Kompensimi i pronarëve, pas zgjedhjeve ndahen 300 mln lekë
Nënkryetari i AKKP-së Agim Toro shpjegon ndarjen e fondit fizik dhe atij financiar
Kompensimi financiar i ish pronarëve do të nis pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Një fond prej 300 milionë lekësh do të shpërndahet për këtë kategori brenda këtij viti (2013). Lajmi është konfirmuar dje nga Agim Toro, nënkryetar i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Kompensimi financiar
Fondi prej 300 milionë lekë që do të ndahen gjatë këtij viti, pritet të lëvrohet sapo qeveria të miratojë një akt normativ, për të përcaktuar kriteret e shpërndarjes. “Në buxhetin e shtetit të vitit 2012 ishte planifikuar një shumë rreth 300 milionë lekë të reja për kompensimin e subjekteve të shpronësuara të cilët kishin një vendim kompensimi. Këto para janë ndarë, presim të ndajmë fondin për vitin 2013, i cili është në të njëjtat vlera, po akoma nuk kemi aktin, vendimin e këshillit të ministrave, i cili urdhëron mënyrën se si do të shpërndahen. Nuk besoj se do të dalë para zgjedhjeve shpërndarja e këtij fondi”, tha Agim Toro, nënkryetar i AKKP-së.
Kompensimi fizik
Kështu sipas AKKP-së fondi i kompensimit financiar për pronarët në vitin 2013 është i njëjtë me atë të një viti më parë, 300 milionë lekë. Ndërkaq këtë javë pritet të nisë kompensimi në vlerë monetare për pronarët, tokën e të cilëve e kanë zënë ndërtimet pa leje. “Për sa i përket kompensimit fizik, dhe ky fond i është vënë në dispozicion AKKP, dhe po kryhet hetimi administrativ për të parë realisht si janë në terren këto sipërfaqe toke. Pritet për vitin 2013 të fillojë procedura e kompensimit fizik”, tha Agim Toro, nënkryetar i AKKP-së.
Fondi i tokave
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, pronarët që iu është zënë prona, në 2013-ën do përfitojnë më shumë se vitin e kaluar, 57 % të vlerës nga 47 % që është paguar vitin e kaluar. Tokat për kompensimin fizik janë gjetur, pritet edhe në këtë rast akti normativ i qeverisë. “Janë pronarë të cilët nga ligji i titullit të pronësisë në bazë të ligjit të legalizimeve, kompensohen me çmimet e tregut që janë vendosur nga Këshilli i Ministrave. Ne kemi një fond që kap vlerat rreth 15 milionë dollarë. Besoj se që brenda 3-4 ditëve pjesa më e madhe e këtyre procedurave përfundon dhe do të shpërndahet një pjesë shumë e madhe e këtij fondi”, tha Toro. AKKP ka tashmë një hartë të sipërfaqes së tokës që do të shpërndahet për kategorinë që përfiton nga kompensimi fizik. Skema përfundimtare efektive e kompensimit brenda vitit 2013 do të bazohet në parimet e planifikimit urban afatgjatë.
300
milionë lekë ka qenë fondi i vitit 2012 për kompensimin financiar të ish pronarëve, po kaq është caktuar edhe fondi i këtij viti i cili pritet të shpërndahet pas zgjedhjeve të 23 qershorit
15
milionë dollarë është fondi për kompensimin e pronarëve që iu është zënë toka nga ndërtimet informale
45
milionë lekë do ndahen këtë javë, për një pjesë të ish pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin në tre këste