Kompania e ndërtimit po rrokullis PS-në
Komisioneri për zgjerim i KE-së, Olli Rehn, tha se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat e zhvilluara në Shqipëri deri më tani, ndonëse ka pasur probleme që sigurisht duhen korrigjuar. Një deklaratë inkurajuese për të gjithë shqiptarët, pasi vlerësimi i zotit Rehn vazhdonte me një paragraf tjetër shpresëdhënës, ku thuhej se nëse ritmet e bërjes së reformave në Shqipëri janë të njëjtat me të deritanishmet, atëherë në mesin e vitit të ardhshëm, Brukseli do të shqyrtojë propozimin që shqiptarët të lëvizin të lirë, pa viza. Në ditët kur opozita socialiste, e kapur nga ish-kryetari kandidat për rikryetar, po lajmëron bojkotin, vendim i marrë jashtë forumeve, sinjalet e ndërkombëtarëve nuk janë në rezonancë me ngjarjet bashkiake në PS. Tërheqja nga konkurrimi në selinë rozë e Blushit e më pas e Malajt, ka bërë që Rama të ndërmarrë udhëtimin brenda godinës për të gjetur një “kundërshtar” që ka dalë surprizë dhe me emergjencë përballë dhunuesit të statutit e shpreson se do të fitojë, por le të tolerojmë që Rama t’i numërojë votën e tij e të mos e marrë ai gjithë “vullnetin e PS-së”.
Për të qenë më të drejtpërdrejtë, duke lexuar atë që ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në Partinë Socialiste mirë është që të hedhësh sytë mbi të vetmin sektor që kriza i shkon tangent, mbi sektorin e ndërtimit dhe kush e ka monopolin e dhënies së lejes së punës, në kantierin më të madh, pra në Tiranë? Sa ka ndikuar ky pushtet në deformim të ngjarjeve në PS, të shpërbërjes së vullneteve politike dhe filozofisë së ndërtuar ndryshe, për sa kohë Rama nuk ishte kryetar bashkie.
Po të shohësh me kujdes dhe të hysh në arkivat e ndërtimit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo me persona të afërt, them se mbështetësit më të mëdhenj të Ramës në parti në përpjekjen e tij për të mos ikur janë personazhe që kanë biznese të kahershme në ndërtim e nuk duan të falimentojnë, por vetëm të trashin pasuritë që më pas t’i paguajnë dhe taksën lejedhënësit, por të mbeten dhe ne ndenjëset e Kuvendit me privilegje të pacenuara.
Qyteti që po ndërtohej nga Delijorgji, sigurisht me leje të dala nga bashkia, mos gabohem vazhdon të lulëzojë për të përfunduar sa më parë, ndonëse sipërmarrësi kryesor i këtij biznesi gjendet në burg prej më shumë se një viti në pritje të gjykimit për një krim të rëndë që nuk u hetua as u mbikëqyr nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ndoshta Prokuroria e ka në axhendë në një nga episodet hetimore që të vendosë për ardhmërinë e kësaj pasurie, pasi të bindet për origjinën e saj
Në një nga spotet elektorale të Partisë Demokratike, bashkë me fotot e disa drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste, jepeshin edhe fotot e pallateve që ishin ndërtuar ose po ndërtoheshin në Tiranë dhe që sigurisht këto janë miqësi ekonomike të pastra që kanë buruar krejtësisht nga afria me kryetarin e bashkisë. Pra, politikanë të konvertuar në ndërtues dhe anasjelltas ndërtues që në pak muaj u angazhuan në bursën e politikës dhe aty u emëruan duke na dhënë shembullin që njerëzit e pasur janë modeli më i mirë politik, por që në zgjedhje dolën humbës në rezultat, me gjithë ndryshimin e peshës së parave para dhe pas 28 qershorit të 2009-s. Ka pasur të përfshirë në listën Këshillit të Sigurimit si persona të lidhur me financime për terrorizmin, që në Shqipëri janë pronarë tokash të blera herët në Tiranë, si jordanezi Abdyl Latif Saleh, e më pas trojet kanë ndërruar pronësi shpejt e shpejt, duke u ngjyrosur pak politikisht e kthyer në pallate shumëkatëshe jo më larg se 500 metra larg selisë së bashkisë apo PS-së. Për këtë nuk gjendet shkak, fakt, argument e motiv të fajësosh një parti, as që bëhet fjalë të shkosh aq larg vetëm duke menduar. Janë pallati, leja, toka dhe pronarët ata që provojnë miqësitë dhe lidhjet e marrëveshjeve të përbashkëta. Kështu është kultivuar interesi duke formuar në selinë e PS-së padrejtësisht një zyrë aspak politike, por një zyrë biznesi e financash që bën listën e të preferuarve e të ndëshkuarve, duke vënë veton për pakësimin dhe shtimin e parave për njerëz të rinj e të vjetër në kupolën që dëmton keqas opozitën. Frika që shfaqet në kufijtë e formacionit politik të drejtuar deri më tani gjithnjë drejt humbjes nga Rama, është a do të ketë më sheshe ndërtimi në Tiranë edhe dy vjet, që ai të mundet të mbajë nën presionin e firmës aq vota sa i duhen. Gjasat zvogëlohen përditë, vetëm nëse do të kthehet të presë pemët e pagjethe të mbjella sa për të bërë lajme e të japë leje ndërtimi. Vrapi drejt liqenit, betonizimit të tij, mungesës së planit rregullues, më vërtet, mosdorëzimit të tij, por mbajtjes peng e rezervë si një mollë e ndaluar për përkrahësit ose kundërshtarët, provon se cilësia e politikës te Rama ka shumë përqindje betoni dhe hekuri duke sjellë provën e vërtetë të mosmarrjes pjesë në krye të listës për të hyrë në Parlament, në sheshin e betejës politike.
Rama mori dhe mbështetjen e partisë joparlamentare, pra të Skënder Gjinushit për të mos hyrë në Kuvend, për të bojkotuar punimet që nisin sot, me shpresën se vetëm jashtë loje mund të bëhen faktorë për në lojë. Kështu, ata kanë dhënë shembullin se janë dy politikanët e vetëm që nuk lexojnë fjalinë refren të të gjitha vlerësimeve vendase dhe të huaja, se 28 qershori dha zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri. Nuk ka asnjë dobi për socialistët që të shikohen si punëtorë të një kompanie ndërtimi, ku president i kompanisë bëhet kryetari i partisë. Për këtë kompani është më mirë të këtë një tërmet, që u tentua nga kundërshtitë në bord të Blushit, Malajt, Islamit, Bellos, Harasanit, se kështu shpëton partia, se kompani ka e do të ketë gjithmonë... Me ndëshkimin që pritet për “rebelët” në PS vështirë se do të dëgjojmë zëra ndryshe ndaj Ramës së Dytë në parti dhe të majtët do të jenë në këtë mandat opozitar në udhë për të gjetur një lider më tepër se një president të një kompanie ndërtimi.