E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forum, Analistet: Kufiri i dyshimte

Italia: Argumenti, mjaft delikat, s'kemi komente tani
Italianët shprehen të kujdesshëm sa i takon marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, prandaj nuk bëjnë komente paraprake ndaj kësaj çështjeje. "Marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë është një çështje dypalëshe. Në këtë fazë të kësaj marrëveshjeje është ende shpejt nga ana jonë, nga ana e shtetit italian të bëjë komente për këtë argument mjaft delikat, i cili duhet të përballohet, vlerësohet dhe verifikohet në momentin e duhur", - deklaroi konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi. Një javë më pare ishte ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, që në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Meta, tregoi se ishte në dijeni të çdo hollësie të kësaj marrëveshjeje. "Unë them se çështjet që kanë të bëjnë me kufijtë detarë duhet të trajtohen nga vendet e interesuara. Këtë qëndrim kam mbajtur me forcë kur bëhej fjalë për kufirin detar mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Aq më shume e theksoj këtë qëndrim në çështjen me Greqinë", - ishte deklarata e Fratinit dhënë në selinë e Ministrisë së Jashtme italiane.

Prof Asoc. Dr. Myslim PASHA
Absurdi i shtetit tim, s'ka të mbaruar
Përfaqësues të shtetit po shfletojnë gjithnjë e më shumë, literaturë për të bërë mbrojtjen e veprës së tyre. Përpara opinionit shqiptar, sipas të gjitha gjasave, ata në vend që të fitojnë në këtë inkursion enciklopedik, po bëhen shumë qesharakë. Dhe kjo është " për të vënë duart në kokë" Mjafton të kujtojmë se si në Klan ishin sjellë aq shumë libra të ndryshëm si fjalorë dhe botime lundrimore, sa do të habiteshe. Për leximin e tyre ishin bërë gati fletë të palosura dhe që diheshin me saktësi, u lexuan jo vetëm nga përfaqësuesit e shtetit por edhe vet Drejtuesi Fevziu, në atë audiencë të lartë. Po për çfarë? Sepse kish humbur "gjiri i Sarandës" dhe nuk e gjenin apo përcaktonin dot. Ta merrte vesh i madh e i vogël se " ata që ngrejnë pretendimin se mund të ishte trajtuar , si historik etj… nuk na e lejonin këto libra që pala përballë nuk i njihte. " Saranda me të vërtetë do të jetë shumë e shqetësuar me shqiptarët e saj, të cilët, siç del , as që nuk e njihnin fare, por për turp, si në provime shfletonin ato libra vëllimorë. Ja se deri ku arriti puna: të mohohet me të gjithë argumentet e mundur dhe të shpikur, se Saranda " është aq e vogël dhe aq e fshehur, atje pas Limionit, sa që nuk kemi se çfarë të shpërfaqim përballë fqinjit." Deri këtu arriu, puna, me Sarandën tonë mitologjike! "Po absurdi dhe surealizmi i përfaqësuesëve të shtetit tim, nuk ka të mbaruar. Argumentet janë të frikshëm, të shpifur, të zorshëm, të ftohtë, antishkencorë dhe antihistorikë. Më tej Sarandës sonë të shpërfillur është edhe Barketa Tragjike. Prej atij Shkëmbi nënujor që herë mbytet dhe herë e nxjer krifën mbi valë, del edhe një histori e cila nuk është zhbiruar ende. Vetëm në Materialet e gjyqit të Hagës, për incidentin e Korfuzit, ka disa referime sepse prej tij janë matur largësitë gjer ku ndodhën shpërthimet e minave. Kjo është një pjesë e historisë. Ndërkaq, kur ne kërkojmë që të bëhet një tejdukshmëri gjeodezike dhe hartografike për Barketën, nëse ndodhet në lindje të mesores së ujrave të Kanalit të Korfuzit ( ku ne hamendojmë se sipas hartave tona ky shkëmb pozicionohet) apo në atë anë, që përfaqësuesit e shtetit na e matën me Google Earth,për të na e habitur shikuesin shqiptar, me zbulimin e tyre. Pra, nuk do të duhet më shumë se një vajtje në Ksamil, me një teodolit të thjeshtë, për të bërë një matje të shpejtë e cila do të përcaktonte me saktësi largësinë që e kërkon kjo kohë ndarjeje kufijësh me shtetin fqinj. Shteti ka një Institut të tërë dhe këtë gjë duhet ta kishte bërë. Po ai as që e ka mendjen atje. Shteti thellohet, dhe ç'na del në hulumtim të tyre? Një thagmë e paparë!
Vëreni!
"Në udhëzuesin e Lundrimit për detet Adriatik dhe Jon, botim shqiptar i vitit 1992, Shkëmbi Barketa, trajtohet në kapitullin e tretë : " Ishujt e Jonit të Veriut" Në faqen 71, kur flitet për ishullin e vogël Peristere ose Tignosso ( ishull grek) theksohet : " Në veri të këtij ishulli ndodhet një shkëmb, baras me nivelin e ujit" Nga çdo detar kuptohet thjeshtë se ky shkëmb është pjesë e formacionit të shelfit Kontinental të ishujve grek." Shqyrtimi të lë pamend!! Sepse mundohet me citimin që të na e mbushë mendjen se ai është i "përtejmë" nuk i thotë " shkëmb grek " siç thotë për Ishullin Tignosso, se " është ishull grek" por : " … kuptohet thjeshtë se ky shkëmb është pjesë e formacionit të shelfit Kontinental të ishujve grekë." Ky është, pra, argumenti shkencor me të cilin përfqësuesit e shtetit tonë, tipizojnë edhe formacionet gjeologjike të këtij shkëmbi. Kjo do t'i habiste edhe vet gjeologët grekë, që fortmirë e dinë se Korfuzi nuk është gjë tjetër veçse një bir i pllakës së Ballkanit Jugperëndimor, (brigjeve epirote) e shkëputur nga Dheu Kontinental me me të njëjtën llojshmëri të formacioneve gjeologjike. Le të përfytyrojmë thyerjen dhe shkëputjen e madhe dhe le të lëvizim me mendje Korfuzin drejt gjirit të Sarandës. Kepi i Shën Katerinës do të përputhej me Kepin e Qefalit, Kepi Varvaro, me gjithë ishujt do të futen brenda fundgjirit të ngrohtë të Sarandës, kurse në Jug, kepi i Stillos do të shkojë e të gjej vend në Gjirin e Kërkyrës. Korfuzi është bir i Dheut Kontinental. Kurse apologjetët e marrëveshjes së ndarjes së kufijëve, në absurditetin që i ka përfshirë, si qëndër referimi të shelfit Kontinental kanë vënë Korfuzin dhe bashkësinë ishullore rreth tij, e pastaj Dheun Kontinental. Sipas gjithë rasteve që trajtohen në gjyqe ndërkombëtare shtete të ndryshëm, vetëm për arësye të shtresave të njëjta gjeologjike, mundohen që të përfitojnë në hapësira të shelfit kontinenatal. Në rastin tonë, pala greke nuk ka nevojë që të shpalos ndonjë deklarim gjeologjik sepse vet ne i themi shqiptarëve " Larg duart nga Barketa! Se është shelf Kontinental i ishujve grekë.." Deri këtu arriu puna! Dhe kjo është e trishtueshme dhe tragjikomike njëkohësisht!
Oh, ç'na e trazuat mendjen o të uruar!

Selim Belortaja: Për kaq pak kohë, nuK ndajmë dot gardhin me komshiun
Është një çështje e cila s'mund të lërë askënd indiferent. Ndërsa për këdo që pretendon të nderohet si intelektual, një moment përgjegjësie e guri prove. Pas përplasjeve të para mbi atë nëse problemi ekziston apo jo, sot kundërshtitë janë zhvendosur në fushën teknike. Sot pra, kur edhe ky parlament njëngjyrësh u shtrëngua të vetëpërmbahet dhe t'i vërë gishtin kokës, duket se tema e ekzistencës së problemit nuk ekziston më. Në mos përgjegjësia, po së paku enigmat janë atje sa një mal, dhe dikush duhet "t'u japë dum" atyre. Natyrisht "teknikalitetet", gama e çështjeve pra, që shtrihen nga referencat juridike e deri tek përdorimi si duhet i vizores dhe kompasit, janë të rëndësishme. Shqetësimi dhe angazhimi profesional sot ka dalë përtej tryezës së punës së kolonel Pashajt, si mjeshtër i detit dhe ligjit detar. Me të sot po merren edhe organizata jo-qeveritare dhe seksione universitetesh -kompetente për fushën. Unë them se dhe vetë ekspertët e politikës opozitare në këtë stad, duhet ta kufizojnë presionin e tyre legjitim në vetëm 2-3 angazhime ndihmuese. Së pari, në paraqitjen e provave e çdo fakti që hedh dritë mbi të vërtetën e kësaj kuturisjeje të nxituar që quhet "Marrëveshje e ri-përcaktimit të kufirit". Së dyti, në krijimin e kushteve që këto organizata e njësi shkencore të punojnë lirshëm për të vërtetën. Dhe ndoshta së treti, duke kërkuar përfshirjen në këtë punë edhe të ekspertizës më të ndritur ndërkombëtare. Nëse thuhet fjala vjen që ne e kemi një eksperiencë të mirë nga një punë e ngjashme dikur me Italinë (në përpjesëtime shumë më të mëdha), atëherë përse të mos ftohej zyrtarisht një ekip italian që të jepte një dorë? Për më tepër që kjo mund të vinte së bashku me financimin përkatës, që qeveria italiane, sipas meje, në një rast të tillë do ta angazhonte pa hezitim. Le të bëhen këto e pastaj, hartat dhe vijat, nenet dhe kalkulimin t'ua lëmë njësive shkencore jo-politike.
* * *
Është e qartë që kjo nuk do të jetë një punë e kotë. Është e qartë që këtu ka diçka që nuk shkon. Te ky përfundim paraprak mua më çojnë së paku dy prova, edhe pse të tërthorta: E para, mungesa e transparencës. Askush nuk i tha asgjë këtij publiku, se pse e si duhet të fillonte e shtjellohej kjo punë, se përse kufiri duhej rishikuar dhe se mbi ç'baza e llogaritjeje duhej bërë kjo gjë. Dhe ndoshta kjo errësirë do të mbetej e tillë përgjithmonë, sikur ndonjë medie të mos hidhte pak dritë mbi të. Prova e dytë është shpejtësia marramendëse me të cilën u zgjidh kjo punë. Nuk ka asnjë shembull të dytë në eksperiencën botërore që kufiri ndërshtetëror të shqyrtohet e mbyllet kështu me vrap për 3-4 muaj. Ky proces është aq kompleks dhe angazhues në ekspertë, studime, prova e materiale, negocime e procedura ligjore në dy vendet paralel, sa që as vullneti më qëllimlartë s'mund ta mbyllë kështu në tre muaj. As gardhi i bahçes me komshiun nuk mbyllet kaq blic. Natyrisht mendja të shkon që kjo "negociatë" të jetë përtypur me kohë në tryezat dhe inbokset e zyrtarëve tanë. Ka të ngjarë që ajo të shpjegojë edhe vonesën e stërzgjatur të ratifikimit të MSA-së sonë nga Greqia, edhe faktin që ky "mik me traktat" i yni ishte i fundit që na i dha OK për MSA-në, që ajo mbase të ketë shërbyer edhe si parakusht për vetë ratifikimin. Studiuesit e arkivave shumë shpejt do t'i zhbirojnë edhe këto. Ndërsa ne, hëpërhë le ta marrim "përshpejtimin" vetëm si një pikëpyetje më shumë. E cila i shkon fare mirë pikëpyetjes tjetër: mirë ne që s'paskemi pas' asnjë ankesë për propozimet e palës greke, po pala greke nuk pati asgjë kundrejt propozimeve tona? Apo mos vallë negociatorët tanë nuk patën hiç, kurrfarë propozimi?

Erion Braçe: Interesat e FAMILJES qenkan kombëtare!
Marrëveshja për kufijtë detarë të Shqipërisë, ata në Jug të vendit, po merr trajtën e xixëllonjës! Duket e zhduket mu në mes të kaosit parlamentar edhe pse në Kuvend ka gjithnjë më pak punë e deputetë. I zënë nga "hernia politike", Kuvendi duket "çyryk", për këtë shkak i paaftë por edhe i pamundur të marrë përgjegjësi historike, duke votuar një akt që ndryshon njëherë e përgjithnjë kufijtë e Shqipërisë! Por edhe ka frikë! Nuk është e lehtë. Nuk besoj se frika është e deputetëve apo vjen nga një veprim i hamendësuar prej tyre. Gënjen veten kush mendon këtë. Për aq kohë sa para tyre, "vunë shishen" e "zunë rradhën" në debatin publik, folën Sali Berisha e Ilir Meta-xhandarët e votës parlamentare- ata thanë se "nuk kanë shitur asnjë milimetër territor", frika nuk buron nga deputetët. Ata janë rreshti! Besoj të gjithëve u ka rënë në sy se asnjë prej tyre, gjatë këtyre ditëve, nuk ka mendjen dhe lirinë e tij. Ndaj ka nisur të funksionoje "kultura e heshtjes"! Frika është e buron tek FAMILJA! Por përsëri, Marrëveshja nuk është tërhequr. Dy kokat, njëra e vjetër e tjetra e madhe por bosh, këtë situatë në Kuvend po e shesin si "nder" që ata po ia bëjnë dynjasë shqiptare, me një lloj transparence që ishte e detyrueshme në formën e saj ligjore! Institucionale dhe përfshirëse! Në fakt, transparenca nuk po ndodh. Banaku i qëllimtë-si send i FAMILJES- i Fejziut apo korridori aspak akademik-pjesë e një rrjeti avokatie i FAMILJES-i Naimit, nuk mund të zëvendësojnë institucionet! Marrëveshja është në Kuvend dhe transparenca duhet të ndodhte atje. Me vonesë gjithsesi. Transparenca ishte detyrimi ligjor qysh në nisje të negociatave e deri në gërmën e fundit të Marrëveshjes! Por nuk ndodhi e nuk po ndodh. Në Kuvend është depozituar një dhjetë faqesh, në të cilin ndodhet një projektligj, përmes së cilit ratifikohet Marrëveshja. Marrëveshja është disa faqe. Vetëm me kaq quhet i informuar Kuvendi! E përmes tij supozohet të jetë informuar populli! Kufijtë e shtetit të shqiptarëve po ndryshojnë!! Asnjë dokument shoqërues, informues! Kush kërkon një relacion që të shpjegojë rrugën e shkurtër të negocimit të kësaj marrëveshjeje është i marrë. Një relacion, me shumë udhërëfyes të këtij procesi: nevojën e kësaj Marrëveshje-në këtë kohë; qëllimet e Qeverisë Shqiptare të shkruara në një dokument; vendimin e Qeverisë për të hyrë në negociata me këto qëllime të qarta e të miratuara; kufijtë parimore të Qeverisë përtej të cilëve negociatorët bënin krim; vendimin për emërim të negociatorëve; protokollin e negociatave; protokollin, qoftë vetëm të një mbledhjeje qeverie ku të qenë analizuar negociatat; vendimin përfundimtar në të cilin të deklaroheshin të realizuara qëllimet e vendosura më parë!! Mbi të gjitha, një hartë administrative të territorit, përfshirë në marrëveshje. Nuk ka!! Besoj se vetëm nga kaq, secili nga 74 deputetët që militojnë me e nën zonjën Jozefinë, nuk kuptojnë gjë! Edhe të zanatit qofshin. Tamam për këtë, ligjvënësi ka hartuar një sërë rregullash të shtrira në kohë e me përmbajtje, që bëjnë të gjerë, përfshirës, demokratik, procesin ligjbërës si dhe dëgjues, ekspertues, kontrollues, vendimmarrës Kuvendin! Por, rregulla të tilla janë zhbërë. Kjo është arsyeja që Kuvendi ka "diskutuar" marrëveshjen vetëm 20 minuta! Ne vetëm një komision, formalisht, por fshehtas! Ne relacionin e asaj mbledhjeje gjysmë të errët kjo konfirmohet botërisht! Nuk është mbledhur Komisioni i Sigurisë Kombëtare për t'u njohur e për të diskutuar mbi Marrëveshjen, nisur nga sfera tejet strategjike që mbulon. Nuk është mbledhur Komisioni i Ekonomisë për t'u njohur me interesat ekonomike që përfitojmë apo nga të cilat heqim dorë përmes Marrëveshjes. Nuk është mbledhur Komisioni i Industrisë për të njohur në detaje Marrëveshjen e analizuar me qetësi përmbajtjen e saj, në raport me një sërë zhvillimesh ekonomike e industriale të lajmëruara si projekte në territorin me të cilin lidhet kjo Marrëveshje. Nuk është zhvilluar asnjë seancë debati profesional. Nuk është zhvilluar asnjë seancë dëgjimore me grupe interesi, kur shqetësimi ka qenë shumë i madh, gjithshqiptar. Kjo quhet transparencë?!Në fund të fundit kjo që përshkrova tregon qartë katandisjen, në një kasolle banale të Kuvendit të Republikës, ku FAMILJA në pushtet jashtënxjerr-pshur i thonë nga anët tona- në formë projekt aktesh, dokumenteku materializohen interesat e saj të paligjshme deri antikombëtare. Por ndërsa transparenca nuk ndodh, faqja tjetër është kthyer. Në fillim heshtja, madje banale, aq sa gazeta që thotë se është më e madhja në vend, analizon detajet e marrëveshjes kontraktuale të Bjordit e Adelajdës me një TV, por jo të Marrëveshjes që ndryshon kufijtë e vendit! Më pas sulmi personal, me çdo mjet, edhe institucional, në abuzim të pushtetit, ndaj gjithë atyre, media a individë, që me profesionalizëm e seriozitet shtetëror-kjo që i mungon zyrtarëve që ne paguajmë-po analizojnë Marrëveshjen, po konsumohet! Fjalia standarde që materializon akuzën është: Ju po cënoni rëndë interesat kombëtare dhe të integrimit të Shqipërisë në BE!!! Është e vjetër!

Artan Shkreli: Deti dhe Kulshedra
Çështja e kufirit detar me Greqinë është në realitet një ndër storjet më pak transparente të shtetit shqiptar këto 90 vjet; e për rrjedhojë përmban brenda farën e dyshimit, jo vetëm mbi drejtësinë dhe ligjshmërinë e një akti të tillë, por edhe mbi natyrën e qëllimeve apo përfitimeve reale të atij biri shqiptari që me cinizëm mbron këtë "bravurë". Pa folur për Kosovë e Çamëri, të gjithë dimë shtrëngimin që iu bë gjindjes shqiptare, dikur pa shtet, të lëshonte Tivarin e Ulqinin, pas një rezistence të kotë. Ishin vija bregdetare dhe portet tona ajo që iu interesonte asokohe malazezëve. Gjindjes sonë "iu garantuan" më pas si shpërblim, malësitë e Hotit dhe Grudës; në fund i humbëm dhe ato. Për ironi të shqiptarëve, jashtë truallit tonë mbeti edhe Deçiçi, vendi ku Gjo-Luli ngriti për s'pari flamurin shqiptar mes plumbash. Malazezët u futën tragjikisht thellë e në mënyre artificiale në tokë shqiptare, në një rrip toke që zotëronte dy anët e ujrave, Liqenin e Shkodrës nga njëra anë, dhe Adriatikun nga ana tjetër. Italianet mbajtën të tyrin të vetmin ishull tonin, Sazanin, si roje natyrale që ish për Kanalin e Otrantos. Sazani do ishte ende i tyre, megjithëse milje larg Italisë, nëse kjo e fundit nuk do ish rreshtuar ndër humbësit e Luftës së Dytë Botërore.
Në kohë të Zogut, ndonëse Fuqitë e Mëdha vendosën që Shën Naumi (dhe një pjesë e rëndësishme e bregut që lagej nga ujrat e Liqenit të Ohrit) të mbetej yni, iu dha jugosllavëve; jo vetëm kaq, por filluan dhe tratativat për dhënien e Velipojës e të gjithë atij brezi detar, Malit të Zi, i cili e kërkonte deri vonë me ngulm të paparë.
Greqia nga ana e saj, pasi kish siguruar aneksimin e Çamërisë, rrëmbeu pa asnjë rezistencë një brez bregdetar tepër të gjatë, rreth 30-40 km thellë në tokë shqiptare, mu përballë ishullit të Korfuzit. U bë ky ishull sebep për rrëmbimin e këtij brezi që ish vetëm 1 km i gjerë, por që i jepte Greqisë një kontroll të kënaqshëm e të pamerituar të Ngushticës së Korfuzit (vetë ishulli bizantin, para pushtimit osman konsiderohej si Albania, jo vetëm nga venedikasit, por edhe nga fuqitë e Europës Qendrore). Nuk mjaftoi kjo: grekët kruajtën edhe të gjithë ishujt e vegjël a gumat shkëmbore në veri të Korfuzit, shumë thellë hapësirës shqiptare. Asokohe, çdokush mendonte se s'ia vlen të shamatoseshim me grekërit për dy gurë të pabanuar. "Natyrisht, ne njerëz malesh, ata njerëz detrash" (paradigëm e çuditshme kjo që përkrahet dhe historiografia jonë aktuale).
E tash kjo histori po përsëritet: janë gumat e Korfuzit që po nxirren si pretekst për rrëmbimin e një tjetër hapësire detare shqiptare. Kështu do ndodhë që me këtë logjikë, më vonë do të jetë bash kjo hapësirë, me gumat dhe Korfuzin në shpinë, që do tu sigurojë legacinë grekëve për marrjen e një brezi tjetër trualli bregdetar - Himarën - e cila në atë moment kjo do jetë lehtësisht e justifikuar si areal gjuhësor, historik, por edhe gjeografik grek. Kam idenë se këtu kanë luajtur mendsh të gjithë: Kryeministri "i djathtë" dhe Zv/kryeministri "i majtë"; shitet deti për influencë politike brenda vendit: kryeministri për të siguruar kredite të huajt për të ndenjur me gjatë në pushtet e zv/kryeministri për kredit të brendshëm që të mbahet nga kryeministri më gjatë në qeveri. Kjo s'ka b…. ku të rrijë! E kujt duan t'ia bëjnë këtë nder? Atyre që refuzojnë me këmbëngulje të mbajnë në fuqi ligjin e luftës kundër nesh! Ikni more….
Pastaj na nxjerrin teknikë e specialistë palaço ushtrie të na mbushin mendjen me harta e koordinata virtuale. Po me kë tallen kështu? Me këtë logjikë Anglia do t'ua kish lënë ishujt Faulkland argjentinasve me kohë e me vakt, por ndodhi që ajo tundi boten me destrojerë e aeroplanmbajtëse për ato tre shkëmbinjtë e saj matanë diellit; ndodhi kështu sepse ka një klasë të përgjegjshme politike. Dëshmoret e Shqipërisë nuk i mbrojtën trojet tona me harta nëpër duar, ata nuk kishin kompase e as specialistë detarë apo alpinë; heronjtë tanë e dinin mirë sikurse ne se ku janë kufijtë e Shqipërisë dhe prandaj u vranë. E ne sot nuk kërkojmë që klasa politike të vritet për atdhe, kjo e kapërcen kufirin e imagjinatës sonë, ne po kërkojmë vetëm që të mos e shesin për tridhjete aspra hapësirën tonë detare. S'do ua falë askush dhe do mbahet mend me turp tërë jetën, siç do mbahet mend tërë jetën Shën Naumi.

Kiço Blushi:Marrëveshje mëse e dyshimtë
Punët e liga që bëhen tinëz sidomos nga qeveritë, janë të dyshimta e shpesh edhe rrezikshme. Punët e mira në dobi të shtetasve, edhe kur bëhen "natën", në terr, qoftë edhe në gjendje lufte, të nesërmen duhet të bëhen publike. Fakti që marrëveshja për kufirin detar me Greqinë u bë pa transparencë, fakti që ende nuk janë shpallur hartat zyrtare të marrëveshjes, po vetëm disa skica që kundërshtojnë njëra-tjetrën, fakti që ne do të humbasim disa km det, fakti që Greqia po hyn, falë "bujarisë" sonë për herë të parë si pjesë e "treshes" së Otrantos, kalimi i gazsjellësit rus (pikërisht pas marrëveshjes) poshtë (apo në?) kufijtë tanë, nxitimi për ta "legalizuar" marrëveshjen para zgjedhjeve, ardhja me ngut në Tiranë e Karamanlisit të përmalluar për mikun e vet pikërisht për këtë çështje, nervozizmi dhe frika e qeverisë sonë për të hapur letrat, e kapërcejnë dyshimin e natyrshëm të publikut për këtë çështje madhore, kombëtare.. .
Në asnjë vend lëvizjet e kufijve nuk janë në dorë të kryeministrave dhe të qeverive, ndoshta me përjashtim të rastit kur një kryeministër, apo një qeveri "i fal" vendit dhe popullit të vet kufij të pamerituar, në mos me luftë, ca më mirë me diplomaci…Karamanlisi e bëri dhe e fitoi këtë "beteje diplomatike" me ne shqiptarët për të fituar zgjedhjet, që t'u thosh grekëve se ai po bënte një "akt të pashembullt patriotik e historik", po zgjeronte kufijtë detarë, ndaj e shpalli me bujë e ngazëllim edhe në Parlamentin grek…E megjithatë i humbi zgjedhjet, ndërsa Berisha e bëri marrëveshjen për të njëjtin qëllim, për të siguruar përkrahjen e qeverisë greke dhe të emigracionit tonë në Greqi, po nuk e shpalli dhe nuk e propagandoi as si "sukses", as "partneritet" gjatë fushatës, ndaj edhe fitoi…
Këto lloj marrëveshjesh të errësirës mund të quhen allishverishe dhe marifete të zakonshme ballkanike, ku i forti ka gjithmonë të drejtë e ku varfanjaku përherë e pëson, përherë paguan më shtrenjtë, sepse e quan veten me fat kur kapërcen kufirin dhe kur e pranojnë si refugjat …Qeveria jonë këtë gjë ka bërë dhe po bën në çdo qasje me zyrtarët e lartë perëndimorë, po veçanërisht me palën greke me të cilën është si një "qeveri refugjate pa lejëqëndrimi", për të mos thënë kuislinge! Sepse Berisha e di më mirë se kushdo tjetër (e ka provuar në kurrizin e vet, kur ishte President) se në Shqipëri qeveria greke ka shumë monopole, ka në duar shumicën e bankave, ka kapitale, naftë, mjete komunikimi, njerëz influentë, etj,etj, d.m.th, ka më shumë ndikim edhe se qeveria amerikane, le më se ajo italiane, e cila edhe në këtë rast, me sa duket, ka mbetur papritur e pakujtuar me gisht në gojë….
Andaj nuk mund të ndodhte ndryshe…Kjo marrëveshje në këtë kontekst marrëdhëniesh me Greqinë nuk është e nuk duhet parë si një çudi, apo si një rrufe e rënë nga qielli…Nuk mund të ndodhte ndryshe kur kryeministri ynë i varet në qafë Karamanlisit, si një puthador pa dinjitet, kur ministri ynë i jashtëm ( ai që e realizoi këtë marrëveshje) jo vetëm që ende është i akuzuar për një super-korrupsion, po e ka bashkëshorten me nënshtetësi holandeze e kur, edhe kryenegociatori i kësaj marrëveshje, çuditërisht (por ndoshta jo dhe aq çuditërisht!) e ka gruan franceze…Mos ka ardhur koha që të paktën në përfaqësitë tonë diplomatike, ashtu si e kanë shumë vende demokratike, të ndalohen me ligj të punësohen në rangje të larta ata qytetarë që kanë dy shtetësi, apo edhe ata që kanë bërë martesa me të huaj në mënyrë që ne qytetarët të jemi të sigurt e të bindur që diplomatët tanë do të mbrojnë vetëm interesat tona? Ja pra përse, për të kuptuar thelbin e kësaj marrëveshjeje të dyshimtë nuk është e nevojshme të dëgjohen ekspertët që të na tregojnë hartat, të cilat ne qytetarët nuk mund t'i kuptojmë, as specialistët e ministrisë së Jashtme, të cilët me nene konventash e ligjesh ndërkombëtare përditë hakaten të japin prova "ndershmërie", pasi kjo marrëveshje, për vetë faktin e pamohueshëm që është bërë fshehur, do të sjellë nesër një kosto politike të pashlyer jo vetëm për qeverinë e për Kuvendin, po në radhë të parë për Berishën, emrin e të cilit do të marrë nesër kjo marrëveshje që të kujton, dashur pa dashur, Zogun dhe Shën Naumin….

Lorenc VANGJELI: Triumf në emër të qytetarit
Në fillim të kësaj dekade, punëtorët e medias, korrën një fitore të rëndësishme, legalizimin e të drejtës së tyre për të marrë informacion publik nga institucionet shqiptare. Postpluralizmi shqiptar, deri më atëherë, kishte trashëguar nga e shkuara dhe bunkerizimin e gjithçkaje që konsiderohej shkresë zyrtare dhe media, veç të tjerash, hallkë lidhëse mes të qeverisurve dhe qeverisësve, konsiderohej palë armiqësore në këtë marrëdhënie. Dhjetë vjet më pas, ligji sërish vazhdon të jetë në fuqi, por komunikimi nuk konsiderohet ende ashtu siç është: detyrim i qeverisësve për të komunikuar me të qeverisurit. Mjafton dhe vetëm një shembull për të ilustruar këtë marrëdhënie delikate e të papërsosur, që njëra palë e trajton median si një dëshmitar të bezdisshëm dhe i mbyll derën në fytyrë. Për herë të parë, fakti se mes Shqipërisë dhe Greqisë kishte nisur e ishte përfunduar marrëveshja për ndarjen e detit në mes, në Tiranë ka ardhur nga Athina. Që atëherë, për disa muaj me radhë, me gjithë fushatën elektorale në mes, Tirana zyrtare fshihej mbas heshtjes si fëmija i zënë në turp se nuk kishte shkuar në kohën e duhur në tualet. Vetëm mbas ngulmimit të fortë të medias, më saktë të një pjese të saj, nisën të vijnë dhe shpjegimet e para të Tiranës zyrtare. Kjo ndodhi vetëm atëherë, kur media arriti të ngrejë me mundim e kurajë një perde mbas të cilit dyshohet se është konsumuar as më shumë e as më pak, krimi i tradhtisë kombëtare. Dhe vetëm atëherë, të njëjtës kauze për të vërtetën ju afrua edhe opozita. Por me një ndryshim: një pjesë e opozitës së djeshme që bënte prokurorin e ashpër kundër marrëveshjes, sot në pushtet është shndërruar në avokaten e fortë të saj.
Thelbi i kumteve që vijnë sot nga qeveria është i thjeshtë; nuk ka pasur asnjë fyt me ujë të falur për fqinjin tonë jugor dhe marrëveshja është konform të drejtës ndërkombëtare. Ashtu qoftë! Por për të mbërritur deri në bindjen totale, deri edhe të qytetarit të fundit të këtij vendi, bashkëpronar i sotëm dhe trashëgimlënës i nesërm i kësaj prone kombëtare për fëmijët e tij, ka një det të tërë për të kaluar. Nuk mjaftojnë vetëm shpjegime teknike, pika të hedhura në hartë, matje me kompas a të dhëna dixhitale! Qeveria shqiptare duhet të japë përgjigje për një numër pothuaj të pafundëm "pse"-sh që kanë të bëjnë me marrëveshjen. Që nisin që me mungesën e transparencës së djeshme e deri me shtysën e fortë e të papritur për të përfunduar sa më shpejt një marrëveshje të tillë me fqinjin tonë jugor, aleat në NATO-n e sotme, por trashëgimtar i një ligji armiqësor lufte nga e djeshmja. Historia që nis me një shkrim gazete lokale në Tiranë për zbulim nafte në det dhe që nxiti Athinën të kërkojë nënshkrimin e marrëveshjes, është mjaft naive për t´u besuar.
Në këtë moment, më shumë se çdo gjë tjetër, qeveria shqiptare ka nevojë për kohë për të dhënë përgjigjet e saj. Dhe asaj i duhet dhënë koha e mjaftueshme për të bindur çdo qytetar të vendit se nuk e ka tradhtuar atë. Këtu qeveria ka nevojë për ndihmë. Edhe nga media, e cila si rrallë herë në historinë e këtij vendi, mundi të triumfojë mbi ngutin e qeverisë, mundi të triumfojë në emër të qytetarit.

ARTAN LAME:Marrëveshja me Greqinë....
Qëkurse shtetet kanë filluar të ndahen me kufij, ka pasur edhe mosmarrëveshje për ta që, ose zgjidhen me dyfek, ose zgjidhen me marrëveshje. Nga kjo pikëpamje, nuk e shoh aspak skandaloz faktin e marrëveshjes në vetvete. Përtej përbetimeve për miqësi të përjetshme, marrëdhëniet midis shteteve janë kryesisht marrëdhënie nervash dhe, gjithnjë është njëra nga palët që, pavarësisht se si do të rezultojë marrëveshja në fund, bëhet sebep për të bërë hapin e parë. Për rrjedhojë, marrëveshje të këtij lloji kalojnë në tri nivele.
Niveli i parë, ka të bëjë me faktin se kush e kërkon marrëveshjen. Në këtë moment, shteti që "e lëshuan nervat" të parin dhe kërkon uljen në bisedime (në rastin konkret Greqia) ka disavantazhin e kërkuesit, ndërsa shteti tjetër (në rastin tonë Shqipëria), ka avantazhin të kërkojë favore për të pranuar ftesën. Për shembull, Shqipëria mund të deklaronte se ne nuk ulemi në bisedime pa u hequr Ligji i Luftës, apo pa u institucionalizuar Çështja Çame, apo pa u plotësuar ky apo ai favor tjetër politik.
Vetëm pasi të plotësohej kushti i parë, vjen ulja në bisedime dhe kalohet në nivelin e dytë, që është ai i koncesioneve të ndërsjella për vetë marrëveshjen. Meqë bëjmë fjalë për ujëra, edhe këto diskutime mbeten në këtë gamë. Më jep det këtu të të lëshoj atje, e kështu me radhë. Pasi është rënë dakord në nivel politik në vija të përgjithshme për shkëmbimet eventuale, kalohet në nivelin e tretë, që është ai teknik, ku ulen të debatojnë e përleshen ekspertët. Dhe, meqë ekspertët e marrin rrogën pikërisht për t'u përleshur me njëri-tjetrin, askush nuk jua merr as për ters këtë punë. Kjo është rruga që ka ndjekur e do të ndjekë çdo marrëveshje e këtij lloji anekënd globit.
Taní, që ta lemë globin në punë të vet e të vijmë këtu në qoshen tonë, ne duhet t'i kërkojmë Berishës se çfarë favori për shqiptarët u mori grekëve që pranoi të ulej në bisedime me ta, pastaj t'i kërkojmë Bashës dhe Metës se çfarë përfitoi në terren Shqipëria nga vetë bisedimet dhe, vetëm në fund, mund të merremi edhe me ekspertët, që janë vrima e fundit e kavallit. Në vend të bëjmë këtë, ne jemi lëshuar të gjithë me kompas dhe vizore në dorë dhe zihemi me kompasin dhe vizoren e Gërvenit. Ky pastaj, që sheh papritur gjithë Shqipërinë të merret me të, i duket vetja i rëndësishëm dhe na mban me muhabet të gjithëve. Nga momenti që Berisha na pa të gjithëve me kompas në dorë, po fle i qetë, se ja doli ta spostojë vëmendjen nga niveli politik në atë teknik.
Dua të shtoj edhe diçka. Çdo qeveri që dëshiron të hyjë e qetë në Librin e Madh të Historisë, edhe pas 100 apo 200 vjetësh, marrëveshje të tilla i bën duke marrë domosdoshmërisht edhe konsensusin e opozitës. Kjo bëhet për të qetësuar subkoshiencën popullore, e cila është shumë e ndjeshme për çështje që kanë të bëjnë me trupin e Atdheut. Kanë shkuar mbi 80 vjet nga marrëveshja e Zogut për Shën Naumin dhe ajo ende i shfaqet atij si makth edhe në varr ku ndodhet që prej 40 vjetësh. Berisha duhet t'ia kursejë vetes dhe Qeverisë së tij një tjetër makth të tillë.

Enton Abilekaj:Marrëveshje krejt e paqartë
Nuk kam arritur të kuptoj nëse vërtet kemi humbur nga marrëveshja. Jam munduar të kuptoj argumentet e palëve, por nuk kam kuptuar qartësisht asnjë prej shpjegimeve teknike. Në këtë pikë të debatit mund të them më bindje vetëm disa mendime që nuk bazohen në ekspertizat e bëra deri tani. E Para dhe me e rëndësishmja, është pyetja më e thjeshtë që lind rreth marrëveshjes: A ishte e drejtë ndarja e kufirit detar e vendosur arbitrarisht nga të dyja palët dhe që respektohej deri më sot? Sa janë prekur kufijtë që kanë qenë deri më sot dhe pse duheshin prekur? Për këtë Qeveria nuk ka dhënë shpjegime dhe mendoj që në këtë errësirë rreth marrëveshjes, kjo është pika e parë që duhet të ndriçohet. Është i drejtë argumenti që duhej një marrëveshje, por pse duhej bërë kjo mbi kufij të rinj?
E dyta e rëndësishme është që fatkeqësisht debati është shndërruar në luftë të brendshme politike. Një palë që mbron marrëveshjen dhe tjetra që e sulmon, ndërkohë që bëhet fjalë për Integritetin Territorial dhe jo për një shkresë të firmosur formalisht nga dy vende. Për këtë është shumë e nevojshme që të gjithë ekspertët dhe faktorët politikë të diskutojnë në një tryezë të përbashkët rreth marrëveshjes dhe të mos e quajnë sherrin publik si të mjaftueshëm për të marrë një vendim që është historik. Mesa duket Gjykata Kushtetuese nuk do ta shqyrtojë çështjen fare dhe debati do të kalojë në Parlament, ku do të duhet edhe opozita që të kundërshtohet marrëveshja. Duket qartë që ky nuk është momenti më i mirë për të kaluar marrëveshja. Në pikëpamjen e brendshme nuk ka asnjë arsye për nxitim që të ratifikohet marrëveshja, por shtyrja apo refuzimi i marrëveshjes mund të shndërrohet në një incident diplomatik jo të vogël mes Shqipërisë dhe Greqisë, aq më tepër kur Greqia na pret me çelësa në dorë në dyert e Brukselit dhe Kosova pret një njohje më shumë. Në kushtet kur jemi mes 2 zjarreve, të dyja vendimet mund të shkonin të dëm të interesave të vendit. Nxitimi i parë ka qenë nënshkrimi i marrëveshjes përpara zgjedhjeve, ky nxitim na ka çuar në një pikë të rrezikshme sot. Mbetet të urojmë që marrëveshja mos të prekë integritetin territorial të vendit (sepse vec të tjerash do të ishte antikushtetuese) dhe të miratohet me konsensus nga të gjitha palët. Ndryshe do të ishim përpara një problemi të madh , që i kalon kufijtë e rinj e të vjetër të Shqipërisë dhe Greqisë.

HENRI ÇILI:Negociatorët m'u dukën bindës
Debatin mbi kufijtë detarë me Greqinë, për vetë karakterin teknik të tij e kisha ndjekur pak, derisa zërat publikë në kontestim të tij u shtuan. Pas një ftese që i bëmë ministrisë së jashtme për një AUDITORIUM në Universitetin Europian të Tiranës, me protagonistë të negociatave me palën greke, seancë që pata rast ta moderoj vetë, pata rastin të njihen më afër me detajet e çështjes. Nga shpjegimet e ambasadorit Ferit Hoxha, që ka drejtuar grupin shqiptar të negociatave dhe të kundër-admiral Kristaq Gërvenit, mund të them se mu krijua bindje se kjo marrëveshje nuk paraqiste asnjë problem.
Duke qenë gjithaq kritik që më parë, administrata e ministrisë së jashtme kishte qenë neglizhente në transparencën ndaj publikut lidhur me këtë marrëveshje, gjë që ministri i ri i jashtëm, Meta e korrigjoi me shpejtësi, mund të them që shpjegimi i përfaqësuesve shqiptare të marrëveshjes ishte bindës dhe profesional.
Nuk duhet të harrojmë që debati publik mbi çështjen e kufijve detare në Greqinë, të cilët meqë ra fjalë nuk e kemi as deri sot të caktuar qartë që nga krijimi i shtetit shqiptar, është një debat i mbushur me stilema të së kaluarës dhe kryesisht të historiografisë komuniste, të tipit "Zogu i shiti Shën Naumin Jugosllavisë" e të tjera si këto. Debati i ngritur mbi këtë stilistikë dhe përmbajtje u shfaq dhe kësaj radhë duke u gabuar që në hyrje: ne jemi duke i përcaktuar kufijtë me Greqinë, ndaj nuk mund të flitet për "falje" apo "shitje". Thjesht mund të flasim për një marrëveshje të mirë apo të keqe.
Nga ana tjetër do të thosha se të jemi sot këtu për debatin në fjalë për shkak të zgjedhjeve të 28 qershorit. Qeveria hezitoi para zgjedhjeve të hapte gjerësisht këtë temë dhe të bënte transparencën e duhur duke pasur frikë se karakteri shumë i ndjeshëm i kësaj çështjeje mund të kishte pasojë elektorale, kurse opozita e Edi Ramës e la këtë çështje jashtë axhendës së saj para zgjedhjeve duke heshtur, për një arsye të thjeshtë: potencialisht mund të qe qeveria e pas 28 qershorit dhe kishte një problem diplomatik me Athinën që në ditët e para. Tani që opozita është sërish në opozitë është më e lirshme të bëjë lojën politike edhe me këtë çështje, ndaj çështja ka marrë të tillë peshë, për shkak se u bë edhe kauzë e opozitës.
Sidoqoftë transparenca në të tilla çështje është më shumë se e domosdoshme dhe në kohën e duhur. Më mirë tani sesa kurrë. Pas procesit të transparencës, jam i bindur se jemi brenda suazave të një negocimi diplomatik normal dhe në përputhje me normat ndërkombëtare në këtë fushë.

Aleksandër Çipa:Nuk është atdhe hartëhumbur
Do të bjerë vala e debatit për akt-marrëveshjen e përfolur shqiptaro-greke (apo greko-shqiptare, le ta quajmë si të duam,) e cila sipas gjuhës zyrtare synon mbylljen, një herë e përgjithmonë, të "çështjes së kufirit detar mes dy vendeve në Jon. Natyrisht, gjasat janë që ky debat të mos ta ezaurojë zbardhjen e tërësishme të së vërtetës. Në këtë debat, i cili ka lidhje me tokë-detin e trashëguar të atdheut, u ndamë mes vedi. Domethënë u bëmë dy palë të të njëjtit atdhe, që në të vërtetë folëm sikur të ishim jo të një kombësie, por sikur dikush mbronte interesin e një shteti tjetër dhe dikush të këtij që ndiejmë dhe pashmangshmërisht kemi të përbashkët . Po pse u orientua në këtë mënyrë ky debat? Kush e ka drejtë dhe kush e ka përgjegjësinë e mëkatit për humbjen e kilometrave det të atdheut tonë? Ky debat I tanishëm, sipas gjasave, nuk ka për ta zbardhur plotësisht të vërtetën. Kështu ka ndodhur kaherë nëpër akte humbjesh shqiptare. Aktorët kanë qenë pak, nënshkruesit edhe më pak, hartografët kanë qenë vetëm pak, gjeneralët me kokrra, firmosësit jo më shumë se katër. Atëherë pse humbet kaq kollaj e vërteta? Po harta që kërkon specialisti pse nuk tregohet? Kush e mban atë të kyçur nën siglën e padeklaruar të të qenit "top secret"?! Në par ardhje të ditëve të këtij debati, pata kënaqësinë të kaloj një javë pushime në ishullin fqinjërues me Sarandën, në Korfuz. Ndërsa po lundronim me tragetin modest drejt Korfuzit, në një pikë afër mezokanalit, vetvetiu një ndër punonjësit e tragetit uli flamurin tonë dhe ngriti atë të shtetit fqinj. E pyeta me kureshtje, pse pikërisht e ngrini në këtë pikë flamurin e shtetit tjetër? M'u gjegj me qetësi:" Këtu është pika e përcaktuar. Është shenjë fikse e kufirit detar…"
Pas një jave, në të njëjtën pikë, sërish punonjësi i anijes tip "delfin" kreu shërbimin e njohur: uli flamurin grek dhe ngriti atë shqiptar. Më bëri përshtypje ky fakt, i cili në të vërtetë nuk kishte lidhje me një marinar të një anijeje luftarake, as me një ekspert të kufijve detarë. Por ky ritual i tërëkohshëm, realizohet prej kujtdo dhe nga kushdo kur hyn dhe del përmes detit Jon në këtë vijë kufitare mes Sarandës dhe Korfuzit. Kështu ngjet edhe kur anijet lënë portin e Durrësit dhe nisen drejt Barit. Fjala është se atdheu ynë edhe në pjesën e ujtë të tij i ka pasur dhe i ka të shënuar kufijtë e tij. Ky atdhe ka pasur, ka dhe do të ketë harta. Ky nuk është një vend hartëhumbur, siç po tentojnë ta quajnë disa kalimtarë politikë apo shërbëtorë që përthyejnë ndërgjegjen më shumë se kurrizin e mishtë.
Debati për shenjimin e kufirit detar dhe sipas gjasave edhe për atë tokësor në kohë të afërta, është një tinzarllëk politik të cilit duhet t'i denoncojmë në kohë dhe pa kompromis autorët dhe përgjegjësit. E vërteta duhet thënë qysh tani dhe pa fshehje: Ka apo s'ka humbje prej kësaj akt-marrëveshjeje Shqipëria? Nëse s'ka, duhet ta pranojmë të gjithë se ata që e përgatitën atë meritojnë vlerësim sepse ditën të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e atdheut. Në të kundërt, transparenca për mënyrën dhe principin, apo për procedurën dhe diskutimin rreth saj, duhet bërë e njohur publikisht, sepse është një detyrim kushtetues. Qytetarëve të këtij vendi nuk u intereson loja politike, ata kanë vetëm një interes, ta kenë atdheun e të parëve të tyre të paprekur dhe të sigurt,por që të ndodhë kjo, nevojitet që firmëtarët apo ekspertët e ngrefosur të vetëdijësohen se janë shërbëtorë të gjykueshëm sot dhe matanë së nesërmes .

MERO BAZE:Pse ky "ngut" vetëm me kufijtë detarë
Nga i gjithë debati publik rreth Marrëveshjes shqiptaro-greke për kufijtë detarë, bie në sy fakti që qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë shpjegim publik pse futi në axhendë këtë akt të veçuar për njohjen e kufirit detar, sikur ky të ishte problem urgjent, ndërsa mes dy vendeve nuk është fiksuar ende kufiri tokësor. Para se të na shpjegojë kompetencën apo inkompetencën e kolonelit Pashaj, qeveria shqiptare duhet të bëjë publik versionin zyrtar përse duhej kjo marrëveshje e veçuar për kufijtë. Mes Shqipërisë dhe Greqisë ka dhjetëra, për të mos thënë qindra probleme që duhet të zgjidhen, që nga të drejtat respektive të pakicave shqiptare dhe greke, tek çështja çame, tek mënyra se si respektohen të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi etj. Tashmë qeveria shqiptare duhet të shpjegoj pse e nisi radhën e punëve nga përcaktimi i kufijve detarë dhe çfarë rëndësie ka kjo gjë për palën shqiptare? E ngre këtë problem pasi Shqipëria dhe Greqia kufizohen me njëra tjetrën me ujë dhe tokë. Greqia nuk pranon të njoh kufirin tonë tokësor për shkak të legjendës së saj për kufirin e Epirit të Veriut. Nëse qeveria shqiptare mendon se ka ardhur koha që me Greqinë, si një vend evropian të ulemi të përcaktojmë kufijtë, atëherë duhet t'i përcaktojmë të gjithë kufijtë detarë dhe tokësorë. Fakti që kjo nuk bëhet në paketë, pra nuk bëhet si një nisëm e integruar, tregon se kufijtë detarë kanë qenë problem i Athinës dhe një çështje në interes të tyre.
Debati publik ka nxjerr probleme me mungesën e kompetencës së ekipit shqiptar në negociata, apo dhe porosinë që mund të kenë pasur për ti hapur rrugë kërkesës greke, ashtu sikundër ka nxjerr në pah një lloj angazhimi të qeverisë dhe medias së saj për të denigruar kolonelin Pashaj, pse e ngriti këtë problem. Por debati ende nuk është fokusuar tek arsyeja themelore që ka shtyrë qeverinë shqiptare të fusë në axhendën e saj këtë marrëveshje. Pyetja se përse vetëm kufiri detar dhe përse vetëm sipas pretendimeve greke, kërkon doemos një shpjegim nga qeveria shqiptare. Nëse kishte ardhur koha që dy vendet të ndanin kufijtë mes tyre duhet të ndanin të gjithë kufijtë. Fakti që Berisha në prag të fushatës elektorale kishte nevojë për Karamanlisin në Tiranë duke firmosur çfarë t'i ofrohej nga diplomacia e vjetër greke, tregon se vendimi është i iniciuar dhe realizuar vetëm nga pala greke. Pra nuk kemi të bëjmë me një Pakt mes dy vendeve, por me një Akt dorëzimi të palës shqiptare para palës greke.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›