E Diel, 1 Nëntor 2026

Retro/Press: Nji dokument i çuditshëm në lidhje me gjatësinë trupore të Skanderbegut

At Zef Valentini

Përballë plotnisë së episodeve, të hollësive e të përshkrimeve piktoreske të gjana që na japin biografitë e ndryshme të Heroit, dihet se dokumentimi zyrtar âsht në përpjestim i mangët dhe, për sa u përket hollësive, në mënyrë shqetësuese i mangët. Prandej, sa herë, na bâhet me dyshue në se disa përshkrime të biografëve mos qenë pjellë e trunit, ose madjè me nji qellim panegjiristik. I tillë, për shembull, do të ishte lajmi se Skanderbegu na paska qenë me nji gjatësi trupore disi vigane se sa të naltë. Po të ishte ndonji njoftim i cili të mos u pritte të vertetohej me dokumenta, do të ishte shi ky; e m'anë tjetër nuk do të ketë tjetër vertetim me anën e vezhgimit të kufomës, tue pasë parasysh se âsht shkatrrue prej pushtuesve të Krujës të cilët, si dihet, sejcili sish deshti të marrë soje nji copë të vogël si nuskë.

Kurse tash po shohim nji dritë të zbehtë në nji kërkesë të panjohun të cilën, ndër të tjera, Kastrioti ia dërgonte Senatit Venedikas (1) nepërmjet të dërguemit të vet, protonoterit apostolik priftit Gjergj Pelini abat i Shën Mërisë së Ratacit pranë Tivarit. Kërkesa âsht i dyti ndër nandë kapitujt e lutjes, e kumbon pikëpërpikë kështu: "Ad Secundum. Guarda per j panni j quali me hano promesso de dar do veste alano, che me diano le Veste lequal son per mi, chomo hano dado ali altri signori, perche dixeno che me po esser de braza 16. de veste, deche signori guarde quanti brazi da panno me pono esser do veste, tanti me dadi. Mo signori, quello che piaxe ala vostra Signoria quelo farete de quello panno che bexognera per mi" (2). Më thanë të drejtën, ndonse Senati jepte ketë përgjegje: "Etsi capitulum sit clarum et aperte loquatur"(3), kerkesa nuk âsht krejt e kjartë. Sido me qenë na del së pari (dhe e dijmë edhe prej shumë dokumentave të tjerë venedikas) se ishte zakon e qeverimeve në Shqipní, shpesh sanksionue edhe prej marrëveshjesh të préme, që me u falë krenëve e zotnive, veshje ose cohna pak a shumë luksi. Prej kapitullit në fjalë del se në atë kohë Venediku u jepte zotnive kryesorë shqiptarë vit për vit gjashtëmbëdhetë kutë cohë për dy palë petka, d.m.th. tetë kutë për çdo petk. Por duket se Skanderbegut nuk i mjaftojshin tetë kutë për nji petk e kështu kërkonte mâ shumë, tue pasë parasysh gjatësinë e tij trupore ("zotnij, kqyrni se sa kutë cohe mund të më mjaftojnë për sejcilin petk"). Atëherë Senati vendosë: Responsio." Et si capitulum sit clarum, et aperte loquatur, jnclinati tamen ad ea que sibi grate sint, ordinabimus quod sibi dentur brachia 18 scarlatini secundum consuetudines pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur".(4) E dijmë mjaft mirë se venedikasit, pa qenë mirfillit koprraca, nuk ishin veç kurr të primun me shkapërderdhë; prandej në qoftë se Skanderbegut ia pelqejshin nji kút mâ shumë cohë për petkun, don me thanë se së paku aq i duhej. Le të bâjmë tashti nji llogaritje të vogël mbi ket punë: në qoftë se për nji njeri me gjatësí trupore të mesme-të naltë zakonisht mjaftojshin tetë kutë për nji petk të bukur të gjanë si ishte zakoni në atë kohë e të gjatë deri te kambët për me qenë hijerandë, ai, të cilit mund t'i duhej nji kút mâ shumë, duhet të ishte me nji gjatësí trupore bukur të naltë: ta vêmë masën e zakonshme 1,75 m; përpjestimi midis 8 kutëve e 1,75 m. i përgjegjet atij ndërmjet 9 kutëve e 1,98 m. gjatësí trupore. Skanderbegu prá na paska qenë diçka mâ pak se 2 metër i gjatë. Po deshëm të saktësojmë edhe se sa cohë i duhej për nji petk, kemi me thanë se, tue qenë kuti venedikas i gjatë 0,58 m., 9 kutë bâjnë 7, 12 m. Nji masë e tillë kishte me qenë afërsisht sa dyfishi i asaj që do të duhej sot për me bâ nji mallotë të rahatshme por duhet pasë parasysh se petku i asaj kohe ishte mâ i gjatë, shumë mâ i gjanë e i derdhun e me mangë shumë të gjana. Mëkat që prej rreth katërdhetë petkave që Skanderbegu duhet të ketë bâ në rreth njizet vjetët me marrëdhanie pak a shumë të mira me Venedikun, të mos na ketë mbetë as edhe nji e të mos na ketë mbetë gjâ tjetër veçse t'i marrim me mend. (1) Me 8 korrik 1457; dokumenti gjindet në Regjistrin 6 da Mar të Senatit në kartën 26, në shpinë.(2) Po e përkthejmë: "Përpiqu, në lidhje me cohën që më kanë premtue për dy petka në vjetë, që të më japin petka të përshtatshme për mue, si ua kanë dhanë zotnive të tjerë; mbasi thonë se mund të më mjaftojnë 16 kutë për dy petka; por, zotnij, kqyrni se sa kutë më lypen për dy palë petka, dhe aq më jepni. Sido me qenë, zotnij, ajo që i pëlqen Sinjorisë Suej, atê do të bani në lidhje me cohën që asht e nevojshme për mue".

"Shêjzat", XV/1971, Nr. 1-3, fq. 78

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›