Kompensim i plotë i dëmeve materiale ndaj bizneseve gjatë protestave

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot aktin normativ për kompensimin e dëmeve materiale të shkaktuara ndaj bizneseve nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve të zhvilluara nga data 13 deri më 22 tetor 2026.
Skema parashikon kompensimin në vlerën e plotë të dëmit mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues me qarkullim deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës vjetore të vitit 2025.
Kompensimi nga shteti mbulon pasuritë e pasiguruara, ndërsa për pasuritë e siguruara, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit sipas kontratës përkatëse. Kur kontrata nuk mbulon dëmtimet nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar për qëllimet e këtij akti. Në rastet kur sigurimi mbulon vetëm një pjesë të dëmit, shteti kompenson pjesën e pambuluar.
Pas hyrjes në fuqi të aktit normativ, subjektet e dëmtuara duhet të paraqesin kërkesën për kompensim pranë administratës tatimore, së bashku me dokumentacionin dhe provat për dëmin e shkaktuar.
Administrata tatimore verifikon plotësinë e dokumentacionit, mbledh të dhënat paraprake për kërkuesin dhe ia përcjell dosjen Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit brenda pesë ditëve pune nga marrja e kërkesës.
Ministria i kërkon më pas Policisë së Shtetit të verifikojë, brenda 30 ditëve, nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit. Si provë mund të shërbejë edhe dokumentacioni i hartuar nga punonjësit e policisë të pranishëm gjatë tubimit.
Kur Policia e Shtetit konfirmon këto rrethana, ministria pranon kërkesën dhe, brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës në llogarinë bankare të subjektit të dëmtuar. Në mungesë të provave të mjaftueshme, kërkesa nuk pranohet dhe aplikuesi njoftohet.
Kompensimi kryhet pavarësisht nëse është identifikuar personi që ka shkaktuar dëmin, organizata që e ka urdhëruar atë apo organizatori i protestës.
Procedurat e shqyrtimit të dokumentacionit, verifikimit me Policinë e Shtetit, vlerësimit të dëmit nga ekspertë të licensuar dhe kryerjes së pagesës do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për Ekonominë dhe Inovacionin.
Efektet financiare përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, me fonde që alokohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pas kompensimit, shteti ka të drejtë të kërkojë nga shkaktuesi i dëmit kthimin e shumës së paguar. Kur autori është identifikuar, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton Avokaturën e Shtetit, e cila e fton atë ta shlyejë vullnetarisht detyrimin. Nëse shuma nuk paguhet brenda 30 ditëve, Avokatura ngre padi për rikuperimin e saj.
Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësi ose vendim për pushimin e çështjes apo ndjekjes penale, pasi ka rezultuar se ai nuk e ka kryer veprën.
Për dëmet e shkaktuara nga të miturit ose personat e pazotë për të vepruar, përgjegjësia e prindërve, kujdestarëve apo personave të ngarkuar me mbikëqyrjen përcaktohet sipas kushteve të parashikuara në akt dhe në Kodin Civil.
Akti parashikon gjithashtu ndjekjen nga Avokatura e Shtetit të kërkesave për shpërblimin e dëmeve ndaj pasurisë shtetërore dhe publike. Institucionet e dëmtuara dhe Policia e Shtetit i përcjellin asaj të dhënat për dëmet dhe subjektet përgjegjëse, për ngritjen e padive përkatëse.
Subjektet ndaj të cilave është vendosur gjobë kanë të drejtën e ankimit gjyqësor, sipas rregullave dhe afateve të legjislacionit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
/m.m/r.e/