Selimaj: Luftëtari do të kthehet me dinjitet nga Burreli
Portieri shkodran, Erind Selimaj, thekson se ekipi i tij është i përgatitur për të kaluar me sukses edhe transfertat më të vështira
Ndeshja Luftëtari-Butrinti u prit me interesim për arsye se i pari vinte pas humbjes në Lushnjë, pra pas njëfarë tronditjeje, kurse i dyti kishte ambicie për të bërë një boom në kështjellën e pamposhtur të gjirokastritëve për këtë kampionat. Fitorja 3-0 e Luftëtarit më tepër është vepër e mbrojtësve dhe e mesfushorëve, pasi golat u realizuan nga mbrojtësit Sinani dhe Baci, si dhe mesfushori Strati.
Këta gola u përgatitën nga Baci dhe Çaço, por edhe nga vetë kapiteni Devolli më në origjinë. Vetëm një 11-metërsh u fitua nga sulmuesi Braho, por të gjitha këto janë tregues për statistikë, sepse në fakt të gjithë luftojnë për të shënuar në portën kundërshtare dhe të mos pësojnë gol në portën e tyre. Janë zhvilluar 22 ndeshje dhe portieri shkodran i Luftëtarit, Erind Selimaj, në gjysmat e tyre nuk ka pësuar gol.
Për javën e 23-të Luftëtari ka një transfertë mjaft të vështirë, përderisa do të luajë në Burrel me ekipin vendës. Zakonisht vëmendja përqendrohet te golashënuesit, për vetë faktin se goli është vetë objektivi i kësaj loje, duke harruar portierët, të cilët në thelb janë po aq të rëndësishëm dhe në mjaft raste më përcaktues se të tjerët, edhe pse loja e futbollit, sikundër pranohet nga të gjithë, është kolektive dhe forca e grupit është grushti goditës.
Selimaj Portieri është ai që eviton dhe pëson golin. Të mos pësosh gol në 11 ndeshje nga 22 të luajtura dhe të mos mungosh asnjë çast në burgun e rrjetës është diçka e bukur dhe me shumë vlera, ndaj dhe Erind Selimajt i takojnë lëvdatat Ai është fjalëpak e modest, i përkushtuar në stërvitje dhe në lojë. Ja çfarë thotë ai për fitoren e fundit dhe ndeshjen e nesërme në Burrel:
Fitorja e Luftëtarit me Butrintin u arrit në sajë të lojës plot impenjim të 14 lojtarëve që u aktivizuan. Mbrojtja jonë u tregua në lartësinë e duhur dhe pothuajse në asnjë çast nuk u rrezikuam seriozisht, ndërkohë që në aspektin sulmues morën pjesë edhe mbrojtësit, ku Sinani u bë edhe golashënuesi i parë.
Ekipi ynë deri tani ka ecur me ritmin më të mirë dhe besoj se edhe në 8 ndeshjet e mbetura kështu do të vazhdojë. Këtë javë kemi dy ndeshje, në transfertë me Burrelin dhe në fushën tonë me Besën, që kuptohet se duan një angazhim shumë më të fortë sesa ndeshja me Butrintin.
Ne do të shkojmë në Burrel me mendje fituesi dhe do të bëjmë gjithë përpjekjet sportive për të dalë me dinjitet edhe nga kjo përballje. Luftëtari e ka treguar disa herë se është i specializuar edhe për kësisoj betejash në transferta.
11 ndeshje
pa pësuar gol ka portieri i gjirokastritëve, nga 22 të zhvilluara deri tani nga ky kampionat. Ai nuk ka munguar në asnjërën prej tyre.
11 gola
ka pësuar deri tani portieri Selimaj. Më pak se ai ka pësuar vetëm portieri i Besëlidhjes, Xhika (8)
