E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët, si llogariten pikët para se të plotësohet formulari A2

A student trying to cheat on the examsTashmë me përfundimin e provimeve me zgjedhje, maturantët kanë në duar të gjitha rezultatet që iu nevojiten për të përllogaritur edhe pikët për në universitet, sipas një formule të caktuar.
Formulari A2
Formati i ri i formularit A2, i cili edhe këtë vit do të plotësohet online, pritet të jetë gati këto ditë, ku dhe MASH do të publikojë udhëzimin për plotësimin e tij në internet. Por, përpara se të zgjedhin 10 preferencat me anë të këtij formulari, maturantët duhet të llogarisin pikët me të cilat do të konkurrojnë. MASH ka vënë në dispozicion të të gjithë nxënësve formulën përkatëse, dhe për tiu ardhur në ndihmë, gazeta publikon një shembull për mënyrën si llogaritën këto pikë. Pasi të kenë përfunduar këtë hap, maturantët duhet të konsultohen me tabelën e pikëve të fituesve të fundit, të cilën gazeta e publikon të plotë për të gjitha degët.
Plotësimi online
Mbi bazën e kësaj tabele kandidatët për në shkollat e larta do të krijojnë një ide nëse i afrohen apo jo degës së tyre të preferuar. Në formularin A2 ata do të mund të zgjedhin 10 preferenca. Plotësimi i formularit do të bëhet në dy faza. Fillimisht do të kryhet regjistrimi on-line dhe më pas dorëzimi i dokumentacionit shtesë pranë institucioneve të arsimit të lartë publik ku janë shpallur fitues maturantët. Pasi MASH të shpallë datat që kanë në dispozicion për të plotësuar formularin A2, do të duhet të paguajnë edhe një tarifë prej 2000 lekësh.
Pranimet
Mandatpagesën duhet ta kenë me vete ditën që paraqiten në shkollë për të plotësuar formularin. Kandidatët duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e 10 preferencave pasi do shpallen fitues vetëm në njërën prej tyre. Për pranimet në universitete do të ndiqet parimi meritë-preferencë. Sipas këtij parimi, mbi bazën e kuotave të përcaktuar shpallet fitues kandidati që ka grumbulluar më shumë pikë për të njëjtën preferencë.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Model për përllogaritjen e pikëve
Ana aplikon në Universitetin e Tiranës për të vazhduar studimet në degën e Mjekësisë. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili natyror, dhe ka një notë mesatare nga shkolla e mesme 8.34. Në dy provimet e detyruara ajo ka këto rezultate: në Letërsi 8.72 dhe në Matematikë 9.15. Ajo ka zgjedhur si provime me zgjedhje ato që përfshihen në bllokun natyror dhe ka si rezultate: në Fizikë 9.23 dhe në Biologji-Kimi 9.52. Fakulteti i Mjekësisë ka shpallur se shkolla e mesme e përgjithshme e profilit natyror ka koeficientin 1.4. Po ashtu, Fakulteti i Mjekësisë ka shpallur se parapëlqen bllokun natyror, pra zbaton koeficientin 1.3 për këtë bllok. Atëherë kryhen këto llogaritje:Shumëzojmë:
8.34 (nota mesatare e shkollës së mesme) x 1.4 (koeficienti për llojin e shkollës) = 11.676
Shumëzojmë:
8.72 (nota në Gjuhë-Letërsi) x 1.4 (koeficienti për llojin e shkollës)  = 12.208
Shumëzojmë:
9.15 (nota në Matematikë) x 1.4 (koeficienti për llojin e shkollës) =12.81
Shumëzojmë:
9.23 (nota në Fizikë) x 1.3 (koeficienti për bllokun me lëndët me zgjedhje të preferuar) = 11.999
Shumëzojmë:
9.52 (nota në Biologji-Kimi) x 1.3 (koeficienti për bllokun me lëndët me zgjedhje të preferuar)  =12.376
Secili prej rezultateve shumëzohet me 100:
11.676 x 100 = 1167.6
12.208 x     100 = 1220.8
12.810 x 100 = 1281.0
11.999 x 100 = 1199.9
12.376 x 100 = 1237.6
Rezultatet mblidhen
1167.6 + 1220.8 + 1281.0 + 1199.9 + 1237.6 = 6106.9
Ana ka grumbulluar 6106.9 pikë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›