E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Prishtinës financoi më shumë libra se Qeveria

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe njëherë ka folur për kulturë, kësaj radhe duke u fokusuar në gjendjen e librit në Kosovë.

Sipas LDK, Qeverisë i mungojnë në tërësi politikat për librin, prandaj edhe ato për bibliotekat.

“Gjatë viti 2011 nuk është investuar fare në fushën e publikimit të librit dhe nuk pasur asnjë investim për të ndihmuar modernizimin e rrjetit të bibliotekave. Gjatë viti 2011, qeveria ka emëruar një Këshill Libri paligjshëm, me përbërje të paligjshme dhe tejet jopërfaqësuese”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj partie.

Sipas partisë më të madhe opozitare në vend, në buxhetin e saj, gjatë viti 2011, qeveria pati alokuar 30 mijë euro për librin, por as këtë shumë nuk e dha të plotë për botuesit që konkurruan, meqë në fund 8 mijë euro i zhvendosi në projekte e veprimtari të tjera.

“22 mijë euro për librin është një shumë e papërfillshme, madje fyese. Me një shumë të tillë mund të paguhet vetëm shtypi i 10 librave me nga 500 kopje. Kjo është shuma më e vogël që është dhënë ndonjëherë për librin në këtë vend. Vetëm Komuna e Prishtinës gjatë viti 2011 ka financuar botimin e 85 librave, shtatë herë më shumë se Qeveria e Kosovës”, thotë LDK.

Tutje, LDK thotë se, me rastin e konkursit për përkrahjen e botimit të librave, Këshilli i Librit ka bërë zgjedhje joprofesionale dhe të ndikuar politikisht, ka lënë jashtë listës së vogël propozime për publikimin e veprave kapitale dhe ka zgjedhur tituj të tjerëë. Këshilli joligjor ka përjashtuar edhe Bibliografinë për studiuesin e madh, dr. Ibrahim Rugova.

“Këshilli i Bibliotekave, si struktura më e lartë që propozon politika për zhvillimin e veprimtarisë në fushën e bibliotekave, nuk funksionon as formalisht. Ligji për Bibliotekat dhe Veprimtarinë Bibliotekare nuk është implementuar as gjatë këtij viti, ndërsa vetëm tani, në fund fare, para pak ditësh, qeveria e procedoi projektligjin e ri. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, që është institucioni më i rëndësishëm i kësaj fushe të veprimtarisë në vend, funksionon pa buxhet të mjaftueshëm për të implementuar politikat zhvillimore, prandaj, kryesisht, mbështetet në donacionet në trajtë koleksionesh që i fiton vetë”.

LDK thotë se madje se edhe aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i kësaj biblioteke, Java e Bibliotekës..., me karakter ndërkombëtar, sivjet, në mungesë të përkrahjes së nevojshme, ka qenë shumë më i varfër se gjatë viteve të tjera.

“Ndërsa, revista që nxjerr BKUK-ja, “Biblioletra”, e vetmja e kësaj fushe në vendin tonë, mezi mbijeton, pa arritur as të kompensojë si e sa duhet punën e autorëve që botojnë aty. Ajo del falë insistimit të institucionet dhe autorëve që botojnë aty pa asnjë kompensim ose që marrin honorare në shuma të papërfillshme. Jemi në dijeni se projekte të tëra presin dhe nuk po realizohen, meqë mungon vullneti politik i qeverisë e kur mungon ky vullnet, mungojnë edhe fondet”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›