E Diel, 1 Nëntor 2026

PS voton për herë të parë pro në Kuvend

Ndonëse nuk kanë rënë dakord që të hyjnë në diskutime për projektligjin për Gjykatën Administrative, socialistët kanë votuar për herë të parë pas shumë kohësh në sallën e Parlamentit. Madje jo vetëm që kanë marrë pjesë në votim, por në një rast edhe kanë votuar pro nismës që shtrohej për miratim. Bëhet fjalë për një marrëveshjes që qeveria jonë ka arritur me Francën për sigurinë e informacionit të klasifikuar. Në këtë rast socialistët kanë vlerësuar përmbajtjen e tij dhe nuk kanë mbajtur parasysh interesat politike, çka ka bërë që nisma në fjalë të marrë plot 128 vota pro dhe asnjë kundër. Ky përbën dhe rastin e parë, ndoshta, në këtë legjislaturë që grupi parlamentar socialist voton në bllok pro një nisme ligjore. Por vetëm kaq, pasi për të gjitha nismat e tjera ligjore që ishin dje në rend të ditës të majtët ose kanë votuar kundër ose kanë abstenuar. Kështu për projektligjin “Për mbrojtjen e dëshmitarëve” socialistët në shumicën dërmuese kanë votuar kundër, por nuk kanë munguar edhe votat abstenuese. Ndryshimet në këtë ligj kanë marrë 70 vota pro, 51 kundër, 3 abstenime dhe 3 deputetë nuk kanë marrë pjesë në votim. Ndërkohë nisma tjetër, apo për profesionin e infermierit, ka marrë 69 vota pro, 52 kundër, 6 abstenime dhe 2 deputetë nuk morën pjesë në votim. Më pas seanca ka kaluar në votimin edhe të anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në këtë bord janë miratuar si anëtarë Kestrin Katro me 73 vota pro dhe 53 kundër, dhe 3 deputetë nuk morën pjesë në votim; Astrit Hodo: 72 pro dhe 56 kundër. Pjesë e bordit janë bërë dhe bashkëshortet e dy figurave të njohura politike, gruaja e Dashamir Shehit, Enkeljda Shehi, e cila ka marrë 72 vota pro, 53 kundër dhe 3 abstenime, si dhe gruaja e deputetit Shpëtim Idrizi, Enkelejda Idrizi, e cila ka siguruar mbështetje edhe nga opozita, pasi ka marrë 77 vota pro, 47 kundër dhe 3 abstenime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›