E Diel, 1 Nëntor 2026

Komplikohet rikthimi Kaka, Milani e do pothuajse falas

Rikthimi i Kaka te Milani është i vështirë, dhe këtë e kishin të qartë të gjithë. Kuqezinjtë janë të gatshëm ti hapin derën mesfushorit brazilian, por duhet nënvijëzuar se që kjo të ndodhë, klubi italian ka përcaktuar disa kushte. Administratori Adriano Galiani e ka thënë qartë se Kaka do të kthehej te Djalli, vetëm pa paguar dhe lojtari duhet të pranojë të ulë rrogën. Gjithçka është çështje numrash, e madhe edhe e numrave në fanellë. Edhe pse 22-shi te Milani ka mbetur i lirë, pasi Noçerino preferoi të luajë me 8-ën e lënë nga Gatuzo, askush nuk duhet të krijojë iluzione se afrimi i Kakasë është drejt realizimit.
Kushtet
Nga Spanja kanë lënë të nënkuptohet që Milani është i gatshëm të paguajë 13 milionë euro për kartonin e fantazistit 30-vjeçar, megjithatë Galiani ka përcaktuar kushtet e tij: që Kaka të kthehet te Milani, Reali i Madridit duhet të pranojë ta huazojë pa pagesë në San Siro. Një operacion i vështirë të realizohet, edhe sepse në këtë mes Reali humbet shumë, ndërsa kuqezinjve duan vetëm të përfitojnë, pasi më parë ia kanë madrilenëve shitur Kakanë për rreth 65 milionë euro. Kushti i dytë lidhet me futbollistin. Kaka duhet të pranojë të ulë rrogën, nga 10 milionë euro në vit që përfiton te Reali në vetëm 5 milionë euro. Kërkesa, nga e cila Milani pretendon të jetë sërish përfituesi më i madh është parashtruar në formën që Kaka duhet ta cilësojë këtë si një provë dashurie. Tashmë i mbetet mesfushorit të tregojë se në futboll nuk vlejnë vetëm paratë, ndërsa te Milani ai do të kishte shansin më të mirë që të vërtetojë se pavarësisht vendimit të Murinjos për ta larguar nga Santiago Bernabeu, Kaka mbetet një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim.
—————–]
Maikon: Te Reali ose nuk luaj!
Daglas Maikon i ka bërë të qartë Interit se dëshiron të transferohet sa më parë të Real Madrid. Futbollisti që sapo ka mbushur 31 vjeç, po stërvitet me pjesën tjetër të ekipit, por ka refuzuar të zbresë në fushë në miqësoret e zhvilluara deri tani dhe ato të ardhmet, për shkak se nuk dëshiron të rrezikojë një dëmtim të mundshëm që do ti mbyllte rrugën transferimit të tij në Spanjë. Zhoze Murinjo admiron futbollistin dhe do të dëshironte ta kishte me vete në Spanjë që dy sezone më parë, kur i dha lamtumirën Interit pasi kishte fituar gjithçka me zikaltërit. Tani futbollisti ka edhe një vit kontratë të mbetur me Interin dhe kjo skuadër dëshiron që të përfitojë të paktën 10 milionë euro nga largimi i tij. Fillimisht mendohej se këtë shumë do ta paguante Çelsi, që ishte gati të rriste ofertën deri në 15 milionë euro për të siguruar lojtarin e krahut të djathtë. Por ftesa e Murinjos bëri që Maikon të ndryshojë mendje dhe të kërkojë tashmë vetëm transferimin në Spanjë. Sipas Marca, futbollisti ka qenë shumë i qartë me drejtuesit e klubit, të cilët nesër duhet të dërgojnë në UEFA listën e futbollistëve që do të regjistrojnë për pjesëmarrjen në Europa League. Maikon nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë aktivitet për të mos humbur mundësinë e aktivizimit në Ligën e Kampioneve me Realin, gjë të cilën ia ka bërë të qartë edhe trajnerit Stramaçioni. Situata ka shkuar deri aty sa gazeta spanjolle shkruan se braziliani ka paralajmëruar drejtuesit zikaltër që nëse e përfshijnë në këtë listë, ai do të refuzojë të zbresë në fushën e lojës, edhe nëse kjo do të thotë se ai do të gjobitet rëndë nga klubi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›