Kronika e një fundi të paralajmëruar
Një film i xhiruar, i montuar e i shfaqur në një kohë rekord. I pacenuar nga mungesat financiare është njëri prej filmave më të mirë shqiptarë, e që do të shfaqet ku tjetër pos në kinemanë e shtëpisë suaj DigiGold.
Historia
“Amnistia” e Alimanit është një histori sa e veçantë, aq edhe e njohur për shqiptarët. Një çift dashnorësh që përfundojnë të vrarë nga dora e vjehrrit të gruas, i cili do të vërë në vend nderin e familjes. Histori të tilla mbushin vazhdimisht hapësirat e kronikës së zezë në shtypin shqiptar. Por historia e Alimanit nuk është kaq e rëndomtë. Ngjizja e historisë së dashurisë është tërësisht e jashtëzakonshme. Rrethanat dhe vendi ku ajo lind është i pazakontë. Është një burg, ku Elsa, një grua e bukur nga Pogradeci, shkon për të takuar të shoqin, të dënuar me tri vjet burg. Në të njëjtin burg vuan dënimin edhe e shoqja e Shpëtimit. Ajo, për 2 vjet e gjysmë, për falsifikim. Edhe më të jashtëzakonshme këtë histori e bën fakti se ata të dy takohen në datën 5 të çdo muaji. Me ligj, bashkëshortët kanë mundësi të kenë takime intime çdo muaj. Dhe ata të dy e kanë këtë takim pikërisht në datën 5. Duket se neveria që secili ndien nga ai ambient i pisët, me mure të lagështa, me një lavaman të palarë, me një çezmë që pikon dhe më së shumti ai akt seksual i padëshiruar, i pandier, i bën këta dy njerëz të dëshpëruar, të afërt me njëri-tjetrin. Amnistia e shumëpritur për të gjithë është fundi për historinë e tyre.
Dialogët
Alimani, i cili është edhe skenaristi i filmit, ka vendosur ta kursejë fjalën. Personazhet nuk flasin shumë, dialogët e tyre përmblidhen vetëm në fjalë të shkëputura. Ndoshta ka qenë kjo një lloj “strategjie” për t’i shpëtuar bisedave patetike, që mund të zhvillohen mes një burri dhe një gruaje në fillimet e njohjes e që pason me një lidhje dashurore. Ata e nisin bisedën me motin, siç ndodh rëndom, interesohen për familjet, bashkëshortët. Nuk ka asnjë lloj tendence për t’i kthyer personazhet në filozofë. Ata i qëndrojnë mirë shtresës sociale së cilës i përkasin, ku papunësia, përpjekjet për mbijetesë janë çështja e ditës. Kushtet në të cilat ata jetojnë flasin shumë më shumë për ata vetë dhe përse gjërat ndodhin. Regjisori ka përdorur planet e afërta dhe është e thjeshtë të lexosh çdo ekspresion në fytyrat e personazheve. Të lexosh fytyrën e bukur dhe të lodhur të Elsës, sytë e saj të përlotur apo sytë e pajetë të Shpëtimit… Është më së shumti një lexim së brendshmi.
Skenat erotike
“Amnistia” është filmi shqiptar me më shumë skena erotike që është bërë deri më sot. Ato përsëriten në mënyrë rituale në çdo vajtje të personazheve në takimet me bashkëshortët. Janë ca akte seksuale të zhveshura nga çdo lloj ngjyrimi sentimental. Të paktën për palën vizitore ishte si kryerja e çdo detyrimi tjetër. Të heshtur e sytë e mbërthyer në tavan. (E vetmja herë kur ata bëhen palë, është kur mes çiftit ka hyrë një i tretë e me shumë gjasë ata mendonin atë “tjetrin”.) Ndërkaq, regjisori është treguar i kujdesshëm që të mos i tregojë fytyrat e bashkëshortëve. Ngjan më së shumti me një përdhunim, një akt të kryer pa dëshirë dhe përsëritja e vazhdueshme e tyre të ngjall një lloj neverie. Ndërsa skenat erotike mes Shpëtimit dhe Elsës regjisori i lë më shumë të imagjinuara. Do ishte tepër që përkrah mërzisë së seksit në burg, të jepeshin ca skena pasiononte… Aktorët e pranojnë se nuk ka qenë i thjeshtë realizimi i tyre. Ajo që ndihmoi në realizim ishte atmosfera e punës krijuar përreth dhe shkrirja e personazhit, të cilit i kanë rënë 100 halle mbi kokë.
------
Amnistia
Regjia dhe skenari: Bujar Alimani.
Aktorë: Luli Bitri, Karafil Shena dhe Klevis Bega