Kompanitë e njëjta fitojnë tenderët

Nga: Fatos Shala
Nuk kanë nevojë të lodhën shumë në përgatitjen e dokumenteve. Madje, as konkurrencës nuk kanë arsye t’i frikësohen. Tenderët për mirëmbajtje të rrugëve i kanë të siguruara me “tapi”.
Ky fakt është duke ndodh tani e disa vite në Komunën e Prishtinës. Autoritet e kryeqytetit çdo vit ua ndajnë tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve të njëjtave kompani.
Punët për mirëmbajtjen e rrugëve si gjatë verës ashtu edhe dimrit i kryejnë kompanitë “Pastrimi”, “Toifor”, “VZ company”, “Dardania” dhe “Zahiri”. Tri nga këto kompani marrin tender për mirëmbajtjen e rrugëve në qytet kurse dy te tjerat për rrugët rurale.
Edhe këtë vit këto kompani do të mirëmbajnë rrugët e Prishtinës dhe vendeve rurale. Sivjet komuna ka ndarë 440 mijë euro për këto kompani që do të mirëmbajnë rrugët.
Ndërmarrjet “Zahiri”, “Toifori”dhe “Pastrimi” i kishin mirëmbajtur rrugët edhe vitin e kaluar.
Me punën e tyre nuk kishte qenë i kënaqur as nënkryetari i Prishtinës, Avdullah Hoti. Ai pati pranuar dështimin e tyre në një konferencë për media në të cilën kishte kërkuar ndihmë nga niveli qendror.
Megjithatë, tenderët kanë vazhduar t’i marrin të njëjtat kompani.
Këtë fakt u mundua ta arsyetoj në konferencë për media drejtori i shërbimeve publikë në komunën e Prishtinës Agim Gashi.
“Në këtë fushë konkurrenca është mjaft e vogël, nuk ka konkurrencë të mjaftueshme ashtu siç do të kishim dëshiruar. Por edhe një element tjetër ta themi se krejt cilësia e këtyre punëve lidhet edhe me vlerën e buxhetit, të cilin komuna e posedon. Sa më i madh të jetë buxheti, mund të ofrohen cilësi më të mira pune”, ka thënë Gashi.
Mirëpo, në Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik është evidentuar numër më i madh i kompanive që kanë konkurruar për të fituar tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve.
Në tenderin “ Mirëmbajta dimërore e rrugëve rurale” të shpallur nga komuna e Prishtinës për këtë vit kanë konkurruar gjithsej 7 kompani. Por, këtë tender e kanë fituar përsëri kompanitë e njëjta “Dardania” dhe “VZ company”. Vlera e këtij tenderi është mbi 170 mijë euro.
Edhe të tenderi “Mirëmbajtja e rrugëve lokale” konkurrenca ka qenë e madhe. Por, përsëri tenderin pa u lodhur fare e kanë fituar kompanitë “Zahiri”, “Pastrimi” dhe “Toifor”. Velra e këtij tenderi është mbi rreth 300 mijë euro.
Të njëjta kompani kanë marr tenderë nga Komuna e Prishtinës edhe në mirëmbajtën e rrugëve gjatë sezonit verorë. Edhe në këta tender nuk ka lëvizur asnjë kompani edhe pse në garë ka pasur kompani të tjera. /Indeksonline/