E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompania britanike ankohet për reket në Kosovë

Kompanisë britanike Fox Marble i janë marrë katër licenca për shfrytëzimin e mermerit dhe granitit në Kosovë. Por, para kësaj, ajo e ka paraqitur një rast të sulmit ndaj një punëtori të saj në polici.
Sulmuesi i cili kërkonte aksione në minierat e saj të planifikuara, sipas Fox Marble, ishte biznesmeni Latif Lushtaku. Ai i mohon se ka kërkuar interesa dhe ka sulmuar stafin e kompanisë britanike. Fox Marble, që ndër të tjera ka bërë edhe përpjekje për të bindur investitorët e huaj se në Kosovë nuk ka rrezik për të investuar, thotë se ka dal e pashpresë.

Isen Shahini, zyrtar i kompanisë britanike Fox Marble, thotë se është sulmuar nga biznesmeni Latif Lushtaku, para një muaji në qendër të Prishtinës.
Shahini, i cili thotë se është përfaqësues i kësaj kompanie për Kosovë, deklaron se Lushtaku ka shtyrë që të hyjë në biznes me ta duke e kërcënuar se nëse nuk e bën këtë, kompania e tij nuk do të mund të punojë në Kosovë.

Pasi që Fox Marble ka kundërshtuar bashkëpunimin me Lushtakun, Shahini ishte sulmuar në mes të ditës në afërsi të hotelit Grand nga Lushtaku dhe një person tjetër.
“Jem takuar dy herë me Latif Lushtakun. Herën e parë ai më kontaktoi përmes një personi tjetër. Donte aksione. Ishte reket”, tha Shahini për Gazeta Jeta në Kosovë.
Biznesmeni Latif Lushtaku mohon akuzat se i ka kërkuar Shahinit që të blejë aksione nga kompania e tyre duke thënë se nuk ka interesa në atë biznes.

“Unë i kam punët dhe bizneset e mia dhe nuk dua të kem asgjë me ta”, tha Lushtaku, duke shtuar se policia nuk e ka intervistuar atë në lidhje me pohimet e Fox Marble./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›