E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komplikohet situata për Lushnjën, duhen patjetër 3 pikë në Sarandë

Nga Julian Kasapi

Për lushnjarët nuk ka kohë pushimi, sepse ngjeshja e kampionatit i detyron të jenë në formë për takimin e radhës. Nuk ka pasur pushim për verdhejeshilët as ditën e diel, kur në ambientet sportive të stadiumit Roza Haxhiu ka nisur puna për sfidën e radhës në kampionat, që është një tjetër transfertë, ajo me Butrintin.

Lushnja u kthye me një pikë nga Elbasani pas barazimit 0-0, rezultat që në pamje të parë mund të konsiderohet i kënaqshëm, por që për objektivin e verdhejeshilëve nuk bën punë. Kundërshtari është jashtë objektivit dhe lushnjarët mendojnë se luajti shumë fort për tu bërë ndonjë nder rivale të tyre.

Gjithsesi, Lushnja ka luajtur një nga ndeshjet më të dobëta, siç e ka pranuar edhe trajneri Saimir Malko, Pas barazimit në Ruzhdi Bizhuta situata është komplikuar shumë dhe ngjitja direkte në superligë duket shumë e vështirë për myzeqarët. Vetë futbollistët dhe drejtuesit shprehen se do tia bëjnë hyzmetin si duhet çdo ndeshjeje të mbetur për të fituar dhe për ta arritur objektivin.

Në Sarandë synohet 3-pikëshi dhe trajneri Malko e ka marrë punën me nxitim, pasi nuk ka shumë kohë në dispozicion për të bërë gati skuadrën. Me Butrintin do të jetë e vështirë, por jo e pamundur për tu fituar nga lushnjarët, të cilët do të kërkojnë me ngulm të kthehen me pikët maksimale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›