropian pas hyrjes në fuqi më 1 prill të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe aplikimit për statusin e vendit kandidat, si dhe në një periudhë intensive të plotësimit të kërkesave për liberalizimin e vizave me BE-në. Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, si një faktor me peshë rajonale për rritjen e sigurisë për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal. Është fakt i njohur për të gjithë se gjeopolitika e Ballkanit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtetformuese. Më i fundit prej tyre, shteti i ri i Kosovës, pavarësia e të cilit ishte vendimi më i drejtë për t’i siguruar rajonit paqe dhe stabilitet afatgjatë. Në gjykimin tim, Kosova përballet sot me një sfidë të dyfishtë. Ë para, konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të saj të reja e të pavarura. Dhe e dyta, po aq e rëndësishme, institucionet e shtetit të ri të Kosovës duhet të ngrihen, zhvillohen dhe konsolidohen në përputhje të plotë me standardet që kërkon perspektiva e saj integruese evropiane, e cila në progres raportin e fundit të Komisionit Evropian është më ë qartë dhe konkrete. Unë besoj se autoritetet e Kosovës kanë dhe do të kenë vullnetin maksimal për të bashkëpunuar ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe EULEX-in, për të koordinuar ngushtësisht në aplikimin e standardeve më të larta të shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të pakicave. Shqipëria mbështet njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe përshëndet anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës sonë rajonale. Këto marrëdhënie duhen parë dhe inkurajuar vetëm në frymën e perspektivës për të ardhmen. Ne do të punojmë në mënyrë intensive dhe konstruktive me qeverinë e Serbisë, për të avancuar dhe thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dhe rajonal. Shqipëria inkurajon dhe mbështet integrimin e Serbisë në të gjitha nismat dhe iniciativat rajonale, së fundmi Ministeriali i Mbrojtjes të Evropës Juglindore, pasi beson se pa një pjesëmarrje, bashkëpunim dhe integrim të plotë të saj në këto organizata, vetë kuptimi dhe ekzistenca e tyre do të ishte e paplotë. Bashkëpunimi konstruktiv mes Shqipërisë dhe Serbisë sjell një impakt pozitiv për të gjithë rajonin. Në raportet ndërshtetërore me Maqedoninë, Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë me konsekuencë politikën e saj të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit të ndërsjellë, të mbështetjes për integrimin e saj të shpejtë në NATO, ashtu sikurse mbështesim edhe procesin e anëtarësimit të këtij vendi fqinj në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, besoj se edhe Maqedonia fqinje do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, çka do të krijojë një klimë të re dhe më të përforcuar të bashkëjetesës ndëretnikë, ndarjen dhe bashkërendimin e përgjegjësive në administrimin e punëve të vendit dhe në procesin e integrimit. Tensionet e fundit me karakter të referencave të gabuara historike nuk i shërbejnë rajonit dhe as vetë Maqedonisë, pasi kjo retorikë mund të rrezikojë të akselerohet në nivele të padëshiruara, që do të na kthente të gjithëve vite pas. Reagimi i autoriteteve shtetërore maqedonase për të tërhequr nga qarkullimi enciklopedinë që ngjalli aq debate është përshëndetur prej nesh, ashtu sikurse kemi dënuar edhe deklaratat për ekstremizëm. Unë besoj se duhet të harxhojmë shumë më pak energji për historinë dhe më shumë energji për integrimin e përbashkët evropian. Mali i Zi, si një ndër elementët e tjerë shtetformues të dalë nga ish-Jugosllavia dhe fqinje e Shqipërisë, përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Vetëm në një dekadë kemi kaluar nga marrëdhënie inekzistente në marrëdhënie dinamike shumëplanëshe. I përmenda jo pa shkak që në fillim marrëdhëniet e Shqipërisë me këto vende, pasi me to ndajmë dhe një problematikë të përbashkët: Ekzistencën e shqiptarëve etnikë në secilin prej tyre, çka unë besoj se është një faktor kyç që duhet të na bashkojë në përpjekjet tona të përbashkëta, për të lënë pas krahëve të kaluarën dhe për të parë drejt së ardhmes, e cila nuk mund të jetë ndryshe veçse integrimi evropian i rajonit, çka do të thotë bashkëjetesë, tolerancë dhe bashkëpunim. Politika e jashtme e Shqipërisë mbështet integrimin e Bosnje-Hercegovinës në NATO dhe BE. Por, unë vlerësoj se për të arritur një dinamikë të re në proceset integruese, Bosnje-Hercegovina duhet të realizojë ato reforma që e bëjnë një shtet më koheziv dhe funksional. Unë besoj se bashkëpunimi rajonal do të jetë më i plotë, më konstruktiv, më i qëndrueshëm dhe më i dobishëm në procesin e integrimit, duke mos mbetur vetëm në rrafshin e dialogut politik dhe në frazat për fqinjësinë e mirë. Ky bashkëpunim duhet të jetë konkret dhe i shtrirë në të gjitha fushat që krijojnë një magnitudë të re rritjeje dhe fuqizimi ekonomik për rajonin. Duke filluar nga lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet respektive, sepse e konsideroj si anomali dhe jashtë kohe faktin se ndërsa kërkojmë që të shkojmë pa viza në Bashkimin Evropian, disa nga vendet tona ende mbajnë në fuqi regjim vizash ndaj njëri-tjetrit. Rritja esenciale e shkëmbimeve dhe flukseve që krijojnë një njohje më të mirë reciproke e që veçanërisht vjen nëpërmjet komunikimit mes elitave akademike, kulturore e sociale duhet nxitur dhe institucionalizuar. Rritja e shkëmbimeve tregtare nëpërmjet krijimit të një hapësire ekonomike rajonale që lehtëson dhe eliminon barrierat përmes implementimit real të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik të rajonit. Fuqizimin e një rrjeti infrastrukturor rajonal me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve, si dhe lidhjen e tyre me rrjetet infrastrukturore evropiane e euroaziatike, çka besoj se do ta shndërrojë pozitivisht dhe përfundimisht rajonin jo vetëm nga pikëpamja gjeostrategjike, por do ta bënte atë më të sigurt, duke rritur edhe dimensionin e tij gjeo-ekonomik, duke zgjeruar në përmasa të konsiderueshme tregun dhe rritur interesin për investime të huaja. Një Ballkan i ndërvarur dhe i ndërlidhur ekonomikisht me vende dhe rajone fqinje dhe me interesa të përbashkëta dhe historike, si Italia, Greqia, Turqia, me të cilat kemi marrëdhënie të natyrshme, tradicionale dhe strategjike, fuqitë tradicionale dhe anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian, por edhe me qendrat aktuale të zhvillimit ekonomik botëror, do t’i jepnin atij një dinamikë të re zhvillimi dhe prosperiteti, e nevojshme për integrimin e tij evropian, por edhe për garantimin e tregjeve rajonale dhe ndër-rajonale për Bashkimin Evropian. Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë të ri në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejt nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku më asistencën e vetë Bashkimit Evropian.
Vokacioni evropian i Shqipërisë mbetet i pandryshueshëm dhe politika jonë e jashtme ka si prioritet madhor integrimin në BE. Ne presim që vendimi për fillimin e negociatave për statusin e vendit kandidat të merret sa më shpejt dhe pa hezitim dhe po punojmë intensivisht në këtë drejtim për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara, duke bashkëpunuar ngushtë me gjeneratorët kryesorë të ekonomisë dhe politikës së saj, si Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Spanja, por edhe vende të anëtarësuara rishtas, pasi dhe eksperienca e tyre është më e freskët dhe më pranë problematikës me të cilën ne ballafaqohemi.
Po kaq i rëndësishëm është për Shqipërinë procesi i liberalizimit të vizave, jo vetëm si një mundësi për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, por edhe si çlirim psikologjik për qytetarët e gjithë rajonit. Unë shpreh bindjen time se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, çka do të çlironte energji pozitive dhe krijonte një perspektivë realisht të prekshme për cilindo prej vendeve tona. E theksoj këtë fakt sepse 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit që i hapi rrugë procesit të krijimit të një Evrope unike, muret që na mbajnë ende të ndarë nga ky realitet, duhet të shemben në të mirë të sigurisë, paqes dhe prosperitetit tonë të përbashkët. Shqipëria e meriton këtë bashkim pas anëtarësimit të saj në Aleancën Veri-Atlantike, në sfidat e së cilës ne jemi përfshirë dhe kemi kontribuar pa asnjë hezitim. Shqipëria është një vlerë e shtuar e NATO-s dhe kontribuuese reale me mundësitë dhe kapacitetet e saj, në të gjitha çështjet e nxehta të politikës rajonale dhe globale, duke u mbështetur në eksperiencën dhe traditën pozitive të krijuar ndër vite, si një faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i besueshëm dhe i rëndësishëm i SHBA-ve dhe NATO-s në sfidën globale kundër terrorizmit ndërkombëtar. Këtij qëllimi i shërben edhe shtimi i trupave shqiptarë në Afganistan, kontribut i cili do të rritet edhe në të ardhmen. Niveli i ri i rolit ndërkombëtar të Shqipërisë reflektohet në cilësinë e marrëdhënieve dypalëshe me faktorët tradicionalë dhe ata të rinj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë aleati ynë strategjik në çështjet e politikës dhe sigurisë rajonale dhe globale. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e investimeve amerikane në Shqipëri do të mbeten një prioritet kyç. Marrëdhëniet me Italinë janë në nivelin e tyre më të lartë dhe së shpejti ky bashkëpunim do të institucionalizohet me nënshkrimin e Dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy vendeve. Marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera dhe të një rëndësie strategjike. Unë vlerësoj avancimin pozitiv në drejtim të trajtimit të disa çështjeve të trashëguara dhe besoj se me vullnet të mirë dhe në frymën e integrimit ato do të gjejnë zgjidhjen e duhur. Shqipëria dhe Turqia kanë mes tyre marrëdhënie tradicionale dhe të shkëlqyera, të cilat po konkretizohen me një dinamikë të fuqishme në bashkëpunimin ekonomik e tregtar. Politika jonë e jashtme ka hyrë e sigurt në një stad të ri të dinamikës dhe rolit të Shqipërisë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria beson në një OKB të fortë, dinamike e të reformuar, e aftë t’u përshtatet dhe përgjigjet me efikasitet sfidave në rrafsh global, në funksion të paqes, zhvillimit të integruar, mbrojtjes të të drejtave të njeriut apo ndryshimeve klimaterike. Në jemi të angazhuar dhe kemi mbështetur nismën për të shkuar në Kopenhagen më një “sealed deal” për çështjet e ngrohjes globale.
Në epokën e re të zhvillimeve globale, qendra të fuqishme të politikëbërjes dhe zhvillimit ekonomik, si Japonia, India, Brazili, Afrika e Jugut, Australia etj., nuk ka se si të mbeten jashtë vëmendjes së rritjes të nivelit të komunikimit dhe dialogut politik dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat me interes reciprok. Ne do të rrisim prezencën tonë diplomatike në këto vende, siç është hapja së fundmi edhe e ambasadave tona në Japoni, Brazil, Indi, sepse besojmë që kjo prezencë do t’i shërbejë më mirë rolit të ri të vendit në arenën ndërkombëtare dhe interesave të tij ekonomike. Ne kemi vullnet të mirë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet më Rusinë, si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë globale. Kina, si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, por edhe si një fuqi ekonomikë e vend mik, përfaqëson një tjetër prioritet të rëndësishëm. Më këtë rast, dua të theksoj si një kontribut në forcimin e këtyre marrëdhënieve të hershme, vizitën që do të zhvillojë gjatë kësaj jave në Tiranë, me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, zv.kryeministri i Kinës.
Unë besoj se njohja më e thellë e kulturave të gjithsecilit ndihmon në zbutjen e dallimeve dhe ndryshimeve që ka qenë pasojë e komunikimit mes palëve, por zhvillimi teknologjik dhe globalizmi i kanë shkurtuar ndjeshëm distancat dhe diferencat. Prandaj, Shqipëria është posaçërisht e angazhuar në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Dialogut Ndërkulturor në kuadër të Aleancës së Civilizimeve dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, por edhe afirmimi i Shqipërisë si një vend mesdhetar dhe me interesa në këtë rajon do të jetë një prioritet. Nuk mund të lë pa përmendur në këtë rast rolin shumë të rëndësishëm që ka për Shqipërinë diaspora e saj e vjetër dhe ajo e re. Përkujdesi ndaj këtij dimensioni esencial të shtetit shqiptar, nëpërmjet informimit aktiv për zhvillimet dhe mundësitë e tregut për investime, por edhe ruajtja dhe forcimi i identitetit të tyre në vendet ku banojnë përmes krijimit të mundësisë reale të një komunikimi permanent, ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku janë, pajisja me dokumente identifikimi dhe pasaporta si një detyrim ligjor i shtetit, si dhe ngritja e qendrave kulturore si vatra të ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës dhe komunikimit me vendin amë përbën një prioritet në funksion të të cilit shteti dhe diplomacia do të alokojnë fondet, kohën dhe komunikimin e nevojshëm.
Fjala e mbajtur në Forumin e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë të organizuar nga AIIS