Komuna e Istogut shet “Toyota” për 300 euro

Hiç më pakë se 11 vetura, një ngarkues, një mini-gërmues, një auto-cisternë dhe dy kamioneta të përdorura, janë nxjerrë në shitje përmes një ankandi të publik nga Komuna e Istogut, e cila drejtohet nga Haki Rugova. Për të gjitha veturat dhe makinat për punë, komuna ka caktuar një çmim prej 20 mijë e 300 euro.
Përmes këtij ankandi Komuna e Istogut ka nxjerrë në shitje një veturë të zhdoganuar “Toyota”, e prodhuar në vitin 1999, ku çmimi i saj është 300 euro. Po ashtu, përveç kësaj komuna ka nxjerrë në shitje edhe një veturë “Landrover”, të prodhuar në vitin 1999, ku çmimi i saj fillestar është caktuar 900 euro. Në këtë ankand komuna që drejtohet nga Rugova, ka nxjerrë në shitje edhe një veturë “Mercedes”, modeli-407-D, ku çmimi i saj fillestar është caktuar 1200 euro.
Zyrtarë të Komunës së Istogut, thonë se veturat që janë nxjerrë në shitje janë jashtë përdorimit dhe si të tilla nuk i duhen komunës. Kryetari i komunës, Haki Rugova thotë se me ligjin aktual komuna obligohet që t’i shesë veturat që nuk i nevojiten.
“Unë s’po shoh këtu ndonjë problem. Ato automjete janë nxjerrë jashtë përdorimit dhe në bazë të ligjit ne obligohemi që t’i shesim ato përmes ankandit. Ne në fillim ua kemi caktuar atë çmimin fillestar, por nëse nuk ka të interesuar, ne ato vetura i gjuajmë krejt”,tha për “Zëri” Rugova.
Në anën tjetër, përfaqësues të partive opozitare në komunën e Istogut thonë se Rugova përmes blerjes dhe shitjes së veturave po abuzon me fonde publike.
Ena Krasniqi, deputete e Kuvendit Komunal nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se kryetari Rugova në vazhdimësi ka abuzuar me fonde, duke blerë vetura të reja, dhe duke i nxjerrë nga përdorimi disa nga to që kanë mundur të riparohen. Sipas saj, veturat që mund të riparohen nuk ka logjikë që të shiten për pak para dhe në vend të tyre të blihen vetura luksoze.
“Me apo pa qëllim Komuna e Istogut i ka rreth 6 vetura që nuk i regjistron, por të njëjtat përdoren për nevoja të komunës. Unë për këtë çështje disa herë kanë kërkuar sqarim, por kryetari nuk më ka dhënë përgjigje”,tha ajo për “Zëri”./Indeksonline/