E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompromis Ruçi-Patozi, shtyhet Gjykata Administrative

SHKRUAN: Fejzi Braushi 14-09-2011 11:33

Ka mbetur në mes tentativa e Kuvendit për të miratuar gjatë seancës së djeshme projektligjin e shumëdebatuar të Gjykatës Administrative. Mazhoranca ka pranuar ta heqë atë nga rendi i ditës së çështjeve që duhet të diskutoheshin dje, ndërkohë që kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se kjo nismë mbetet në kalendar për javët e ardhshme. Tërheqja ka ardhur pas negociatave që kanë zhvilluar dy krerët e grupeve, Astrit Patozi për demokratët dhe Gramoz Ruçi për socialistët.

Tërheqja

Ndërsa seanca e së martës pritej me shumë interes për vetë faktin se në të duhej të testohej konsensusi i parë mes opozitës dhe shumicës qeverisëse, kjo gjë nuk është bërë e mundur të arrihej. Megjithëse kjo mund të thuhet vetëm për konsensusin në seancë, pasi jashtë saj dy grupet kryesore parlamentare kanë gjetur mirëkuptimin për të shtyrë në një afat të pacaktuar miratimin e projektligjit “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”. Një fakt të tillë e ka deklaruar vetë kryetarja e Kuvendit që në çelje të seancës së djeshme, duke bërë të ditur se dy grupet parlamentare janë marrë vesh që ta shtyjnë këtë çështje për në një seancë tjetër. “Projektligji ‘Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative’, nuk do diskutohet sot. Kjo pasi kryetarët e dy grupeve kryesore parlamentare kanë rënë dakord që ta heqin atë nga rendi i ditës. Por pavarësisht kësaj, ky projektligj mbetet në kalendar për javët e ardhshme”, - tha Topalli. Kështu, të djathtët kanë rënë dakord që, për të mos tensionuar situatën në këtë moment kur palët kanë dhënë shenja për të bashkëpunuar për reformat integruese, ta tërheqin draftin nga rendi i ditës së djeshme, për t’i hapur rrugë ndoshta dhe një rikthimi të tij për diskutime në komisione, sipas kërkesës së socialistëve. Një gjë të tillë e ka konfirmuar gjatë seancës së djeshme dhe lideri i mazhorancës, kryeministri Sali Berisha, i cili është shprehur i gatshëm që t’i japë mundësi opozitës që ta diskutojë dhe një herë në komision këtë nismë. “Sot kërkuat tërheqjen e ligjit për Gjykatën Administrative. Dakord, por e keni votuar në komision me të gjitha votat dhe janë procesverbalet, por nuk ka rëndësi, shqyrtojeni sërish. Dhe shqyrtoni çdo ligj”, - tha Berisha në fjalën e tij të mbajtur gjatë seancës së djeshme.

Votimi

Megjithatë, duket se kjo tërheqje ka qenë e detyrueshme për shumicën, pasi siç dihet nisma në fjalë hyn tek ata projektligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash për t’u miratuar, vota që e djathta nuk i zotëron në Kuvend. Një avancim me kokëfortësi vetëm e vetëm për të vënë opozitën para përgjegjësisë, mund të sillte nga ana tjetër shtyrjen e projektligjit me gati gjashtë muaj të tjerë, gjithmonë nëse ai nuk do mund të merrte dje votat e duhura. Sipas procedurës legjislative, një projektligj nuk mund të futet më në rendin e ditës së Kuvendit nëse nuk merr votat e duhura, veçse gjashtë muaj pas seancës kur edhe është votuar për herë të fundit. Nga ana e saj opozita kishte bërë të qartë dy ditë më parë se nuk do ta votonte një nismë të tillë, duke konsideruar futjen e tij në rendin e ditës si një provokim që mazhoranca i bënte asaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›